EKSKLUZIVE/ Drejtuesit e bluve e shohin si lider në fushë, ja kush do të jetë kapiteni i Dinamos për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 8:50

EKSKLUZIVE/ Drejtuesit e bluve e shohin si lider në fushë, ja kush do të jetë kapiteni i Dinamos për sezonin e ri

Nga gjithë lëvizjet që Dinamo ka bërë deri tani, Bruno Dita është pa dyshim blerja më e rëndësishme e saj.

Dita në stërvitje me Dinamon në Itali

Dita në stërvitje me Dinamon në Itali

Jo vetëm se bëhet fjalë për një mesfushor me kualitet dhe me shumë eksperiencë në futbollin shqiptar, por edhe një lojtar që është rritur te blutë dhe me personalitet lideri. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë menduar t’ia besojnë pikërisht atij shiritin e kapitenit për sezonin e ardhshëm. Ata kanë shumë besim se Dita do të jetë lideri kryesor i Dinamos në fushë gjatë sezonit të ardhshëm. Mesfushori që ka luajtur edhe për Teutën, Besën, Skënderbeun dhe Shkëndijën e Tetovës, është një lojtar karizmatik dhe me mentalitet fitues. Sezonin e kaluar shiritin e kapitenit të Dinamos e ka mbajtur Rustem Hoxha, një tjetër futbollist me eksperiencë që gjithashtu mund të bëjë liderin në fushë. Gjatë miqësores së disa ditëve më parë me Dinamon e Ferizajt, që blutë luajtën para nisjes për në Itali, shiritin e mbajti Dita, duke konfirmuar kështu edhe vendimin e klubit.

ROLI NË FUSHË – Bruno Dita, 31 vjeç, luan si mesfushor qendre në rolin e tij natyral, por gjatë karrierës ka bërë edhe qendërmbrojtësin apo krahun e djathtë të këtij reparti. Te Dinamo ai ka ardhur për të qenë një nga kolonat kryesore të mesfushës dhe gjithë skuadrës. Në nivelin taktik Dita është një nga më të mirët, ai e ndihmon shumë skuadrën dhe bashkë me Qefalijën dhe Gudiabin pritet të bëjnë një treshe solide në mesfushën blu. Për nevoja të skuadrës kryeqytetasi mund të aktivizohet edhe në qendër të mbrojtjes, por kjo mund të ndodhë vetëm në raste të veçanta.

GODITJET BIG – Dita është goditja e parë big e Dinamos në merkaton e kësaj vere, ku “Nëndetësja” ka marrë edhe lojtarë të tjerë. Disa janë me eksperiencë dhe disa të rinj të perspektivës, por gjithçka është e hapur sa u takon lëvizjeve në hyrje, sepse te blutë ka ende disa vende bosh. Dhe bëhet fjalë për vende, ku pritet që klubi të bëjë të tjera goditje të rëndësishme, si një fantazist, një mbrojtës qendre dhe një sulmues. Aktualisht po shihen disa alternativa për të mbyllur sa më parë edhe afrimet e fundit. Nga sa kuptohet, ata që do t’i bashkohen Dinamos në Itali, do të jenë lojtarë të huaj, sepse është shumë e vështirë që në tregun shqiptar të gjesh lojtarë të lirë në këtë moment.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"