EKSKLUZIVE/ E kanë eliminuar kur luante me Shkëndijën, Totre ka shansin për revansh: Dudelanzhi jo i pakalueshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2022 | 20:10

EKSKLUZIVE/ E kanë eliminuar kur luante me Shkëndijën, Totre ka shansin për revansh: Dudelanzhi jo i pakalueshëm

Enur Totre është lojtari i vetëm mes bardhe bluve që është përballur më parë me Tiranën. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori i Tiranës analizon kundërshtarin dhe pranon se bardheblutë janë gati për të sfiduar Dudelanzhin. Jo vetëm kaq, por Totre është i bindur se ekipi që do të kenë përballë nuk është i pakalueshëm. Një pikë që prek mesfushori është edhe ajo e largimeve. Totre thotë që Hoxhallari dhe Toli janë humbje, por e mira është që skuadra është ruajtur në 90- përqindëshin e saj.

Totre

Totre analizon edhe fazën përgatitore, ndërsa pranon se faza e grupeve të një kompeticioni europian është qëllimi i skuadrës dhe klubit e grupi do të bëjë të pamundurën që ta plotësojë këtë objektiv. Për Enur Totren ky ishte sezoni i parë te Tirana. Ai ka qenë në fushë 35 ndeshje, ka shënuar pesë gola, ka dhënë gjashtë asiste, si dhe është aktivizuar 2916 minuta. Vlera e Totres në “Transfermarkt” aktualisht është 425 mijë euro.

Tirana është gati për të zhvilluar ndeshjen e parë të Champions-it. Ju vini pas një faze përgatitore të lodhshme?

Kemi qenë në fazë përgatitore. Besoj se jemi përgatitur shumë mirë. Kanë qenë 13 ditë intensive në Turqi dhe më pas në Shqipëri. Ndihemi mirë. Jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe do të japim maksimumin.

Përballë do të keni një skuadër që kanë shkuar në grupe. Ju si skuadër e ndieni veten gati për t’u përballur me Dudelanzhin në Champions?

Të gjithë e dinë që faza përgatitore është pak e vështirë dhe shumë e rëndë nga ana fizike. Kemi dhënë maksimumin. Besoj se ekipi është i përgatitur për këtë ndeshje.

Kanë ikur disa lojtarë nga skuadra, mendoni se skuadra është e plotë për këtë sfidë?

Normalisht që kanë qenë lojtarë të 11-shes së parë dhe kanë ndikuar pak. 90-përqindëshi i skuadrës është ruajtur, por një lojtar si Hoxhallari dhe Toli janë mungesa të mëdha.

Ju jeni lojtari i vetëm nga Tirana që keni luajtur më parë me Dudelanzhin. Si e shihni këtë skuadër?

Ekipi është i mirë. Për derisa kanë dalë kampionë, skuadra nuk mund të nënvlerësohet. Ama nuk është i pakalueshëm. Ne do të japim maksimumin. Shpresoj realisht që të kalojmë dhe të kualifikohemi në turin tjetër të Champions League.

Objektivi i madh i klubit është prekja e fazës së grupeve. Mund t’ia dalë Tirana në një nga tri kompeticionet?

Ne luajmë në Champions League dhe objektivi i ekipit është të kapim grupet. Normalisht që shpresojmë që të kapim grupet. Do të ishte diçka e madhe për Tiranën.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"