EKSKLUZIVE/ Elbasani kërkon një portier me eksperiencë, zbulohen dy emrat që po negociojnë me verdheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2024 | 21:43

EKSKLUZIVE/ Elbasani kërkon një portier me eksperiencë, zbulohen dy emrat që po negociojnë me verdheblutë

Një nga repartet që Elbasani ka hedhur sytë për ta përforcuar sa më shpejt është porta.

MixCollage-06-Jun-2024-09-51-AM-1817

Me mbylljen e suksesshme të sezonit të fundit, verdheblutë kanë piketuar lojtarë për të gjitha rolet, por një pozicion që shihet si imediat është pikërisht edhe katërkëndëshi. Së fundmi ka dalë në skenë emri i një ish-kampioni në Superiore, si Stivi Frashëri. Portieri korçar, i cili gjysmën e sezonit që shkoi ishte në radhët e skuadrës së Lirisë së Prizrenit, shihet si një opsion për të mbrojtur portën verdheblu për këtë sezon. Gazeta mëson se njerëz të njohur të të dyja palëve kanë bërë ndërmjetësimin dhe janë kryer bisedat e para për mundësinë e një bashkëpunimi sezonin e ardhshëm. Edhe sezonin e kaluar ka pasur indice se Elbasani dhe Frashëri kanë qenë shumë pranë një marrëveshjeje, por në fund nuk ajo është konkretizuar. Edhe për momentin bëhet fjalë për një emër që ndodhet në tryezën e drejtuesve të klubit verdheblu dhe mbetet për t’u parë, nëse do të ketë një zyrtarizim ditët në vijim.

TAFAS – Mirëpo emri i Frashërit s’është i vetmi që ka dalë në skenë në kampin verdheblu. Një kandidat potencial është edhe ai i Anxhelo Tafas, i cili ka luajtur me Kukësin sezonet e fundit. Madje, 24-vjeçari ka qenë ndër emrat e parë që është lakuar fill pas largimit të tij nga verilindorët në fund të sezonit. Tafas shihet me optimizëm edhe për shkak të moshës së tij të re, pasi në klubin elbasanas nuk duan të marrin vetëm lojtarë me eksperiencë dhe me moshë mbi 30 vjeç. Edhe për këtë rast bëhet fjalë për një alternativë që pëlqehet dhe jo për hapa konkretë. Merkatoja është ende në fillim të saj dhe duhet pritur për një akord të mundshëm. E sigurt është se tek Elbasani duan të marrin një “gardian” me peshë për portën.

KAPITENI – Në Elbasan shkon në 5 numri i largimeve zyrtare në këtë merkato vere. Pas katër të huajve, i fundit që ka zyrtarizuar largimin është kapiteni Abaz Karakaçi. Ka qenë vetë mesfushori që ka bërë të ditur këtë vendim në rrjetet sociale, ku shkruan se nuk ka rënë dakord me klubin për vazhdimin e bashkëpunimit. “Nga dita e sotme s’do të jem më pjesë e ekipit të Elbasanit, pasi nuk ramë dakord për vazhdimin e kontratës”, shkruan shkodrani. Sakaq, largimin e tij e ka konfirmuar më pas edhe vetë klubi i Elbasanit. Më herët ishin larguar Salomao, Fernandesh, Bobi dhe Ivan. Numri i largimeve pritet të vijë në rritje, pasi shumë prej futbollistëve nuk shihen më si pjesë e projektit të Superiores.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"