EKSKLUZIVE/ “Është ndërtuar një super-Tiranë”, Doka: Nuk kemi kundërshtarë për kampionatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2023 | 22:51

EKSKLUZIVE/ “Është ndërtuar një super-Tiranë”, Doka: Nuk kemi kundërshtarë për kampionatin

Albi Doka është i bindur se Tirana e këtij sezoni nuk ka kundërshtarë në rrugën për titull. Thotë se ka gjetur një ekip të kompletuar në çdo repart dhe një skuadër që nuk trembet nga asgjë. Në intervistën për “Panorama Sport”, Albi pranon se po bën gjithçka që të jetë gati për javën e parë të kampionatit ndaj Dinamos.

doka

Po kështu, mbrojtësi i dalë nga akademia bardheblu ishte një nga goditjet e bujshme të Tiranës në merkato. Lojtari u rikthyen në kampionatin shqiptar pas aventurës së fundit në Hungari me Budapest Honved. Kujtojmë se 275 mijë euro është vlera në “Transfermarkt” e Albi Dokës. Lojtari sezonin e fundit ka qenë pjesë e Honvedit në Hungari dhe më para në Kroaci. Dy asiste dhe 23 ndeshje i llogariten gjatë sezonit të shkuar mbrojtësit të djathtë të Kombëtares. Lojtari ka qenë në fushën e lojës 1349 minuta në çdo kompeticion.

Pas dy vitesh në Europë, tani keni dy muaj që jeni veshur sërish bardheblu. Si e ke gjetur Tiranën?
Tiranën e lashë kampione dhe e gjeta shumë të fortë. Kam një muaj e gjysmë këtu. Jam kthyer në shtëpi. Jemi në pritje të ndeshjeve të kampionatit. Të gjithë presin vetëm një gjë. Një Tiranë shumë të fortë në fushën e lojës. Dhe ne do të japim maksimumin për të treguar këtë Tiranë në fushën e lojës. Realisht skuadrën e gjeta të plotë në çdo repart dhe në elementë. Madje me lojtarë të Kombëtares. Grupi që ka ardhur këtë verë them se ka ndërtuar një super Tiranë.

Si është gjendja e Albi Dokës?
Gjendja është e mirë. Personalisht jam mirë, po kështu edhe shokët e skuadrës. Kemi kaluar shqetësime të vogla, por kjo është normale në futboll. Edhe pse kemi pasur dëmtime, djemtë janë në formë. Çdo rikuperim do ta bëjmë deri në fund të javës tjetër që nis kampionati. Them se kemi kohë për të qenë në “top-formë”.

Siç e thatë edhe vetë keni pasur disa shqetësime pas ndeshjes së parë me Beshiktashin. Do të jeni gati për sfidën e parë?
Për të qenë në fushën e lojës apo unë mund të them që do të bëj maksimumin që të jem në fushën e lojës. Do të bëjmë më të mirën që të jem gati, pastaj nëse aktivizohem i përket trajnerit.

Përveç 36 javëve, tani formula të çon në shtesë. Keni një mendim për këtë formulë të re të kampionatit?
Them se nuk kam një opinion për këtë çështje. Janë gjëra administrative. Ne do t’i marrim takimet një nga një. Duam të fitojmë çdo takim. Në fund fare le ta fitojë skuadra më e mirë.

Tirana është skuadra më e kompletuar në letër, por cili është kundërshtari juaj për kampionat?
Unë them që Tirana nuk ka fare kundërshtarë. Kundërshtare është vetvetja dhe përqendrimi për të fituar çdo takim që do të luajmë.

Luajtët ndaj Beshiktashit, si e keni parë paraqitjen e skuadrës suaj në Europë?
Fati i mirë dhe fati i keq të luash ndaj një skuadre si Beshiktashi. Fat i keq, sepse ishte kundërshtar shumë i fortë dhe nuk mund të kalohej. Fati i mirë në krahun tjetër, sepse çdo lojtar në të dyja takimet tregoi vlerat e tij. Them se nëse nuk do të ishte Beshiktashi do të kalonim më shumë ture.

Tirana është trampolina që të fitoni sërish Kombëtaren?
Këto çështje i përkasin trajnerit të Kombëtares. Detyra ime është që të bëj maksimumin dhe më pas të shohim.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"