EKSKLUZIVE/ “I lumtur që do të luaj në vendlindje”, Bruno Lulaj: Elbasani, me synime madhore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2024 | 19:23

EKSKLUZIVE/ “I lumtur që do të luaj në vendlindje”, Bruno Lulaj: Elbasani, me synime madhore

Bruno Lulaj ishte i pari që u zyrtarizua nga Elbasani në këtë merkato vere, pas disa tentativave në sesionet e kaluara të merkatos, ku nuk ishte arritur deri në arritjen e një marrëveshjeje.lulajMe një mbrojtës potent dhe një mori trofesh mbi supe, verdheblutë shpresojnë që eksperienca e 29-vjeçarit në prapavijë të zgjidhë problemet e sezonit të kaluar. Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i Tiranës e konsideron si një kthim në vendlindjen e tij, ku është pritur ngrohtë nga tifozët dhe shokët e ekipit. Lulaj është në sinkron me klubin për sa u përket objektivave të këtij sezoni, të cilat janë madhore. Si një “ekspert” i Superiores, mbrojtësi nuk përmend cilët do të jenë rivalët e Elbasanit, pasi sipas tij, në elitë të gjithë janë rivalë dhe meritojnë të njëjtin respekt.

Bruno, jeni afrimi i parë i Elbasanit në merkato. Si ndiheni?
Normalisht që ndihem shumë mirë, jo vetëm për këtë fakt. Kam ardhur në vendlindje dhe jam i lumtur që do të përfaqësoj ngjyrat e qytetit tim, Elbasanit.

Çfarë ju bindi që kësaj here ta pranonit ofertën e Elbasanit?
Të them të drejtën, nuk ishte e vështirë të pranoja ofertën e Elbasanit, duke parë objektivat dhe ambiciet e ekipit, të cilat lidhen me një plan afatgjatë dhe baza të forta. Do të doja të falënderoja administratorin, presidentin dhe drejtorin për mundësinë e dhënë dhe besimin që patën tek unë. Detyra ime është t’ua shpërblej të gjithëve duke dhënë gjithnjë maksimumin në fushën e lojës.

Si ju kanë pritur tifozët dhe shokët?
Pritja ka qenë vërtet shumë e ngrohtë, si nga ana e tifozëve dhe shokëve të ekipit. Dihet që në Elbasan është një ambient që krijon një lidhje të veçantë me futbollin dhe kjo e ka bërë ambientimin tim shumë më të shpejtë dhe të thjeshtë.

Çfarë do të synoni këtë sezon me Elbasanin?
Siç e përmenda edhe më lart, Elbasani i ka objektivat e qarta dhe madhore. Ne do t’i tregojmë në fushë ambiciet tona javë pas jave, me punë, përkushtim dhe sakrificë.

Cilët mendoni se do të jenë rivalët tuaj këtë sezon?
Mendoj se të gjitha ekipet janë të vështira në Superligën shqiptare dhe të gjitha meritojnë respekt dhe vlerësim maksimal. Ne do të shohim vetëm punën tonë dhe do t’i marrim ndeshjet më radhë. Do punojmë fort që të arrijmë objektivat që ka klubi dhe të kënaqim tifozët që do të na ndjekin.

Po përshtateni me trajnerin e ri në skuadër?
Po, jemi përshtatur shumë mirë me profesorin. Po marrim ngarkesat e duhura edhe po futemi pak e nga pak në filozofinë e tij.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"