EKSKLUZIVE/ Elbasani bind sulmuesin e krahut, verdheblutë presin dhe mesfushorin që luajti në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2023 | 9:00

EKSKLUZIVE/ Elbasani bind sulmuesin e krahut, verdheblutë presin dhe mesfushorin që luajti në Superiore

AF Elbasani bën një tjetër goditje të bujshme në merkato e verës në Kategorinë e Parë. Verdheblutë marrin edhe sulmuesin e krahut, Bedri Greca, teksa pritet vetëm zyrtarizimi. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë klubit verdheblu, konfirmojnë se kanë gjetur akordin me sulmuesin, që mbylli sezonin te Kastrioti dhe firma mbetet thjesht një formalitet, pasi palët kanë rënë parimisht dakord për të gjitha detajet.

Greca

32-vjeçari bëhet kështu lojtari i 12-të që firmos me elbasanasit në këtë merkato vere me misionin “Superiore”. Për Grecën pati shfaqur më herët interes edhe Flamurtari, por duket se janë verdheblutë ata që fitojnë edhe këtë duel merkatoje me rivalët e tyre këtë sezon në të Parën.

Greca ka një karrierë të gjatë mbi supe dhe është një futbollist me mjaft eksperiencë dhe i shumëshëtitur në disa skuadra, ku numëron edhe një titull kampion me Kukësin, si edhe me Tiranën në Kategorinë e Parë, ku arriti madje të shënojë 14 gola atë sezon.

Vitin e fundit me krutanët ai arriti të shënojë edhe pesë gola në elitë, ndërsa në Elbasan vjen t’i japë skuadrës një “dorë” për të arritur synimet.

Të paktën në letër, skuadra e Elbasanit duket e “blinduar” në të gjitha repartet dhe pritet t’i japë tonin kësaj kategorie. Përpara se drejtuesit elbasanas ta bindin Grecën, ky i fundit ka qenë në bisedime të avancuar me kosovarët e Llapit.

MESFUSHORI – Megjithatë, emri më i bujshëm, që pritet për momentin të zbarkojë në Elbasan, vijon të mbetet ai i Edon Hasanit.

hasani

Gazeta mëson se edhe me këtë lojtar bisedimet janë në fazë të avancuar dhe nëse lojtari vendos të qëndrojë në vendin tonë, shanset janë që destinacioni i ardhshëm të jetë pikërisht kjo skuadër.

Duket se këto janë orë vendimtare për të parë nëse mesfushori shkodran do të bindet nga projekti verdheblu apo do të zgjedhë të vazhdojë karrierën diku tjetër.

Edhe për këtë lojtar më herët pati shfaqur interes skuadra e Flamurtarit, ndaj mbetet për t’u parë se si do të përfundojë edhe ky duel në merkato. Interesim konkret për Hasanin ka edhe Gjilani, që drejtohet nga Klodian Duro.

MINI-KASTRIOTI – Duket se Kastrioti i rrëzuar nga Superiorja ka qenë ekipi i preferuar i elbasanasve për të marrë lojtarët këtë sesion merkatoje, pasi deri më tani janë zyrtarizuar tre prej tyre: Spartak Ajazi, Armando Rami dhe Abaz Karakaçi.

Me Bedri Grecën, numri i tyre shkon në katër dhe nëse arrihet marrëveshje edhe me Edon Hasanin, praktikisht gjysma e ekipit janë ish-ë të Kastriotit.

Dhe, bëhet fjalë për lojtarët më të spikatur të krutanëve sezonin e fundit. Në njëfarë mënyre, duke marrë lojtarë nga e njëjta skuadër, pritet që përshtatja e tyre në Elbasan të jetë më e lehtë, pasi e njohin lojën e njëri-tjetrit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"