EKSKLUZIVE/ Egnatia shiti mesfushorin ganez në Kroaci, zbulohet shifra e transferimit
Egnatia bën një lëvizje të rëndësishme në dalje, duke shitur në Kroaci mesfushorin ganez, Majkëll Agbekpornu. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se drejtuesit e klubit rrogozhinas kanë arritur marrëveshje me NK Slaven Belupo Koprivnica, që militon në elitën e futbollit kroat dhe në sezonin e fundit ka pasur si trajner Zoran Zekiçin, i cili sot drejton Partizanin.
Gazeta mëson nga burime të sigurta se Egnatia do të përfitojë 150 mijë euro nga ky transferim, ndërsa në marrëveshjen me kroatët, është rënë dakord që rrogozhinasit të mbajnë 25% të pronësisë së kartonit të lojtarit.
Agbekpornu është prej dy sezonesh pjesë e Egnatias, duke luajtur 49 ndeshje në Superiore dhe shënuar 1 gol. Mesfushori 25-vjeçar ka qenë një lojtar “xhol” për trajnerët, pasi me karakteristikat që ka, është aktivizuar në disa pozicione.
Përveçse si mesfushor shkatërrues, ganezi ka luajtur dhe si qendërmbrojtës, duke pasur një rendiment të lartë. Kësisoj, me largimin e tij, Egnatia mori masa të menjëhershme, pasi afroi Albano Aleksin nga Tirana, duke bërë një lëvizje shumë të zgjuar.
Presidenti Agim Demrozi, bashkë me drejtorin Klejdi Zenelaj, i kanë paraprirë me kohë kësaj lëvizjeje, duke vënë në dijeni trajnerin Edlir Tetova, i cili ka dhënë OK-in.
Aktualisht Agbekpornu pret të mbyllë dokumentacionin dhe të niset drejt Kroacisë, për t’u bashkuar me skuadrën e re. Në kampionatin e fundit, nga 26 ndeshje në total, mesfushori luajti 21 herë si titullar.
Ky është transferimi i dytë që bën Egnatia jashtë Shqipërisë, pasi në janar arriti marrëveshje me hungarezët e Debrecenit për mesfushorin nigerian, Ojediran Hamzat.
FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"