EKSKLUZIVE/ Elbasani nis negociatat me sulmuesin e Vllaznisë, te verdheblutë vjen edhe një japonez

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2023 | 16:20

EKSKLUZIVE/ Elbasani nis negociatat me sulmuesin e Vllaznisë, te verdheblutë vjen edhe një japonez

Ardit Hoxhaj del në “skenë” tek Elbasani. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë verdhebluve e konfirmojnë këtë pistë. Përgjatë këtyre ditëve ka pasur një takim midis palëve për të negociuar një bashkëpunim të mundshëm. Mësohet se takimi ka qenë i frytshëm dhe parimisht ekziston dëshira e të dyja palëve për të shkuar drejt një akordi, ndonëse për momentin si klubi dhe lojtari nuk e kanë me ngut mbylljen e një marrëveshjeje.

ARDIT HOXHAJ 1

Mësohet, se për sulmuesin është një opsion jashtë vendit, i cili është synimi i tij parësor, ndërsa elbasanasit nga krahu tjetër nuk kanë mangësi në organikë dhe do ta kenë primare arritjen e akordit. Për këtë arsye, palët për momentin janë tërhequr dhe mund të ketë një tjetër ritakim që të vendosë përfundimisht pikat mbi “I”.

Vlonjati është një lojtar me mjaft eksperiencë në Superioren shqiptare, teksa përgjatë tri sezoneve të fundit ka qenë pjesë e ekipit të Vllaznisë në elitë, në një kohë kur në këtë kategori ka luajtur edhe me Flamurtarin, Skënderbeun apo edhe Korabin me Bylisin.

Nga ana tjetër, Elbasani ka treguar se nuk njeh limite kur synon një futbollist, pasi edhe merkatoja e deritanishme ka treguar se kanë marrë lojtarët që kanë dëshiruar, duke fituar thuajse të gjitha duelet që kanë pasur në merkato me ekipet e tjera.

JAPONEZI – Elbasani nuk ka asnjë futbollist të huaj nën kontratë momentalisht, por ky trend mund që ndryshojë në vazhdim. Nuk mungojnë kontaktet me ekstrakomunitarë, që mund t’i bashkohen projektit të klubit.

Gjithsesi, emri më i fundit që i është bashkuar elbasanasve në stërvitje është ai i një japonezi, i cili po shihet me vëmendje nga stafi teknik. Bëhet fjalë për 26- vjeçarin Judai Miamoto, që për disa muaj ishte pjesë e kosovarëve të Drenicës.

miamoto

Rol i tij natyral është sulmues i krahut të majtë, por që shpeshherë është provuar edhe si një sulmues i tërhequr apo edhe “pykë”.

Mbetet për t’u parë nëse do ta kalojë provën dhe të veshë fanellën verdheblu, në një kohë që nuk ka as shumë ditë në dispozicion, sepse të hënën skuadra niset për fazë përgatitore në Strugë të Maqedonisë së Veriut. Deri tani verdheblutë kanë zyrtarizuar plot 13 afrime në merkato, por duket se kjo listë do të shtohet në ditët në vijim.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"