EKSKLUZIVE/ Luan Pinari: Të gjithë bashkë për një Dinamo trofesh, gjatë merkatos duhet të jemi shumë të kthjellët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2024 | 9:55

EKSKLUZIVE/ Luan Pinari: Të gjithë bashkë për një Dinamo trofesh, gjatë merkatos duhet të jemi shumë të kthjellët

Ai e di shumë mirë çfarë do të thotë të luash për fanellën e Dinamos dhe të fitosh trofe me këtë fanellë, aq më tepër me shiritin e kapitenit në krah.PINARI-770x433

Për t’i dhënë sa më shumë frymë dinamovite ekipit aktual, presidenti Adrian Bardhi vendosi që detyrën e drejtorit sportiv t’ia besojë ish-kapitenit të “Nëndetëses”, Luan Pinarit. Sezonin e fundit drejtoi akademinë e Dinamos, ndërsa nga dje ai nisi punën e re në terren, duke shpresuar që kjo skuadër të rikthehet si në kohët kur ai vetë ishte në fushë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Pinari shprehet se angazhimi në klub është maksimal për ta rikthyer Dinamon në nivelin që meriton një skuadër me 18 tituj kampion të fituar në futbollin shqiptar.

“Kam qenë pjesë e klubit edhe sezonin e shkuar, ndërsa detyra e re e drejtorit sportiv është një përgjegjësi shumë e madhe për mua si dinamovit. Ajo që dua të theksoj fort ka të bëjë me faktin se të gjithë bashkë në klub, duke nisur nga presidenti Bardhi, për të vazhduar me drejtuesit e tjerë, stafin teknik dhe lojtarët, jemi të angazhuar për ta çuar Dinamon në nivelin që emri i saj e kërkon. Kemi mësuar shumë nga ato gabime që kemi bërë këto sezonet e fundit dhe besoj se do të kemi një skuadër ndryshe në vazhdim. Dinamo sapo ka nisur përgatitjet për sezonin e ri dhe kam besim se do të jemi gati në kohën e duhur për të pretenduar vendet e para të Superiores. Të gjithë së bashku do të përpiqemi me të gjitha forcat për një Dinamo të aftë për të pretenduar trofe, siç ka bërë ky klub në historinë e vet, që flet shumë. S’kemi pse të fshihemi në këtë drejtim, sepse jemi Dinamo, por e kemi të qartë se gjithçka arrihet vetëm me punë, me shumë mund e djersë në fushë dhe jo me fjalë”, shprehet fillimisht Pinari për “Panorama Sport”.

SKUADRA E RE – Më pas drejtori sportiv i bluve ka dhënë opinionin e tij për skuadrën me të cilën Dinamo do të prezantohet sezonin e ardhshëm: “Vërtet ka pasur largime lojtarësh gjatë merkatos, por Dinamo ka një grup të mirë nga sezoni i kaluar. Siç e thashë, të gjithë së bashku po punojmë që të ndërtojmë një Dinamo sa më solide dhe konkurruese. Për merkaton në hyrje do të thosha se duhet të jemi shumë të kthjellët si klub, duhet të mendohemi mirë para se të bëjmë çdo lëvizje për afrimet. Na duhet të ndërhyjmë aty ku vërtet skuadra ka nevojë që të përforcohet dhe të jetë e kompletuar për të përballuar një sezon të gjatë dhe të vështirë. Do të veprojmë me kujdes, duhet të jemi të bindur për çdo lojtar që do të afrojmë te Dinamo e sezonit të ardhshëm”, ka theksuar ish-kapiteni i kryeqytetasve. Atë që ka fituar në fushë ai tashmë shpreson shumë ta fitojë edhe si drejtues i skuadrës ku nisi futbollin.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"