EKSKLUZIVE/ “E vështirë të luaje pa rroga”, Bushiç tregon si do marrë paratë: Firmosa me Teutën sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2019 | 21:40

EKSKLUZIVE/ “E vështirë të luaje pa rroga”, Bushiç tregon si do marrë paratë: Firmosa me Teutën sepse…

Tronditet Flamurtari. Kapiteni Tomislav Bushiç largohet nga skuadra vlonjate për shkak të krizës financiare. Ajo që gazeta “Panorama Sport” e kishte lajmëruar prej disa ditësh, u konfirmua dje. Kapiteni i vlonjatëve dhe njëkohësisht golashënuesi më i mirë i skuadrës në pjesën e parë të këtij sezoni ka prishur kontratën pas një bisede me administratorin Sinan Idrizi.

Kapiteni kroat ka pasur dje afatin e fundit nga dita kur ai ka dërguar ankesën në FSHF dhe FIFA dhe gjatë pasdites është ndarë përfundimisht me vlonjatët. Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, në një intervistë sapo ka dalë nga zyrat e klubit vlonjat, Bushiç tregon eksperiencën, paktin e bërë me Idrizin dhe përshtypjen e tij për situatën e krijuar. Bushiç udhëtoi menjëherë drejt Durrësit ku pas takimit me drejtuesit, në mbrëmje u zyrtarizua se do të jetë lojtar i Teutës në vazhdim.

tomislav bushic idriz batha

Përfunduat kontratën me Flamurtarin, si u ndatë me klubin?

Po, kemi bërë një marrëveshje me presidentin. Ishte një bisedë midis dy xhentëlmenësh, mes dy miqsh. Nuk u zumë dhe në fund i dhamë dorën njëritjetrit. Unë do të mund të marr nga skuadra vetëm pjesën e parave që meritoj deri më tani dhe kaq. Ai do të më paguajë dhe vetëm kaq.

Po thoni që nuk ju pagoi as sot (dje)?

Po, nuk jam paguar ende, por caktuam një datë kur do të kem mundësi për të marrë paratë e mia. Deri në fund të këtij sezoni është data dhe afati brenda, të cilit Flamurtari do të më paguajë. Të paktën kështu shpresoj…

A është e vërtetë se ju keni dërguar një letërankesë në FSHF dhe në FIFA për mospagesën nga Flamurtari për disa muaj?

Po, në nëntë janar kam dërguar një letër për t’u thënë situatën. Nuk doja që ta bëja diçka të tillë, por isha i detyruar. Tani jam i lumtur që gjithçka përfundoi siç duhet, si mes dy miqsh. Pasi nuk dua që të kem zënka me askënd.

bushic

Po thoni që nuk do të ketë më një çështje në FIFA?

Jo, nuk e kam mbyllur çështjen në FIFA. Situata është e tillë. Ne kemi një marrëveshje deri në 30 maj për pagesën e periudhës deri në ditët e sotme. Nëse gjithçka do të jetë në rregull brenda këtyre afateve, nuk do të kem më arsye që të shkoj në FIFA dhe gjithçka do të konsiderohet e mbyllur. Për t’jua sqaruar, pas njoftimit të FIFA-s, Flamurtari kishte 15 ditë kohë për të më paguar që të shmangte gjyqin. Me tej do niste seanca gjyqësore. Kjo marrëveshje që bëmë sot (dje) e bën të panevojshme që të nisë një seancë gjyqësore. Nga sot (dje) jam lojtar i lirë dhe mund të bëj çfarë të dua me të ardhmen time. Nuk do të kem asnjë pengesë për të ardhmen.

Duke parë situatën, më lejoni t’ju bëj edhe një pyetje rreth pagesave. Po nëse Flamurtari nuk ju paguan deri në 30 maj, çfarë ndodh?

Normalisht që rihapet çështja në FIFA dhe nis gjyqi. Unë shpresoj shumë që nuk do të ndodhë diçka e tillë dhe nuk do të jetë nevoja më për gjyqe. Jua thashë që në fillim se kam folur me presidentin si burrat dhe besoj se gjithçka do të jetë në rregull.

Cila ishte arsyeja e largimit tuaj, çështja financiare deri më tani apo edhe mungesa e garancisë për të ardhmen?

Në fakt, nuk e di tamamtamam t’jua shpjegoj arsyen. Nuk po ndihesha më si më parë. Kishim probleme dhe unë vetëm mendova për familjen time. Më duhej që të largohesha diku tjetër ku aktualisht ka një situatë normale dhe ku të mund të paguhem për atë që unë bëj. Të paguhem për punën time, pasi kështu funksionon futbolli profesionist. Jam profesionist dhe pres që të gjithë të jenë të tillë në lidhje me mua. Jam korrekt me të gjithë, jap gjithçka mundem dhe që duhet në punën time.

Si një i huaj në Shqipëri, sa të vështirë e keni pasur gjatë gjithë këtyre muajve pa u paguar?

(Pffff shfryn për një moment) Ishte e vështirë! Në rregull, unë kam një karrierë të mirë. Kam aq të ardhura sa për të jetuar (qesh…), por ishte e vështirë për mua, por edhe për shumë të tjerë në skuadrën time. Kam kërkuar gjithmonë që të bëhet mirë situata për të gjithë shokët, për të gjithë ekipin dhe jo vetëm për mua personalisht. Jam interesuar gjithmonë jo për veten time, por që të gjithë si skuadër të jemi të lumtur dhe të kënaqur.

Bushic

Kur kapiteni rebelohet, situata rëndohet. Çfarë mendoni se do të ndodhë në të ardhmen te Flamurtari?

Nuk e di. Nuk e di. Shpresoj dhe lutem që për të gjithë shokët e mi, situata të bëhet pozitive dhe të përmirësohen gjërat. Dua që gjërat të bëhen mirë atje, të paguhen të gjithë dhe pas të gjithë kësaj, t’iu uroj atyre më të mirat. Shpresoj shumë që gjërat të përmirësohen.

Keni biseduar me trajnerin Daja?

Tani që po flasim bashkë e kam telefonuar disa herë, por në fakt nuk më është përgjigjur dhe nuk kam komunikuar. Besoj se sapo ai të shohë telefonin do të më telefonojë dhe do të kem mundësi të bisedoj me të. I uroj çdo gjë të mirë Dajës. Është një trajner shumë profesionist, trajner shumë i mirë dhe i uroj vetëm të ketë karrierë sa më pozitive.

Cili ka qenë kujtimi më i mirë që do ruani nga Flamurtari?

Kam kaluar dy vite e gjysmë aty, kam jetuar atje dhe jam ndier si në qytetin tim. Kam shumë miq, respekt nga njerëzit dhe unë i respektoj njerëzit në atë qytet. Ishte vendim shumë i vështirë për mua, por kjo është jeta dhe kështu erdhën gjërat. Unë do ta kujtoj Vlorën gjithmonë si një periudhë të këndshme në karrierën time.

Po ndonjë kujtim të keq?

Jo, jo! Në këto vite nuk mund të them asgjë të keqe për njerëzit atje, për qytetin dhe për çdo gjë. Ndihem sikur jam prej andej.

Jeni lojtar i lirë dhe është lakuar Teuta si e ardhmja juaj, kjo edhe e pranuar nga trajneri Shkëmbi që ka thënë gjithmonë: “Bushiç dhe Alvesh janë lojtarë të mirë”. Ka diçka konkrete me Teutën?

Le të themi se kam folur me ta dhe le të shpresojmë që gjërat të ndodhin. Mendoj se do të kem një marrëveshje totale me ta. Mendoj se kanë një projekt të mirë, skuadra është cilësore dhe me sa i kam ndjekur gjithçka është në rregull atje. Kjo ka qenë arsyeja. Ata, kam vënë re, se kanë mbështetjen e qytetit, të presidentit dhe janë të gjithë së bashku në një rrugëtim. Mendoj se shpejt do të jem atje.

Kur thoni shpejt, të dielën Teuta luan kundër Flamurtarit. Do ishit i gatshëm të luanit nëse realizohet transferimi?

Në fakt, nuk e di. Pasi nesër (sot) do të jetë situata më e qartë. Tani që flasim, në celularin tim kam shumë telefonata dhe oferta.

Nga kush?

Nga të gjithë.

Edhe nga Partizani?

Jo, nga Partizani nuk kam interesim. Kam nga skuadra shqiptare, apo edhe nga ekipe jashtë Shqipërisë. Janë telefonata që nuk u jam përgjigjur. Nuk dua të flas me askënd për momentin, pasi ju thashë që kam bërë një bisedë me Teutën dhe dua që të ketë diçka konkrete me ta. Nëse unë do qëndroj në Shqipëri, besoj se do të jetë vetëm për Teutën, pasi paraprakisht kemi arritur një marrëveshje nga çfarë kemi biseduar deri më tani. Të presim dhe të shohim si do të përfundojnë këto bisedime.

Nëse konkretizohet, pse e zgjodhët Teutën?

Sepse atje shoh një grup shumë të mirë. Ata kanë bërë një pjesë të parë shumë të mirë të sezonit dhe shpresoj që edhe pjesa e mbetur të jetë njësoj. Unë do të mundohem që të jap pjesën time të ndihmës që ata të realizojnë objektivat, nëse gjithçka konkretizohet dhe bëhem lojtar i Teutës. Nuk kam nënshkruar ende dhe nuk flas dot me bindje, por e them që shpresoj të jem atje dhe, pse jo, të luftojmë kundër Partizanit.

Nga Vlora në Durrës, a ishte prania e detit një arsye pse zgjodhët Teutën?

(qesh…). Nuk mund të them po. Por në fakt, më pëlqejnë shumë qytetet bregdetare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"