EKSKLUZIVE/ “Komplimente Silvinjos, do t’ju ndjek në Gjermani”, De Biazi: Jam një ‘profet’ i mirë, e parashikova që… (E PLOTË)
“Të paktën duhet të më njihni meritën se jam edhe një profet i mirë. Ju thashë që do ta mbyllni të parët…” Kështu e nis bisedën me “Panorama Sport”, Xhani de Biazi, ish-trajneri i Shqipërisë, që i kualifikoi për herë të parë kuqezinjtë në “Euro 2016”.
Mister, Shqipëria për herë të dytë në Europian…
Komplimente të gjithëve. Më së pari federatës dhe Dukës, që në harkun e 8 viteve ka krijuar kushtet që Kombëtarja të kualifikohet dy herë në Europian. Nuk është pak. Komplimente Silvinjos, stafit të tij dhe padyshim shumë komplimente skuadrës, që ka bërë një edicion të shkëlqyer. Shqipëria jonë, sepse është edhe imja, që të mos e harroni, do të shkojë në Gjermani dhe jam vërtet i lumtur. Ata njerëz e meritojnë dhe unë falënderoj me gjithë zemër Silvinjon, por edhe stafin e tij, që e bënë të mundur së bashku me federatën. E menaxhuan shkëlqyeshëm gjithçka. Është fantastike.
Çfarë mund të bëjë kjo skuadër në Gjermani?
Sa larg mund të shkojë? Shijojeni momentin! Mos mendoni kaq larg në një ditë si kjo… (qesh). Keni një ekip fantastik, me lojtarë, që luajnë në nivele të larta dhe me skuadra të rëndësishme. Nuk i keni zili askujt, përkundrazi, ashtu siç ka bërë deri tani, Shqipëria duhet të vazhdojë të imponojë respekt te kundërshtarët dhe kërkojë gjithnjë maksimumin. Futbolli është edhe me cikle, prandaj duhet ta shfrytëzoni këtë moment. Jo vetëm në Kombëtare, por në gjithë rrafshin sportiv. Arritje si kjo ndihmojnë në gjithçka.
A do të shkoni në Gjermani që të shihni ndonjë ndeshje të Shqipërisë?
Po, pse jo?! Natyrisht, do të kisha dashur të shkoja me skuadrën time, Azerbajxhanin, por tani kemi shanse vetëm nga “play off”-i. Edhe ato të pakta. Gjithsesi, nëse do të më krijohet mundësia, do të shkoja me qejf të shikoja ndeshjet e Shqipërisë.
Më i vështirë tani apo në 2016-ën kualifikimi…?
Oh, prapë me këtë?! E kam thënë, ne ishim në kushte të tjera, sepse ishte rrugë e pashkelur, por edhe lojtarët ndryshojnë. Tani dukshëm keni një brez, që luan në nivele akoma më të larta. Por duhet të ma njihni meritën që jam edhe “profet” i mirë.
Për çfarë konkretisht?
E kam thënë në gazetën tuaj, por fillimisht ia kam thënë menjëherë Armand Dukës, pasi u hodh shorti se me këtë grup lojtarësh dhe me ata kundërshtarë në grup, Shqipëria do të dilte e para. Dhe pata të drejtë…
JETMIR HALILAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"