EKSKLUZIVE/ “Kemi përgatitur çdo gjë me detaje”, trajneri Devolli është i bindur: Të gjithë janë gati, Kupën e merr Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2024 | 8:51

EKSKLUZIVE/ “Kemi përgatitur çdo gjë me detaje”, trajneri Devolli është i bindur: Të gjithë janë gati, Kupën e merr Kukësi

Kukësi është gati të bëjë të vetin trofeun e Kupës së Shqipërisë, duke mos iu druajtur aspak faktit se përballë do të ketë ekipin më të mirë të këtij sezoni.

DEVOLLI

Një trofe që do të ishte si shpëtim për blutë, si edhe i pari si trajner i Bledar Devollit. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport” para kësaj ndeshjeje, arkitekti i finales për verilindorët, Bledar Devolli, thekson se Kukësi hyn në fushë për ta dërguar Kupën në shtëpi. Ai ka besim te motivi dhe dëshira e djemve që stërvit, ndonëse jo të gjithë janë në 100% e tyre. Trajneri i Kukësit nuk do ta fusë skuadrën si inferiore në fushë, përpos faktit që rrogozhinasit i kanë mundur te të katërta sfidat e këtij sezoni, ku duket se është përgatitur për çdo situatë loje, edhe nëse shkon me penallti.

Si vjen Kukësi para finales?

Kukësi vjen i plotë, i motivuar dhe me respekt për kundërshtarin dhe veten.

Latë pushim titullarët në ndeshjen e fundit, a janë të gjithë të gatshëm?

Po, të gjithë janë të gatshëm, ndonëse edhe pse jo në 100% e tyre. Shpresoj dhe uroj që të gjithë të japin më të mirën e skuadrës dhe të tyren personale.

Duke pasur parasysh kundërshtarin, a do të luajë Kukësi për ta dërguar ndeshjen në shtesa?

Kukësi do të luajë vetëm për të fituar dhe ngritur lart trofeun. Gjithashtu, për të treguar se këta djem vlejnë shumë më shumë nga ajo që kanë marrë në kampionat.

A jeni përgatitur për penalltitë?

Ne kemi përgatitur çdo gjë me detaje. Di të them që asgjë nuk do të jetë surprizë për ne.

Kukësi është mundur katër herë këtë sezon në kampionat nga Egnatia. Çfarë ju bën optimist se mund të ndryshojë në finale?

Finalet janë një dhe motivi është vetëm një, të luajmë për të shkuar te suksesi. Situata dhe ndeshjet janë të ndryshme, kjo përballje nuk ka lidhje me ato të kampionatit.

Si mund ta fitojë Kukësi këtë trofe?

Kukësi do të bëjë detyrën dhe maksimumin për të ngritur lart trofeun. Ne do të bëjmë atë që dimë të bëjmë. E kam thënë, jo të gjitha varen nga ne, uroj që fati të jetë në anën tonë.

Në aspektin personal, sa e synon Devolli këtë trofe?

Devolli nuk di të bëjë ndryshe, veçse të bëjë maksimumin në çdo ndeshje. Trofeu do të jetë i pari për mua në karrierën si trajner dhe mendoj se ka ardhur për mua momenti që të festoj me një trofe të rëndësishëm.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"