EKSKLUZIVE/ “Jam skeptik për një kualifikim me gjeorgjianët”, Dabulla: Tirana po humbet identitetin, vijon me eksperimente (E PLOTË)
Rezart Dabulla është nga ata ish-lojtarë që i dhemb Tirana. Mbrojtësi që ka luajtur për shumë vite me bardheblutë ka folur në një intervistë për “Panorama Sport” në lidhje me situatën aktuale të Tiranës, lëvizjet e shumta.“Dabi” (siç thirrej shkurt) analizon atë që ka ndodhur me 26 herë kampionët e vendit, për vendimet që kanë marrë drejtuesit si edhe për dy ndeshjet e Ligës së Konferencës me Torpedon.
Dabulla, lëvizje të shumta te Tirana, le të ndalemi pak tek afrimet, ju bindin?
Si sasi, ka afrime lojtarësh me shumicë, por duhet parë cilësia e tyre. Sepse nuk e dimë sa kanë luajtur, sa kohë kanë qenë pushim, sa ndeshje kanë gjatë vitit, sa gola kanë shënuar ata që janë sulmues, këto nuk janë afishuar nga klubi. Duhet parë në vazhdimësi, përpara janë dy ndeshje të vështira. Nuk është e lehtë, për mua Tirana është ende kantier i hapur ndërtimi dhe se çfarë do të ndërtohet, do e shohim në fund dhe duhet të presim.
Vjet Tirana bëri një merkato të frikshme në emra, ndërsa tani ka marrë lojtarë që nuk i njohim, ndoshta kjo strategji mund të jetë e qëlluar?
Vjet vërtet pati merkato me emra të mëdhenj, por në fund dështuan të gjithë. Asnjëri nga ata nuk shkëlqeu, ndoshta për faktorë të ndryshëm nuk bënë një grup që të funksionojë me njëri-tjetrin. Tirana nuk kishte ekip dhe në Kupat e Europës duhet të falënderojmë Egnatian që jemi. Për mendimin tim, drejtuesit duhet të ishin ulur dhe menduar, të bënin analizë pse dështuam, ku dështuam, kush lojtarë ishin të duhur dhe këtë vit të mos bëheshin ato gabime. Tani kanë ardhur lojtarë të tjerë dhe mua më duket shumë e vështirë të formosh një ekip nga fillimi, ku një pjesë e mirë janë të huaj që nuk njohin as kampionatin dhe as mentalitetin e klubit. Ke edhe lojtarë të rinj, trajner të ri, drejtor i ri dhe të gjithë pa u provuar. Në këtë aspekt unë e shoh të vështirë, por shpresoj që të bëjnë mirë.
Hoxhallari, Najdovski, Lulaj, Lushkja, Deliu, Latifi, Patrik, Abazaj, cilin nga këta Dabulla do ta mbante ende te Tirana?
Unë Abazajn do të mbaja. Sigurisht jo me të njëjtën rrogë dhe nuk e ka justifikuar atë lloj pagese. Si cilësi ai ka dhe Tirana mund të bënte një sforco për ta mbajtur. Duke ia shpjeguar kushtet dhe me një kontratë tjetër, do të doja që të qëndronte. Pjesa tjetër jo, mbrojtja sidomos. Të jesh ekipi i dytë që ke pësuar më shumë gola në kampionat. Sa pësoi Tirana vjet, kur luaja unë i pësonim në tre-katër kampionate bashkë. Duke parë edhe nga ana ekonomike, një mbrojtje me rroga të larta dhe të paraqitesh në atë lloj mënyre.
Ndryshim ka pasur edhe në stol, iku Fagu dhe tani ekipin e drejton Shkëmbi, çfarë duhet të ketë parasysh trajneri i ri?
Tirana është emri më i madh i kampionatit shqiptar dhe duhej menduar mirë punën e trajnerit. Vjet u bënë eksperimente, që pas ikjes së Shehit, pastaj e Ahmatajt dhe Fagu. Mu duk si i parëndësishëm ai vendi i trajnerit. Për mua, trajneri i Tiranës duhet të jetë një person i kualifikuar që ka dhënë e treguar që di të fitojë trofe, ose e ka marrë në vend të pestë ekipin dhe e ka çuar në vend të dytë të paktën. Edhe kjo e Shkëmbit është një eksperiment. Kam dëgjuar që Serse Kozmi i është ofruar, por për mua duhet të ishte menduar mirë. Një trajner me emër të fortë dhe të tregosh që je serioz dhe jo një që të drejtojë disa javë. Tani, se çfarë vlerë do të tregojë trajneri mbetet për tu parë. Nuk kanë rëndësi miqësoret në fazë përgatitore sepse ato shërbejnë vetëm që të shihen lojtarët, për të fituar formë fizike.
Përpara janë dy ndeshje me Torpedon, sa shanse ka Tirana për ta kaluar këtë kundërshtar?
Unë do të pretendoja që të shikoja fillesat e një ekipi dhe nuk mendoj se mund ta kalojmë Torpedon duke parë gjithë këtë kantier që kemi ngritur. Nuk pretendoj se ky “kantier” do të bëhet një shtëpi e bukur për pak kohë, nuk bëhet dot, por shpresoj që të kenë hedhur themele të forta. Shpresoj dhe dua që ta kalojmë Torpedon, por duke parë me logjikë të ftohtë, nuk kam shumë pritshmëri. Do doja që të zhgënjehesha nga kjo që po them, të jem unë i gabuari. Deri tani ne jemi të parët që kemi larguar dhe marrë më shumë lojtarë se kushdo skuadër tjetër. Një ekip që ka bërë diçka të tillë në Shqipëri, nuk ka pasur sukses. Ka qenë Dinamo e para tri viteve që e bëri ekipin nga e para, me të njëjtin trajner dhe në fund të kampionatit doli nga kategoria. Disa mund të thonë fati, disa faji i lojtarëve se nuk u impenjuan, por është emër i madh i kampionatit shqiptar dhe harxhoi shumë para për atë gjë. Nuk do të uroja kurrë që të na ndodhte ne sepse të gjithë do të ulërinin dhe do të vinin duart në kokë.
Çfarë ka ndryshuar nga Tirana juaj dhe kjo aktuale?
Në vitet e fundit Tirana është bërë një klub normal dhe nuk ka asnjë ndryshim nga të tjerët. Ka qenë shumë ndryshe dhe tani ja kanë ulur vlerën. Flas kështu sepse kur kanë ulur vlerën e klubit, kanë ulur edhe vlerën time, prandaj jam i mërzitur dhe i frustuar nga kjo pjesë dhe më djeg. Kur ke këtë klub dhe në vend t’ia ngresh vlerat, ti ia ul. Duhen gjetur njerëzit e duhur për të bërë atë punë. Jo njerëz se është shoku i këtij dhe miku i atij. Duhen njerëzit e aftë, nuk mund të bëhet një pallat kur inxhinieri nuk është i aftë apo arkitekti, se të del çatia shtrembër.
Me shumë mundësi Tirana do të luajë jashtë qytetit ndeshjen e kthimit, a është e drejtë kjo?
Normalisht tifozët duan të kenë shtëpinë e tyre. Unë kam parë që ata nuk kanë qenë të kënaqur sepse edhe ata e ndjejnë këtë pjesë. Nuk mund ta mbushësh klubin me lloj-lloj njerëzish sepse kur fut njerëz pa identitet brenda, edhe ti vet humbet identitetin. Tiranës ia kanë holluar identitetin të gjithë këta anonimë që kanë ardhur. Jo vetëm këtë vit, por disa vite bashkë. Tifozët e ndjejnë këtë dhe e vuajnë, i shohin lëvizjet në klub dhe i kuptojnë të gjitha.
A do të ishit i gatshëm të ktheheshit te Tirana një ditë?
Unë nuk e kam pasur asnjëherë derën mbyllur, është klubi im, ekipi i zemrës. Sa kam pasur mundësi e kam ndihmuar klubin, edhe këto mendime që kam thënë nëpër media, nuk i kam kritika se kam për të përfituar diçka personalisht. Vetë nuk dua të përfshihem, por dua që Tirana të vazhdojë të mbetet ende klubi më i mirë në Shqipëri. Nuk dua të përfshihem sepse nuk do të jem më ky që jam. Mendoj se e ndihmoj klubin më shumë nga ky pozicion ku jam, duke ia thënë të vërtetën në sy për atë që është e gabuar. Jo për të sharë e kritikuar, por ata që kanë vesh le të marrin diçka sepse klubi është edhe i joni, është i të gjithëve.
KRISTI SEJTLLARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"