EKSKLUZIVE/ “Egnatian e dua në grupet e Konferencës”, presidenti Demrozi shpall objektivat për Europën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2024 | 20:34

EKSKLUZIVE/ “Egnatian e dua në grupet e Konferencës”, presidenti Demrozi shpall objektivat për Europën (E PLOTË)

Data 3 korrik ishte e veçantë në kampin rrogozhinas, pasi presidenti Agim Demrozi, ai që e ka ngjitur Egnatian në majën e futbollit shqiptar, festonte 53-vjetorin e lindjes.

demrozi

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai është shprehur se Egnatia është në rrugën e duhur për një tjetër sezon mbresëlënës. Numri 1 i kampionëve në fuqi thekson se objektivi është arritja në grupet e Ligës së Konferencës, si dhe fitimi i të tre trofeve sezonin e ri.

Z.Demrozi, a i arriti pritshmëritë tuaja faza përgatitore në Slloveni?

Jam i kënaqur që ekipi u ndie komod, duke i marrë vetes maksimumin. Detyra ime është t’i vij në ndihmë skuadrës sa i takon infrastrukturës sportive dhe për këtë mundohem të bëj gjithçka. Këta njerëz që punojnë çdo ditë e meritojnë, duke filluar nga trajneri, drejtori sportiv, lojtarët dhe të gjithë aktorët e klubit. Ekipi u stërvit mjaft mirë dhe fatmirësisht lojtarët gëzojnë një formë të kënaqshme sportive.

Do të luani për herë të parë në Ligën e Kampionëve. Çfarë emocioni është për ju?

Është një emocion i madh për mua. Ndihesh krenar, kur shikon që mundimi shpërblehet me këtë formë. Mezi po pres t’i përjetoj ato emocione, pasi për ne kjo është një aventurë e re dhe të gjithë jemi të gëzuar që do të kemi fatin të dëgjojmë himnin e kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Europë.

Luani me boshnjakët e Borac, sa shanse ka Egnatia ta kalojë turin e parë eliminator?

I kemi të gjitha shanset për të bërë mirë në Champions, edhe pse jemi të ndërgjegjshëm që përballë kemi një rival të fortë, që ka disa vite që po dominon futbollin boshnjak. Borac ka lojtarë të mirë, luan futboll agresiv, megjithatë kam besim te skuadra ime. Më gëzon fakti që dëshira dhe impenjimi janë në nivelin maksimal, më pas është fusha ajo që jep verdiktet.

Cili është objektivi juaj në Kupat e Europës?

Objektivi ynë është të shkojmë në grupet e Ligës së Konferencës. Nëse ia dalim, do të jetë një arritje fantastike për ne në veçanti dhe për futbollin shqiptar në përgjithësi. Do të mundohemi të ecim, skuadra është e kompletuar.

A do ketë sërish lëvizje në merkato tek Egnatia?

Trajneri është i kënaqur me grupin që ka aktualisht dhe në bazë të analizave tona ky kontingjent lojtarësh na bën të mendojmë se jemi të plotë në çdo repart. Ajo që mund të them është se mund të kemi ndonjë lëvizje sa i takon futbollistëve që mund të largohen. Merkatoja është e gjatë dhe nëse do të na duhet të përforcohemi, do ta bëjmë me 1 ose 2 lojtarë.

Çfarë do të bëhet me Montenegron?

Sulmuesi ynë, Jurgens Montengro, ditët e fundit ka pasur probleme familjare dhe është detyruar të shkojë në vendlindje. Së shpejti pritet të bashkohet me ekipin, pasi ka edhe 2 vite kontratë me klubin. Ai tregoi se është i rëndësishëm për ne dhe mendoj se do të na ndihmojë edhe sezonin e ri.

Si president, çfarë synoni sezonin e ardhshëm në futbollin shqiptar?

Objektivi ynë është mbrojtja e titullit dhe e Kupës që fituam sezonin e fundit. Dëshiroj të fitoj edhe Superkupën, një trofe që i mungon klubit. Më parë synimi është arritja sa më larg në kupat e Europës për të rritur pse jo edhe emrin përtej kufijve të Shqipërisë.

Me rastin e 53-vjetorit të lindjes, çfarë urimi do t’i bënit vetes?

Është një moment, ku më duhet të ndalem për të festuar me familjen dhe miqtë. Falënderoj Zotin për gjithçka dhe uroj që duke qëndruar me njerëz të përgjegjshëm, do të kem mundësinë për arritje në rrugëtimin tim jetësor. Jam me fat që jam presidenti i Egnatias dhe ndihem i përulur përpara gjithë rrogozhinasve për ta lartësuar emrin e klubit në futbollin tonë. Bashkë me tifozët tanë të mrekullueshëm do vijojmë të ngremë trofe të rëndësishëm.

ISA HALILI-PANORMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"