EKSKLUZIVE/ Montenegro bëhet çështje te Egnatia, rrogozhinasit marrin një 19-vjeçar arab

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2024 | 9:23

EKSKLUZIVE/ Montenegro bëhet çështje te Egnatia, rrogozhinasit marrin një 19-vjeçar arab

Egnatia ka rritur dozën në stërvitje për të qenë në formë optimale në turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve kundër Borac Banja Lukës, ku objektivi është kualifikimi. Trajneri Edlir Tetova nuk ka ende në stërvitje sulmuesin Jurgens Montenegro, i cili edhe pse ka edhe 2 vite kontratë me Egnatian, ka preferuar të mos bashkohet me skuadrën rrogozhinase.

montenegro

Futbollisti 24-vjeçar është më i paguari te kampionët e Shqipërisë dhe është bërë çështje. E ardhmja e tij është e paqartë, edhe pse presidenti Agim Demrozi ka pohuar për “Panorama Sport” se lojtari është pjesë e projektit dhe do të vijojë të luajë për klubin rrogozhinas. Gjatë merkatos së verës tek Egnatia janë bërë disa përforcime, si mbrojtësi Aliev, mesfushori Lushkja dhe sulmuesi Bakajoko, ndërkohë që është rikthyer nga huazimi Redi Kasa. Klubi ndërkohë vazhdon punën në këtë drejtim.

TALENTI ARAB – Me Egnatian në Slloveni është bashkuar ditët e fundit edhe një lojtar i ri, që shihet si një talent premtues. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se futbollisti në fjalë quhet Yazan Madani dhe është nga Arabia Saudite. 19-vjeçari luan në të gjithë linjën e majtë. Ndonëse nuk është prezantuar nga klubi, do të provojë të tregojë aftësitë për të bindur trajnerin Tetova se është i vlefshëm. Madani është lojtar me tipare sulmuese, teksa ka qënë pjesë e klubit saudit, Al-Ahli.

MERKATO – Vëmendja e drejtuesve të Egnatias është tek afrimi i një mbrojtësi të majtë, i cili mund të luajë edhe në mbrojtjen me tre, si dhe afrimi i një mesfushori. Trajneri Tetova kërkon të gjejë sa më shpejt zëvendësuesin e Fernando Medeiros, i cili ishte një nga titullarët kryesorë të Egnatias. Mes emrave më të lakuar për të mbërritur në Rrogozhinë janë Serxho Ujka dhe Nazmi Gripshi, por ende gjithçka është në kuadrin e fjalëve. Po ashtu, presidenti Agim Demrozi ka premtuar se do të ofrojë edhe një sulmues me cilësi, që ka luajtur në nivele të larta vitet e fundit. Tani mbetet për t’u parë se cilët do të jenë ata lojtarë që do të firmosin në vazhdim për të kompletuar ekipin.

TESTI ME MARIBORIN – Egnatia do të zhvillojë sot një ndeshje miqësore me Mariborin, që do të jetë e treta në këtë fazë përgatitore. Sfida me ekipin e njohur slloven do të luhet në orën 17:00. Trajneri Tetova do të provojë të gjithë lojtarët që ka në dispozicion, ndërsa vëmendja do të jetë te të ardhurit nga merkato. Rrogozhinasit kanë zhvilluar edhe dy teste të tjera më parë në Slloveni, duke regjistruar një fitore dhe një barazim.

ISA HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"