EKSKLUZIVE/ Golashënuesi më i mirë në Qipro, ja bomberi i ri i Kukësit nëse s’firmos Shkurtaj (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2018 | 23:01

EKSKLUZIVE/ Golashënuesi më i mirë në Qipro, ja bomberi i ri i Kukësit nëse s’firmos Shkurtaj (VIDEO)

Kukësi nuk ka arritur ende të firmosë kontratën me Vasil Shkurtajn, paçka se dy klubet (Kukësi dhe Luftëtari) kanë arritur marrëveshjen për shitjen e sulmuesit (70 mijë euro në arkën e gjirokastritëve). “Panorama Sport” mëson se palët janë në negociata të avancuara, por shkas për zvarritjen e transferimit është bërë rritja e kërkesave të Shkurtajt.

berat sadik

Mësohet se shtatlarti me origjinë nga Vlora që prej dy sezonesh është pjesë e Luftëtarit, nuk ka rënë dakord për disa pika të kontratës dhe ka vënë si kusht ndryshimin e tyre. Shkurtaj merr një pagë prej 6.2 milionë lekësh të vjetër në muaj te Luftëtari, ndërsa Kukësit i ka kërkuar 9 milionë lekësh të vjetër në muaj. Më shumë se paga, duket se palët s’janë në një mendje për disa klauzola, penalitete dhe bonuse.

berat sadik skeda

Që pas ndeshjes Luftëtari-Partizani, sulmuesi ka udhëtuar drejt Greqisë, aty ku jeton edhe familja e tij. Mirëpo, pritet që brenda këtyre ditëve të kthejë një përgjigje përfundimtare. Te Kukësi janë të bindur se do të firmosë, por asgjë nuk mund të quhet e sigurt. “Me çmimin që morëm Shkurtajn, ne kishim gati një sulmues nga Qipro. Por duke qenë se nuk është i huaj, zgjodhëm që të merrnim Shkurtajn. Bëhet fjalë për një lojtar që ka bërë shumë gola”, deklaroi pak ditë më parë presidenti Safet Gjici.

Por, dje “Panorama Sport” zbuloi ekskluzivisht se bëhet fjalë për sulmuesin shqiptar nga Maqedonia, Berat Sadik, i cili është aktualisht golashënuesi më i mirë i Superligës qipriote. 32-vjeçari që ka nënshtetësi finlandeze është pjesë e skuadrës Doksa Katokopia dhe në 11 ndeshje ka realizuar 12 gola në pjesën e parë të këtij sezoni.

Sulmuesi që ka luajtur edhe me kombëtaren e Finlandës, e gjithashtu për skuadra si Arminia Bielefeld në Bundesligë, Zulte në Belgjikë dhe Thun në Zvicër, ka pranuar të futet në bisedime me Kukësin dhe i ka pëlqyer oferta. Mirëpo, në këtë moment gjithçka është pezull prej Shkurtajt. Nëse vlonjati refuzon, atëherë Berat Sadik me shumë mundësi do të jetë goditja e Kukësit.

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"