EKSKLUZIVE/ “Më pëlqejnë sfidat e reja”, trajneri Bellai: Erdha për Vorën e Superiores, ja kush më bindi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2024 | 11:00

EKSKLUZIVE/ “Më pëlqejnë sfidat e reja”, trajneri Bellai: Erdha për Vorën e Superiores, ja kush më bindi

Vora ka emëruar dje trajnerin e sezonit të ri. Arian Bellai, që ngjiti Bylisin në Superiore, do të drejtojë Vorën në vazhdim.

WhatsApp Image 2024-05-24 at 10.14.11

Duke qenë se Vora si objektiv ka ngjitjen në Superiore, drejtuesit gjetën akordin me 53-vjeçarin nga Gjirokastra me një karrierë të shkëlqyer si trajner. Pas një përvoje me disa ekipe në Greqi si Kallamata, Larisa, e më pas trajner i Kombëtares U-19, Luftëtari, për dy sezone Bellai ka drejtuar Bylisin. Ai nënshkroi kontratën e re me Vorën në praninë e presidentit dhe drejtorit sportive Bazjon Tragaj. Më pas Bellai dha intervistën e parë për “Panorama Sport” si trajner i Vorës.

Ngjitët Bylisin në elitë, por nuk arritët marrëveshje për më tej…

Te Bylisi kam dhënë gjithçka në Superiore, por edhe në Kategorinë e Parë. Këtë vit objektivi u arrit. Ishim të kënaqur, si presidenti dhe unë. Më pëlqejnë sfidat e reja dhe vendosa të provoj me Vorën.

Te Vora ju pëlqeu oferta, apo projekti e kushtet më të mira?

Duke folur me presidentin më pëlqeu projekti, më pëlqyen kushtet, ambientet stërvitore dhe stadiumi. Më pëlqeu gjithçka. Më pëlqeu edhe ekipi i Vorës, me të cilin kemi luajtur si kundërshtar dhe vendosa. Përpos të tjerave, trajneri shikon se si do të punojë dhe kushtet e tjera, si projekti dhe objektivi i klubit. Plani i presidentit më bindi, kështu vendosa që të bashkëpunoj me ekipin e Vorës për të arritur atë objektiv, ngjitjen në Superiore.

Keni krijuar edhe një përvojë në këtë drejtim duke ngjitur në elitë Bylisin. A mund të ndodhë kjo edhe te Vora?

Në çdo ekip që kam qenë, kam dhënë maksimumin. Vetëm me punë mund të arrish gjithçka. Të vetmin objektiv që kam, është të bëj mirë. Kam bërë mirë me Bylisin, arritëm një objektiv që asnjë nuk e parashikonte apo mendonte në fillim të kampionatit, por ja që me punë arrihet gjithçka. Atë punë që bëra me Bylisin do të bëj edhe me Vorën për të arritur objektivin. Trajnerin e një ekipi e dallon puna që bën. Puna e tij është pasqyrë e lojës së futbollistëve.

Si e mendoni skuadrën e Vorës sezonin e ardhshëm?

Edhe në sezonin që u mbyll, Vora ishte një ekip cilësor, sikurse Bylisi dhe ekipe të tjera. Këtë vit besoj do të bëjmë më mirë, do të punojmë më shumë që të shkojmë tek objektivi që nuk u arrit këtë vit. Ka futbollistë cilësorë dhe do të bëjmë maksimumin me punë, që të arrijmë atë të cilën e duan këtu në Vorë.

Cilat do të jenë përparësitë, në krahasim me Bylisin?

Përparësi edhe te Bylisi ishte ngjitja në Superiore. Gjithçka e bënim për të arritur objektivin. Ndërkohë, këtu do të bëjmë edhe më shumë.

Te Vora jeni me plan afatgjatë, apo për arritur objektivin sezonal?

Në fillim dua ta nis me “këmbë të mbarë”. Ta fillojmë mirë. Të jenë mirë të gjithë futbollistët e Vorës. Futbolli është një sport, që në radhë të parë kërkon lojtarë të përgatitur fizikisht dhe teknikisht dhe të shëndetshëm. Uroj të gjithë futbollistët të kenë shëndet në rrugën e gjatë që kemi e në fund të buzëqeshim të gjithë.

A ua bën më të lehtë punën fakti që në krah do të keni Endri Zjarrin, i cili e njeh mirë ambientin?

Unë e njoh Endrin. Është një element i mirë i ekipit të Vorës. Është një njohës i futbollit dhe merret me futbollin. Ai e njeh mirë skuadrën, futbollistët dhe do të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer së bashku. Bashkëpunimi është një stad për të arritur një objektiv.

Cili është mesazhi juaj për Vorën dhe tifozërinë e saj?

Shpresoj të kemi më shumë tifozë. Në Kategorinë e Parë Vora dhe Elbasani ishin ekipet me më shumë tifozë. Shpresoj që duke krijuar një ekip dinjitoz, të kemi më shumë tifozë që të mbështesin Vorën. Tifozët janë një nga armët kryesore të ekipit dhe besoj t’i kemi në çdo takim për të ndihmuar Vorën në arritjen e objektivit të përbashkët.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"