EKSKLUZIVE/ Ka akord mes palëve, një mbrojtës brazilian pranë Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2024 | 10:21

EKSKLUZIVE/ Ka akord mes palëve, një mbrojtës brazilian pranë Dinamos

Me largimin e Zhoselin Behiratçes dhe shitjen e Alesio Mijës, Dinamo ka aktualisht në dispozicion dy mbrojtës qendre, Rustem Hoxhën dhe Stivian Jankun, ndërsa në provë është Serxhio Xhika.fjNë një situatë të tillë, blutë kanë nevojë për përforcime në këtë sektor dhe drejtuesit e klubit po punojnë për të afruar lojtarë me kualitet për prapavijën. Ata kanë parë alternativa të ndryshme gjatë kësaj kohe dhe tani duket se janë pranë përforcimit të parë për mbrojtjen.

“Panorama Sport” zbulon se shumë afër Dinamos është qendërmbrojtësi brazilian, Gustavo Moreno de França. Bëhet fjalë për një mbrojtës 27-vjeçar, që është aktivizuar me disa skuadra në Portugali dhe me Sabail në Azerbajxhan. Me lojtarin në fjalë ka pasur bisedime të avancuara kohët e fundit dhe tashmë duket se është gjetur akordi për veshjen e tij blu. Sezonin e fundit Gustavo França ka qenë pjesë e Tondelës në Portugali, ku gjithashtu ka luajtur për Leiksoesh dhe Lank FCV. Me shumë gjasa, mbrojtësi 27- vjeçar do të mbërrijë javën e ardhshme në Shqipëri për t’u bashkuar me Dinamon. Detajet e tjera do të mësohen kur ai të firmosë kontratën, ndërsa në klubin kryeqytetas kanë bindjen se po afrojnë një element të rëndësishëm për skuadrën e sezonit të ri. Nëse Gustavo França zyrtarizohet te blutë, mbetet për t’u parë, nëse do të kemi ndonjë tjetër afrim për qendrën e mbrojtjes, apo jo. Kujtojmë që në këtë pozicion aktivizohet edhe Bruno Dita, përforcimi i parë i rëndësishëm për Dinamon. Po ashtu, mund të qëndrojë edhe Xhika, nëse arrin ta bindë trajnerin Mehmeti dhe stafin e tij.

KRAHËT – Për krahët e mbrojtjes Dinamo ka aktualisht Jorgo Meksin djathtas dhe Lorran majtas. Që të dy mendohet se do të jenë titullarë të formacionit dinamovit, ndërkohë klubi po punon aktualisht për të gjetur alternativat e tyre. Në një kampionat të gjatë dhe për më tepër për një repart si mbrojtja, lojtarët e të cilit kanë më shumë rrezik ndëshkimi me kartonë, duhen alternativa të mira edhe në stol për të mos pasur probleme. Deri më 20 korrik, kur skuadra do të niset për në Itali, do të jenë bërë edhe këto afrime, me qëllimin që në vendin fqinj të punohet me qetësi të plotë. Dinamo do të luajë disa ndeshje miqësore në Itali, ku trajneri Mehmeti pritet ta ketë grupin thuajse të kompletuar. Merkatoja te Dinamo është e hapur edhe për repartet e tjera. Deri më 20 korrik do të testohen shumë lojtarë, mes tyre edhe të huaj, për të vendosur pastaj se cilët janë të vlefshëm për 18 herë kampionët e vendit.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"