EKSKLUZIVE/ “Fitore madhështore ndaj Tiranës”, Sherri: Sezon ëndrrash, Egnatia bind edhe në Europë
Një çlodhje fare e shkurtër pranë familjes në Shkodër. Dhe menjëherë shkuarja në Greqi ku po kalon disa ditë pushime. Alen Sherri, portieri që ka lënë pas një sezon të parë vërtetë të shkëlqyer tek Egnatia, dje në mesditë, në intervistën e dhënë posaçërisht për “Panorama Sport”, ka treguar shumëçka për çfarë arritën skuadra e Egnatias dhe ai në planin individual. Sezoni i parë juaji tek Egnatia duket më se i frytshëm.
Fituat Kupën dhe në kampionat ishit të tretët. Vlerësimi juaj?
E konsideroj një sezon ëndrrash këtë që u mbyll. Egnatia e tregoi më së miri veten në të dy frontet, si në kampionat ashtu edhe në Kupë. Madje, fitorja e trofeut në finalen ndaj Tiranës, për ne mund të them se ishte madhështore. Tani Egnatia po bëhet gati që për herë të parë në historinë e saj të luajë në Europë, në Ligën e Konferencës.
Si po e prisni këtë debutim?
Patjetër me shumë emocion. Bëmë realitet një objektiv të rëndësishëm që kishte vënë klubi dhe për këtë jemi krenarë. Misioni ynë tanimë vazhdon me një tjetër ëndërr. Ky debutim i parë shpresoj që të lërë shenja të tjera pozitiviteti tek Egnatia.
Në kampionatin e fundit ishit portieri që pësuat më pak gola në kampionat (32) dhe në Kupë vetëm 2 gola. Në aspektin individual çfarë përbëjnë këta tregues për ju?
Faktet janë fakte, por unë dua të them se jam përpjekur të justifikoj më së miri besimin e shokëve dhe të të gjithë drejtuesve. Treguesit statistikorë më vjen mirë që për sezonin e fundit konsiderohen si rekorde. Çka më frymëzon më shumë tashmë në karrierën time.
Kontrata juaj tek Egnatia vijon. Si ndiheni tani kur skuadra është rritur mjaft e po shihet ndryshe nga kushdo?
Sigurisht që ndihem shumë mirë tek Egnatia. Është një klub ku secili prej futbollistëve e drejtuesve përpiqet të japë më të mirën e vet. Prandaj në këtë situatë ndihem mirë që do të jem pjesë e një skuadre , e cila është rritur dhe ka përparuar shumë, veçanërisht tanimë që do të luajë për herë të parë edhe në Europë.
Punuat veçmas trajnerëve Tetova e Duro, në planin specifik si portier, më shumë me përgatitësin Taulant Guma. Si ka qenë marrëdhënia e përditshme e punës me të?
E vlerësoj shumë punën e trajnerëve tek Egnatia. Për sa i takon trajnerit tim specifik, Taulant Guma, them se është kënaqësi të punosh me një specialist të ri e me ambicie të mëdha si ai. Ka kërkesë të fortë llogarie për gjithçka që lidhet me punën e portierit. Dhe e dallon edhe praktikimi i një baze materiale bashkëkohore, e cila përdoret enkas nga unë dhe kolegu Puja në stërvitje. Tjetër gjë ka ai në ndeshje. Sigurisht tregon shumë qetësi e maturi. Por pas çdo takimi nisin këshillat. Analiza jonë është e imët, fillon mbi çfarë ka sjellë momenti e pastaj fokusohemi te ndeshja e radhës.
Tifozeria rrogozhinase mori këtë sezon impresione të fuqishme nga skuadra. Keni ndonjë apel për ta?
Pasi fituam Kupën dhe bëmë festën e madhe të trofeut fillimisht në Elbasan e pastaj deri në të gdhirë në Rrogozhinë, u binda sikurse gjatë të gjitha ndeshjeve të sezonit të fundit, se ata (tifozët) e duan shumë skuadrën dhe sakrifikojnë shumë për të. Tani që përfundoi një sezon vërtet i shkëlqyer dhe në kushtet kur për pak ditë do të nisim përgatitjet për Ligën e Konferencës, u them se bashkë me tifozët Egnatia, ka vërtetë të tjera gjëra të mëdha e të rëndësishme për të arritur pasi nga presidenti Agim Demrozi e të gjithë drejtuesit e tjerë, e në mënyrë të veçantë futbollistët, punojnë e luftojnë për një qëllim. Lartësimin e vlerave të futbollit rrogozhinas. Sportdashësit tanë të mrekullueshëm e kanë kuptuar më së miri këtë.
FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"