EKSKLUZIVE/ Javë vendimtare, tek Skënderbeu presin të mbyllin marrëveshjen për dy futbollistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2024 | 11:40

EKSKLUZIVE/ Javë vendimtare, tek Skënderbeu presin të mbyllin marrëveshjen për dy futbollistët

Skënderbeu po vijon punën për mbylljen e disa prej tratativava që janë hapur që në sezonin e rregullt dhe duket se çdo gjë po shkon drejt finalizimit.

SKENDERBEU

Duket se korçarët janë të përqendruar fillimisht te merkatoja në dalje, merkato e cila ka marrë përmasa tejet të rëndësishme për bardhekuqtë, sidomos pas shitjes së Frenklin dhe Xhantu, njëri tek Astana dhe tjetri te Soderjyske në Danimarkë. Duket se kjo javë që vjen do të jetë vendimtare dhe përcaktuese ndoshta edhe për dy futbollistë të tjerë të Skënderbeut. Bëhet fjalë për Dean Liçon dhe Ermir Rashicën dy xhevahire tejet të kërkuar në merkato nga ekipet e tjera.

Bisedimet s’kanë ndalur gjatë gjithë këtyre javëve dhe duket se jemi në momentin përfundimtar kur palët po diskutojnë për oferta konkrete. Burime të sigurta në klub bëjnë me dije se pritet që këtë javë zhvillimet të marrin të tjera përmasa dhe mbi të gjitha mund të përmbyllet edhe ndonjë marrëveshje mes palëve. Klubi që vijon të jetë i interesuar për Rashicën dhe Liçon mbetet sërish Cluji në Rumani, i cili ka parë nga afër të dy futbollistët në ndeshjet finale kundër Partizanit dhe Vllaznisë. Drejtuesit e Clujit janë duke biseduar vazhdimisht me drejtuesit e Skënderbeut dhe menaxherët e lojtarëve për të mbyllur gjithçka brenda këtyre ditëve. Ndërkaq nga ana tjetër burimet bëjnë me dije se në Korçë nuk flitet vetëm për Clujin.

Klubi bën me dije se janë edhe ekipe të tjera që kanë interes për shërbimet e Rashicës dhe Liços. Klube që për momentin mbahen sekret dhe nuk kërkojnë të bëjnë me dije emrat e të interesuarve. Pritet që kjo verë të jetë e nxehtë për Skënderbeun dhe drejtuesit e klubit korçar po mundohen që të mbyllin gjithçka në kohë rekord me qëllim që të kenë më pas kohën e nevojshme për të rindërtuar ekipin me elementët e rinj që do të bashkohen trajnerit Ivan Gvozdenoviç.

Afrimet – Nëse për largimet klubi ka oferta të rëndësishme që mund të mbyllen shumë shpejt për disa lojtarë e kundërta ndodh për afrimet. Skënderbeu është duke studiuar disa lojtarë dhe duke parë nga afër se çfarë mund të shërbejë më shumë trajnerit Ivan Gvozdenoviç për sezonin e ri. Prandaj në kushtet kur klubi ka marrë si dënim bllokimin e merkatos për afrimin e lojtarëve të rinj gjithçka po mbahet nën fshehtësi të plotë.

Burimet në klub tregojnë se është arritur marrëveshja me Qardakun e Vorës dhe pritet që shumë shpejt të prezantohet si afrim i parë sapo të bëhet e mundur zhbllokimi i merkatos. Për këtë klubi po pret të ardhura nga transferimet e dy lojtarëve për të kompletuar dëmin financiar që i ka shkaktuar bllokim të afrimeve për tri hapësira transferimi. Vetëm pasi të zhbllokohet gjithçka do të vijnë edhe prezantimet zyrtare të lojtarëve, të cilët do të jenë pjesë e Skënderbeut në sezonin e ri.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"