EKSKLUZIVE/ Merkato me pikatore, Partizani ideon shkëmbimin e Mehmetit me sulmuesin e Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2024 | 22:36

EKSKLUZIVE/ Merkato me pikatore, Partizani ideon shkëmbimin e Mehmetit me sulmuesin e Dinamos

Sa u përket atyre që luajnë në Europë, Partizani është një nga skuadrat më pak aktive në merkato. Të kuqtë kanë afruar Piloton dhe Zguron dhe tashmë prej javësh janë në kërkim të dy sulmuesve anësorë, që janë kërkesa kryesore dhe emergjente që trajneri Shehi ka bërë para Europës.

mehmeti

Ditët kalojnë dhe Europa afrohet, me të kuqtë, që po mundohen të provojnë çdo opsion për të gjetur të paktën një anësor të djathtë, që do t’i bashkohej Carës dhe Mbasë në sulm për ndeshjet me Marsakslok. “Panorama Sport” mëson se Partizani ka hedhur një ide shkëmbimi në merkato me klubin e Dinamos. Të kuqtë kanë kërkuar Lorenco Vilën në këmbim të Adnard Mehmetit. Trajneri Shehi e pëlqen profilin e Vilës dhe do të ishte gati të krijonte një treshe të fortë sulmi.

MEHMETI

Nga ana tjetër, gazeta mëson se trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, ka simpati për mesfushorin e Partizanit që nga koha kur luante me Erzenin dhe bënte një sezon shumë të mirë. Megjithatë, deri më tani gjithçka është në kuadrin e bisedave dhe nuk është materializuar asgjë. Vila është një lojtar kyç i Dinamos dhe vlerësohet shumë, çka i bën blutë të hezitojnë për një shkëmbim të tillë. Sakaq, Mehmeti është zgjedhje e dytë apo e tretë për trajnerin Shehi, i cili do të ishte gati ta sakrifikonte 23-vjeçarin për të sjellë në skuadër një lojtar si Vila, i cili luan në pozicionin ku aktualisht skuadra ka më shumë nevojë.

vila

Sa i përket financave, dy lojtarët vlerësohen me shifra të ngjashme dhe nëse kryhet, me shumë mundësi nuk do të ketë shtesa financiare në mes. Lorenco Vila në sezonin e shkuar luajti në 31 ndeshje në Kategorinë Superiore dhe kompletoi 6 gola dhe 1 asist. Nga ana tjetër, Mehmeti luajti në 27 ndeshje, thuajse gjysmën e tyre si zëvendësues dhe realizoi 4 gola.

Mbetet për tu parë nëse kjo lëvizje do të mbetet vetëm në kuadrin e bisedave mes palëve apo do të konkretizohet për të qenë më pas një nga lëvizjet më të bujshme të kësaj merkatoje. Një dilemë është edhe gatishmëria e lojtarëve për këtë lëvizje të mundshme, teksa gazeta mëson se një bisedë mes presidentëve Gazment Demi dhe Ardian Bardhi pritet t’i vërë vulën kësaj lëvizjeje, nëse do të kryhet apo jo.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"