EKSKLUZIVE/ “Gati 4 goditje të mëdha”, presidenti Bardhi sheh një Dinamo ndryshe: Dua lojtarë fanelle

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2023 | 9:47

EKSKLUZIVE/ “Gati 4 goditje të mëdha”, presidenti Bardhi sheh një Dinamo ndryshe: Dua lojtarë fanelle

Adrian Bardhi sheh një Dinamo ndry she në Superiore. Ai shpreson shumë që kjo të jetë “e treta, e vërteta”, pas zhgënjimit të madh të rënies nga elita një vit më parë, por edhe pas vështirësive të sezonit aktual. Edhe pse blutë e arritën objektivin kryesor të rikthimit mes më të mirëve të futbollit shqiptar, pritshmëritë e presidentit ishin të tjera. Sidoqoftë, optimizmi nuk i mungon. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai zbulon synimet në merkaton e verës dhe riorganizimin e klubit.

bardhi-dinamo

RIORGANIZIMI- Planet i ka të qartë dhe këtë herë nuk dëshiron që tifozët të zhgënjehen. Mësimet i kanë nxjerrë nga gabimet e së shkuarës dhe kjo i jep shpresë.

“Do të jemi sërish në Superiore sezonin tjetër dhe uroj që vërtet të jetë ‘e treta, e vërteta’. Ne po punojmë për të ardhmen e Dinamos dhe tifozëve, të cilët dua t’i falënderoj për mbështetjen. U premtoj se do të përpiqemi të bëjmë gjithçka për skuadrën që duan ata dhe ne. Kompleksi ynë i ri, ku shpresoj shumë që skuadra të stërvitet aty në korrik, do të na japë një dorë me siguri në riorganizimin e klubit. Do të afrojmë njerëz profesionistë dhe kompetentë në klub. Jam duke menduar për një drejtor teknik për Dinamon, një njeri që mund ta ndihmojë klubin në të ardhmen. Dua të theksoj se edhe vetë personalisht do të jem 100% afër skuadrës dhe klubit, gjithmonë në krye të detyrës. Kemi marrë mësimet e duhura nga dy sezonet e fundit”, – ka thënë fillimisht për gazetën numri një i klubit kryeqytetas. 3-4

GODITJE- Merkatoja është edhe tema më e nxehtë e diskutimit, sidomos për një skuadër që vjen nga një kategori më e ulët në elitë. Niveli është tjetër dhe blerja e lojtarëve me kualitet është e domosdoshme.

Presidenti pranon se klubi po punon në këtë drejtim për të fuqizuar skuadrën dhe se do të jenë të paktën 3-4 goditje të mëdha. Por për merkaton, Bardhi ka edhe një merak tjetër.

“Patjetër që Dinamo do të përforcohet në Superiore. Të gjithë pyesin për merkaton, se cilët janë emrat që do të vijnë, por unë do të thosha se dua lojtarë fanelle te Dinamo, në radhë të parë. Pra, nuk është shumë çështje leku dhe pagese në këtë mes, dua lojtarë që të jenë të vetëdijshëm se çfarë përfaqësojnë dhe ta shohin bashkëpunimin mes nesh më shumë se një raport pune. Dua lojtarë që të vlerësojnë dhe sakrifikojnë për fanellën e Dinamos. Sapo të mbyllet kampionati ne do të fokusohemi te lojtarët që i duhen kësaj skuadre për të qenë të denjë në Superiore. Kohë ka, por edhe nuk ka. Mund të them se do të jenë me siguri 3 ose 4 blerje të rëndësishme, në ato pozicione ku Dinamo ka nevojë. Do të jenë lojtarë që do të udhëheqin skuadrën në kampionat, ndërkohë që do të ketë edhe afrime të tjera për të kompletuar grupin. Për emra konkretë është shumë shpejt të flasim”, përfundoi i pari i klubit dinamovit. Merkatoja e verës te blutë do të prekë të gjithë repartet e skuadrës, duke nisur nga porta e deri te sulmi.

Gazeta mëson se po shihen të gjitha pistat për të bërë përzgjedhjen e duhur të lojtarëve. Prioritet janë ata që e njohin Superioren, por është e pashmangshme që të mos ketë blerje nga jashtë vendit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"