EKSKLUZIVE/ Flet trajneri i ri i Bylisit, Ziu: E them pa frikë, meritojmë elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2023 | 17:10

EKSKLUZIVE/ Flet trajneri i ri i Bylisit, Ziu: E them pa frikë, meritojmë elitën

Febron Ziu “zbërthen” Bylisin. Ka ardhur me ide të qarta në Ballsh, ta rikthejë ekipin në elitën e futbollit shqiptar. Ka gati dy javë që ka nisur rrugëtimin në stol, por nuk ka preferuar që të flasë në media. E megjithatë, vendosi që të thyejë heshtjen.

febron ziu

Dhe zgjodhi “Panorama Sport” për të dhënë të parën intervistë. Trajneri vlerëson grupin që ka gjetur, por mbi të gjitha filozofinë e klubit. E thotë me bindje se ballshiotët janë një hap para rivalëve në çdo drejtim, ndaj e garanton që tani kalimin në Superiore…

Prej 10 korrikut morët drejtimin e Bylisit, por si kanë shkuar këto ditë stërvitjeje?
Më së miri. Përtej lodhjes dhe të nxehtit, po vazhdojmë me angazhim maksimal stërvitjen.

Pse zgjodhët pikërisht Bylisin për të vijuar karrierën si trajner në Shqipëri?
Zgjodha Bylisin, sepse ka një koncept dhe një mënyrë të veçantë në ndërtimin e një klubi. Mbështet talentet dhe lojtarët e moshave, të cilët gradualisht i atashon në skuadrën e parë. Më josh edhe mënyra që kanë në lojë. Kanë të njëjtën ide me mua për të fituar një ndeshje.

Dhe cila është ajo?
Rruga më e shkurtër për ta fituar një ndeshje, është të interpretosh mirë lojën sulmuese dhe mbrojtëse, me dhe pa top. Pra, të luash mirë dhe bukur futboll! Kështu jo vetëm që shkojmë te rezultati pozitiv, por edhe fitojmë dashamirësinë e atyre që na ndjekin.

Si e gjetët skuadrën?
Bylisin nuk e kisha të panjohur, më besoni. Për shkak të asaj që përmenda më lart, e kam ndjekur edhe më herët. Më ka tërhequr gjithnjë mënyra se si i interpretonin ndeshjet. Me të njëjtën filozofi do të vijojmë edhe bashkë. Do të shfrytëzojmë të gjitha kapacitete tona, për të shkuar aty ku të gjithë në këtë klub duan. Për momentin ia lemë vendin punës…

Bylisi synon ngjitjen, por gara është ashpërsuar shumë edhe prej formulës së re. I keni marrë masat?
I kam ndjekur edhe ekipet e tjera, por Bylisi ka diçka ekstra. Nuk e them se unë jam trajneri, por e ka dëshmuar se di të diktojë. Jemi duke folur për një klub që investohet për të pasur rezultate sportive, por edhe shitur lojtarë. Në këtë formë është duke sfiduar edhe ekipe të mëdha.

Bylisin e shihni në elitë?
E them pa frikë, Bylisi meriton që të jetë në Superiore.

Të ndalemi pak edhe te merkatoja, pasi ende nuk keni nisur me afrimet. Ku do të ndërhyni?
Jemi në diskutime. Duke pasur parasysh edhe ndonjë largim, do të bëjmë afrimet e duhura. Do të jenë lëvizje të menduara mirë, konform kërkesave, nevojave që kemi dhe mbi të gjitha politikave të klubit.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"