EKSKLUZIVE/ Gjigandi kroat bën “pazar” në Superiore, synohet dyshja e Vllaznisë dhe ylli i Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2023 | 0:04

EKSKLUZIVE/ Gjigandi kroat bën “pazar” në Superiore, synohet dyshja e Vllaznisë dhe ylli i Tiranës

Hajduku i Splitit kërkon të rrëmbejë tre lojtarë nga Kategoria Superiore. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se bëhet fjalë për Florent Hasanin të Tiranës, Fjoart Jonuzin dhe Rejan Alivodën e Vllaznisë. Drejtuesit e skuadrës kroate kanë qenë të pranishëm për të parë nga afër sfidën mes Vllaznisë dhe Tiranës.

vllaznia tirana

Nën shënjestrën e tyre kanë qenë Hasani dhe dyshja Alivoda-Jonuzi. Lojtarët kanë qenë në fushën e lojës në këtë takim, por asnjëri nuk ka mundur të shënojë gol.

Hasani dhe Jonuzi kanë luajtur nga minuta e parë, ndërsa Alivoda vetëm 16 minuta. Të tre futbollistët janë nga më të mirët në Superiore dhe nuk është çudi që të tre të largohen në fund të sezonit kundrejt pagesës.

HASANI – Florent Hasani është golashënuesi i Superiores. Ai ka shënuar 15 gola në kampionat. Vlera në merkato është 400 mijë euro, ndërsa ka shënuar 17 gola, ka dhënë 7 asiste, si dhe ka qenë në fushën e lojës 2856 minuta. Është një nga lojtarët më të kërkuar të Tiranës. Futbollisti ka disa oferta nga kampionati azerbajxhanas dhe ai turk.

hasani

JONUZI – Fjoarti është 26 vjeç. Luan mesfushor dhe e mira e tij është se kontrata i mbaron në 1 korrik. Lojtari më qëndrueshëm i Vllaznisë me 37 ndeshje dhe 7 gola. Është ende i ri dhe vlera e merkatos është 325 mijë euro.

jonuzi

ALIVODA – Rejani është zbulimi i sezonit të Vllaznisë. Vetëm 19 vjeç, Alivoda u aktivizua nga Josa në shumë ndeshje titullar. Ka 34 takime në këmbët e tij, ka shënuar një gol si dhe është aktivizuar në çdo kompeticion. Vlera shkon në 300 mijë euro.

alivoda

Nëse lojtarët shiten, për skuadrat shqiptare do të ishte diçka e mirë, por si Vllaznia e Tirana do të humbisnin futbollistë të talentuar.

Në stadium, veç atyre të Hajdukut të Splitit kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e klubit të Ferencvaroshit. Hungarezët janë në kërkim të përforcimeve për merkaton e verës dhe po shohin lojtarë, të cilët mund të bëjnë diferencën në radhët e tyre.

Gazeta ka mësuar se emri që kishin piketuar për të cilin kishin zbarkuar në Shkodër, ishte një mbrojtës i bardhebluve, Zhozelin Behiratçe.

Duke parë situatën e futbollistit, i cili është në fundin e kontratës së tij me bardheblutë, përfaqësuesit e klubit hungarez kanë monitoruar lojtarin, të cilin mund ta marrin me parametër zero në fund të këtij edicioni.

Futbollisti 22-vjeçar nga Bregu i Fildishtë është pjesë e Tiranës që nga viti 2020, kur erdhi nga kampionati italian. Bardheblutë janë munduar disa herë t’i rinovojnë kontratën, por nuk kanë gjetur akordin me lojtarin, i cili tashmë do të largohet si futbollist i lirë nga radhët e kryesuesve të Superiores.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"