EKSKLUZIVE/ Hadroj bën gati valixhet, Partizani e gjen zëvendësuesin brenda Superiores
Andi Hadroj është një nga lojtarët, që pritet të largohen nga Partizani në këtë verë për shkak të ofertave të mbërritura në adresë të klubit të kuq. Për t’i paraprirë këtij largimi, Partizani ka shënjestruar disa emra në listë dhe “Panorama Sport” mëson se një prej tyre është edhe Geralb Smajli.
21-vjeçari, veçanërisht në sezonin e fundit, ka treguar se është një nga talentët më premtues të difensivës dhe kjo ka bërë që, për të, të ngjallet një interes konkret. Burime pranë Partizanit bëjnë me dije se kanë kontaktuar palën e lojtarit në lidhje me interesin e tyre, duke i bërë me dije se do ta preferonin në ekip në sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, ky rast nuk është shumë i thjeshtë, pasi Smajli ka kontratë afatgjatë me Vllazninë, deri në verën e vitit 2026. Kjo e bën marrëveshjen mjaft të vështirë, pasi vetëm një blerje do ta bashkonte mbrojtësin e djathtë me Partizanin. Fillimisht mbetet për t’u parë nëse Vllaznia është e gatshme ta shesë dhe nëse po, mbetet për t’u mësuar kërkesa e shkodranëve.
Në lojë pritet të hyjë edhe dëshira e lojtarit, që do të kishte dëshirë të transferohej në një skuadër, ku mund të kishte më shumë reklamë dhe Partizani ia mundëson, sepse luan në Champions League, por edhe në vitin e fundit është shquar për shitjet e lojtarëve. Nga ana tjetër, “demat” janë një klub, që u japin më shumë hapësira të rinjve dhe atje Smajli mund të luante më shumë minuta. Për ta bërë më kompleks këtë operacion ka menduar Tirana dhe Egnatia, që gjithashtu janë të interesuara.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"