EKSKLUZIVE/ “Koha që të kuqtë të tregojnë dhëmbët”, Ylli Shehu: Ndaj Vllaznisë ndeshja e vitit, ja pse fiton Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2021 | 20:35

EKSKLUZIVE/ “Koha që të kuqtë të tregojnë dhëmbët”, Ylli Shehu: Ndaj Vllaznisë ndeshja e vitit, ja pse fiton Partizani

Për ish-sulmuesin e të kuqve, Ylli Shehu, ndaj Vllaznisë është ndeshja e vitit për Partizanin, nëse dëshiron të fitojë titullin kampion. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Shehu u bën një analizë dy skuadrave para duelit të nesërm, ku pa dyshim më të favorizuar i shikon “demat”. Ish-sulmuesi tregon se çfarë duhet të bëjë skuadra e Dajës ndaj shkodranëve dhe më pas ndaj Bylisit, ku gjithçka e ka vetë në dorë.

Shehu

Për Shehun është momenti që Partizani të bëjë diferencën dhe të vulosë një vit të suksesshëm, që sipas tij, të kuqtë e meritojnë të dalin kampion. Shpërdorimi i sulmit dhe vonesa e rinovimeve nuk e shqetësojnë ish-sulmuesin, i cili kërkon nga ekipi maksimumin në dy ndeshjet e mbetura, duke mos e pasur mendjen fare te rivalët.

Cili është mendimi i Ylli Shehut për kampionatin e Kategorisë Superiore në këtë sezon të fundit?

Kampionati ka qenë interesant gjatë gjithë kohës, ku disa ekipe kanë treguar forcën. Duhet pranuar edhe fakti se ka pasur gabime nga të gjitha ekipet, që u kanë kushtuar dhe jemi në këtë fund, ku akoma nuk mund të flasim për verdiktet.

Ky rivalitet mund të shikohet si vlerë e shtuar apo si rezultat i mangësive që kanë ekipet?

Një kampionat i barabartë, vetëm Vllaznia u shkëput për një kohë, por më pas çdo gjë erdhi në normalitet. Kemi pasur një luftë të fortë me rokada të shpeshta në renditje, sidomos në javët e fundit ku kryesuesi ka ndryshuar çdo javë. Ndaj, kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi, matematikisht çdo gjë është e hapur për katër skuadrat e para.

Personalisht mbani mend një garë kaq të fortë dhe direkte për titull mes Partizanit dhe Vllaznisë si në këtë sezon?

Realisht nuk më kujtohet një gjë e tillë, por normalisht që është një garë mes dy ekipeve me emër dhe histori në futbollin shqiptar.

Partizani-Vllaznia, a është vendimtare për titullin?

Të dyja ndeshjet e mbetura janë vendimtare, pasi edhe me Bylisin do të jetë jetike, kjo në varësi të objektivave që do të kenë ballshiotët në javën e fundit. Partizani duhet të fitojë patjetër ndaj Vllaznisë nëse mendon seriozisht për titullin. Ky është objektivi i vetëm dhe nuk ka shanse të tjera.

A shikon ndonjërin nga dy skuadrat si më të avantazhuar në këtë sfidë?

Partizani ka qenë më i qëndrueshëm në ndeshjet e fundit, ndonëse la dy pikë në Korçë dhe në derbi, ku dihet se edhe Tirana ishte favorite deri para dy javësh. Për këtë arsye anoj nga të kuqtë.

Meqë është si finale, si mund të fitojë Partizani ndaj Vllazninë apo çfarë duhet të bëjë për të shkuar te trepikëshi?

Mundësisht të bëjë atë që ka bërë më mirë deri tani, lojën e grupit. Partizani duket më mirë fizikisht, në të gjitha repartet, nga mbrojtja në sulm. Pra, i duhet që të vazhdojë punën që ka nisur.

Sipas jush, cilat janë pikat e forta të të dyja ekipeve që mund të vendosin në këtë përballje?

Vllaznia ka elementë dhe shumë pikë i ka marrë në minutat e fundit të ndeshjeve, ndaj e quaj ekip solid, ndonëse është mundur me ekipet e forta. Besoj se tani është radha e Partizanit që të fitojë ndaj shkodranëve dhe të tregojë “dhëmbët”. Është ndeshje vendimtare dhe Partizani duhet të japë gjithçka dhe të marrë atë që i vlen.

Por, Partizani nuk e ka mundur në asnjë nga tri përballjet e fundit…

Normal, është momenti për të bërë diferencën. Në tri fazat e para ndaj Vllaznisë, Partizani ka shpërdoruar shumë. Tani duhet të kthehen me këmbë në tokë për të fituar dy ndeshjet e mbetura.

Të dyja ekipet kanë mungesa, Asani te të kuqtë dhe Isaevski te Vllaznia. Cili mendoni se do të peshojë më shumë?

Vllaznia nuk e ka stolin e Partizanit. Të kuqtë duken më të kompletuar, ndërsa shkodranët në disa ndeshje kanë paguar mungesën e lojtarëve, madje edhe të Isaevskit kur pati probleme. Partizanin e shikoj të dubluar, jo se nuk peshon mungesa e Asanit, i cili është një nga lojtarët më të mirë dhe me vlera të Superiores. Gjithsesi, Partizani ka elementë të tjerë që mund ta zëvendësojnë Asanin, qoftë edhe për një ndeshje. Duhet pranuar se ekipi është mësuar me lojën e tij dhe vetë ecuria ka qenë bazuar në paraqitjen e tij.

ylli-shehu

Në derbi Partizani luajti në sulm që në fillim dhe nuk ia doli, ndërsa me Teutën e nisi në pritje dhe triumfoi. Si duhet të luajë ndaj Vllaznisë?

Nuk mund të thuash kështu, pasi ato janë faza të lojës. Këto janë ndeshje finale dhe vendimtare ku nuk mund të jesh 90 minuta perfekt. Këto janë ndeshje ku vlen trepikëshi dhe jo loja që mund të bësh. Pra, duhet të dish të ruhesh prapa, të sulmosh, por ndeshjet shkojnë edhe në varësi të kundërshtarit që ke përballë.

Varet edhe nga gabimet që bëjnë lojtarët, ku deciziv është kujdesi nga mbrojtësit. Kjo është një ndeshje ku të gjithë duhet të japin maksimumin. Është ndeshja e vitit për Partizanin. Nëse janë lodhur gjithë vitin, i bie që ndaj Vllaznisë t’i vënë vulën dhe të fitojnë, pasi nuk ka rrugë tjetër.

Si ish-sulmues, a ju bën me zemër ky Partizan, kur shikon sesa shumë shpërdoron para portës, duke mos e “vrarë” ndeshjen më herët?

Mua më pëlqen kjo pjesa që lojtarët shkojnë deri te porta kundërshtare, pasi dikur nuk krijonin raste fare. Ekipi është bërë disi më interesant, pasi krijon raste, emocionet janë më të mëdha dhe mundësitë janë më të shumta për të shkuar te fitorja. Finalizimi ka edhe emocionet e veta, lodhjen apo situata që të çojnë te shpërdorimi.

Në fillim të sezonit, kur klubi e kishte të bllokuar merkaton, mendonit se Partizani mund të arrinte në fazën ku është tani?

Pas bllokimit të merkatos, fillimi ishte pak problem, por sërish ishte një pjesë e grupit që kishte dalë kampion para dy viteve. Pastaj me hapjen e merkatos gjërat funksionuan më mirë. Faktikisht, Partizani po zhvillon lojë të bukur, duke qarkulluar topin, krijuar raste, agresiv dhe i kujdesshëm në mbrojtje. Finalizimi me sukses bën që të harrohen të gjitha problemet që ke kaluar.

Nga katërshja e parë vetëm Partizani e ka vetë gjithçka në dorë për titullin. A është kjo një faktor plus ndaj rivalëve?

Pa dyshim që është faktor pozitiv, por Partizani duhet t’i fitojë patjetër dy ndeshjet e veta, të mos bëjë llogari me askënd, të mos e ketë mendjen te rezultatet e ndeshjeve të rivalëve, vetëm të fitojë dy të vetat. Partizani e ka vetë në dorë, nuk ka çfarë të presë nga Laçi-Teuta apo Vllaznia-Laçi. Partizani e ka rrugën e hapur me dy fitore, pastaj se çfarë del nga ky rrugëtim i rivalëve është tjetër gjë pozitive. Partizani duhet ta thyejë Vllazninë edhe për ato thumbimet që kanë pasur në të shkuarën. Është momenti që të kuqtë të tregojnë forcën e tyre duke lënë të kuptosh se të mundi kampioni i ri.

Thumbime së fundmi ka pasur edhe nga Laçi, që e shikon Teutën kampione apo në Shkodër që nuk pranojnë që titulli të shkojë në Durrës. Këto mund të kenë ndikim te Partizani?

Këto janë llafe koti, pasi duke qenë se ndeshjet luhet në të njëjtën orë, nuk është se kanë ndonjë ndikim të madh.

Nisur nga kampionati që kanë bërë 4 skuadrat e para, cila mendoni se realisht e meriton të dalë kampione në fund?

Si lojëra, Partizani ka zhvilluar ndeshje më të bukura. Të katërta kanë qenë të forta gjatë sezonit dhe nga përplasjet e tyre kanë ardhur në pikën ku ndodhen tani. Partizani ka humbur shumë me ekipet e zonës së poshtme, ku ndonjë tjetër mund të ketë qenë më rezultativ.

Edhe sikur Partizani të dalë kampion, është gati një formacion pa kontratë. Ju duket shqetësuese që sërish mund të prishet ekipi fitues?

Rëndësi për momentin ka që të dalin kampion, pasi me fitimin e titullit gjërat ndryshojnë menjëherë. Klubi krijon më shumë financa, plus edhe lojtarët janë më të joshur për të mbetur pjesë e Partizanit, pasi u jep mundësi që të reklamohen edhe në Champions. Partizani kampion i shton vlerën vetes dhe lojtarëve, ndaj bashkëpunimi do të ishte më i lehtë për t’u arritur për vazhdimësinë.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"