EKSKLUZIVE/ Flamurtari, një gabim i kushtueshëm! U shpenzuan 1.5 milionë euro për të dështuar, ja kush ishin më të paguarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2023 | 21:51

EKSKLUZIVE/ Flamurtari, një gabim i kushtueshëm! U shpenzuan 1.5 milionë euro për të dështuar, ja kush ishin më të paguarit

Flamurtari dështon me buxhet milionerësh. Vlonjatët kishin në dispozicion plot 1.5 milionë euro për të kapur Superioren, por sërish nuk ia dolën. Edhe Sinan Idrizi nuk u kursye aspak duke plotësuar çdo kërkesë financiare, kodi i famshëm “2023” nuk u realizua. U mundën në finalen e dytë “play off”, pa mundur të kapnin dot ndeshjen me Erzenin.

348667076_963070781706762_2956536327304468800_n

Burime zyrtare nga klubi konfirmojnë për “Panorama Sport” edhe shifrën zyrtare që është shpenzuar këtë vit në Kategorinë e Parë. Në këtë buxhet hyjnë kontratat dhe pagat e lojtarëve, bonuset, trajtimi ushqimor, akomodimi i lojtarëve jashtë Vlorës, në shtëpi dhe hotele, udhëtimet jashtë fushës, si edhe shpenzimet e ndeshjeve në transfertë.

U JOSHËN ME “CASH” – Në nisje të sezonit 2022- 2023, bordi i klubit miratoi buxhetin, që ishte financim tërësisht i kompanive turke, pasi për të tetin radhazi, Flamurtari nuk merr asnjë lek nga buxheti i Bashkisë së Vlorës. Gazeta zbulon se për të “joshur” lojtarët që të nënshkruanin dhe të jepnin maksimumin e tyre për të ngjitur skuadrën, klubi u ka dhënë paradhënie futbollistëve 60% të kontratës.

Pjesa tjetër u është likuiduar gjatë vitit. Ndërkaq, të hënën, teksa u ka dhënë dorën futbollistëve dhe u ka komunikuar pushimet, Sinan Idrizi i ka likuiduar tërësisht. Sipas burimeve pranë presidentit, në nisje të kësaj jave, lojtarëve dhe stafit u është shpërndarë një shumë prej 45 mijë eurosh, që kanë të bëjnë edhe me rrogat e fundit.

MË TË PAGUARIT – Pagat e futbollistëve dhe stafit teknik kanë qenë “marramendëse”, pagesa si të ishin në Superiore. Lojtari më i paguar ka qenë Erik Flores, që ka përfituar 60 milionë lekë në sezon, çka do të thotë plot 6 milionë lekë në muaj. Lojtarët më të paguar kanë qenë edhe Igor Uanderon da Silva dhe Pedro Augusto, që kanë përfituar nga 5 deri në 6 milionë lekë në muaj. Ndërsa paga mujore e lojtarëve të tjerë ka vijuar nga 3 në 4 milionë lekë. Ndërkohë që lojtarët e stolit kanë përfituar në muaj nga 2 milionë lekë.

shpenzimet (1)

NISIN “SKARCIMET” – Në Vlorë nis operacioni “fshesa”. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se 6 lojtarë nuk do të jenë zyrtarisht pjesë e Flamurtarit në sezonin e ri. Erik Floresit i ka përfunduar kontrata, por klubi është zhgënjyer prej tij dhe nuk ka në plan ta mbajë. Edhe pse ishte më i paguari, ai nuk e justifikoi këtë gjë. Madje, trajneri Diego Longo e çoi deri në tribunë. Edhe pse erdhi si “yll”, nuk rezultoi i tillë.

Por klubi prishi kontratën edhe me disa lojtarë të tjerë. Kështu, të parët që largohen janë Igor Uanderon da Silva, Luis Karlos dos Santos Amorim, Amidou Fernando Armando dos Santos, Pedro Augusto dhe Emanuel Mensah. Klauzola në kontratë, që nëse nuk arrinin objektivin do të largoheshin, ka hyrë në fuqi për ta. Por lista e “skarcimeve” është e gjatë, ndërkohë që asnjë nuk e ka vendin të sigurt. Pjesa më e madhe do të largohen.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"