EKSKLUZIVE/ Klubi turk bën ofertë zyrtare për mesfushorin e Partizanit, kongolezi i bën apel klubit
Me zgjerimin e tregut skuadrat e Kategorisë Superiore e kanë shumë të vështirë të mbajnë lojtarët, që shkëlqejnë për shkak të konkurrencës së frikshme, që bëjnë ligat e forta europiane. Burime konfidenciale pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se në tavolinën e presidentit të Partizanit, Gazment Demi, ka mbërritur një ofertë për një nga lojtarët më të mirë të kampionatit, Masanga Matondo.
Mesfushori prej një sezoni e gjysmë shkëlqen me fanellën e kuqe dhe kjo nuk ka kaluar pa u parë nga trajneri i Hatajspor, Volkan Demirel, i cili e ka pikasur kongolezin në derbin e fundit dhe është paraqitur në klubin e kuq me një ofertë prej rreth 250 mijë eurosh.
Kontrata e Matondos përfundon në verën e ardhshme dhe kjo shihet si mundësia e fundit për klubin e kuq për të nxjerrë para nga shitja e tij. Vetë Matondo, me kurorëzimin kampion, ndien se ka ardhur momenti për një hap më të madh në karrierë dhe Superliga turke është një kapërcim gjigant për 23-vjeçarin.
Ai i ka kërkuar drejtuesve të kuq ta mirëkuptojnë dhe të pranojnë ofertën e ardhur nga Turqia, çka do të kënaqte të dyja palët. Paga e Matondos në Turqi do të shkonte rreth 15 mijë euro në muaj, e pakrahasueshme me këtë që merr te Partizani.
Gjithsesi, për momentin klubi i kuq e ka refuzuar shitjen, pavarësisht këmbënguljes së lojtarit. Ata kërkojnë një shifër minimalisht të dyfishuar, teksa nga ana tjetër mundohen edhe të negociojnë rinovimin. Matondo kërkon me këmbëngulje aventurën turke.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"