EKSKLUZIVE/ “Jemi më të fortët në letër”, Shehi zbulon portierin që zëvendëson Selmanin: Shtyrja na prish punë, duhet të luajmë si me turqit (E PLOTË)
Orges Shehi është i bindur se Ilion Lika është i duhuri për të mbrojtur portën derisa të kthehet Gentian Selmani. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Shehi pranoi se shtyrja e kampionatit ngatërron pak planet e tij për javën e parë. Qartëson se Tirana do të luajë dy miqësore, si dhe deklaron se bardheblutë janë ekipi për t’u mundur këtë sezon. Këtë e bazon tek organika dhe paraqitja që bëri skuadra e tij në Europë, ndaj Dinamos së Batumit dhe Beshiktashit.
Zoti Shehi, Europa mbaroi për Tiranën. Në momentin që prisnit të fillonte kampionati është vendosur shtyrja me një javë. Keni një vlerësim për këtë fakt?
Europa mbaroi. Ne si skuadër ishim përgatitur që kampionati të niste më 19 gusht. Na shtohet edhe një javë tjetër stërvitje. Për Tiranën do të ishte më mirë që kampionati të niste në datë tjetër. Në këto kushte do të na duhet të programojmë edhe një miqësore tjetër për të qenë gati më 26 gusht.
Meqë dolët te miqësoret. Me cilat skuadra do të luajë Tirana këto dy javë stërvitje?
Po kemi saktësuar dy miqësore para këtij kampionati. Kemi një miqësore me Vllazninë këtë javë dhe një me Elbasanin, javën e ardhshme.
Selmani është dëmtuar dhe operuar. Tani nuk do ta keni në ekip për shumë kohë. Tani çfarë do të ndodhë?
Për mendimin tim është fatkeqësi jona. Më vjen shumë keq për dëmtimin e Selmanit. Shpresojmë që të rikthehet sa më shpejt. Pas operacionit kam bërë një bisedë të gjatë. Gjithçka ka shkuar shumë mirë. Deri të premten do të qëndrojë në spitalin ku ka bërë ndërhyrjen. Gjatë këtyre javëve do të shohim edhe për fazën e riaftësimeve ose kohën që duhet. Shpresojmë që të jetë sa më e pakët, pasi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne.
Tani me këtë problem, do të ndërhyhet në merkato apo do të vazhdohet me portierët që keni?
Personalisht nuk mendoj se duke pasur Likën një portier me eksperiencë, plus Kozin dhe Kirin, ne të hyjmë në merkato. Për të hyrë në merkato nuk duhet të nxitojmë, por do të shohim si do të shkojë gjendja e Gentit. Këto ditë mjekët do të na thonë sa është koha e riaftësimit. E thashë, kemi Likën në portë dhe për momentin nuk do të gjejmë zëvendësues për Gentin. Shpresojmë që ai të kthehet sa më shpejt dhe më i fortë.
Pas Beshiktashit thatë që steka u rrit dhe dua që lojtarët të luajnë si ndaj turqve?
Tani kjo është puna më e vështirë në futboll. Për të mbajtur mentalitetin, ritmin, grintën e duhur përballë çdo lloj kundërshtari. Për trajnerët është kollaj që të përgatisë dhe karikojë skuadrën. Është një lloj ndeshjeje derbi. Këto ndeshje që do të na vijnë duhet të jenë me të njëjtën ritëm, grintë dhe dëshirë, që të përmirësohemi.
Tirana në letër është skuadra për t’u mundur këtë sezon. Po cilët janë kundërshtarët e Tiranës?
Ne kemi ndërtuar një skuadër shumë të mirë. Një skuadër me alternativa. Kemi marrë lojtarë që kanë cilësi dhe në letër jemi të fortë. E kemi treguar edhe në Kupat e Europës, ndonëse kishim në dispozicion shumë pak kohë. Shpresoj dhe besoj që aq më shumë kalon kohë aq më shumë ekipi lidhet. Konkurrentët tanë janë ata që dihen. Do të shohim se si do të ecë sezoni, pasi formati është ndryshe.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"