EKSKLUZIVE/ “Në Ballsh e bënë shou”, Muka: Tirana e madhe erdhi, unë do e mbaja Muçin. Ja receta për dopietë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 20:10

EKSKLUZIVE/ “Në Ballsh e bënë shou”, Muka: Tirana e madhe erdhi, unë do e mbaja Muçin. Ja receta për dopietë (E PLOTË)

Tirana fitoi të 25-in titull kampion duke thyer thatësirën 11- vjeçare. I fundit kapiten që pati ngritur trofeun është Devi Muka. Aktualisht në krye të akademisë bardheblu, ishmesfushori vlonjat në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon ndjesinë për triumfin dhe mungesën kaq vite. Analizon këtë sezon, si dhe tregon se çfarë duhet bërë që të mos përsëritet “rasti Partizani”, ku skuadra kampione po rrezikon Kupat e Europës. Ish-fantazisti ka edhe një këshillë për klubin se çfarë duhet të bëjë për xhevahirë si Ernest Muçi apo Jurgen Çelhaka.

devi muka

Tirana kampione pas 11 vitesh, kënaqësi apo lehtësim që pritja mbaroi?

Pfff… Të them të vërtetën, edhe kënaqësi, por edhe lehtësim shumë i madh për faktin se 11 vite janë shumë për një klub si Tirana. Mendoj se këtë vit, Tirana u ngrit nga të gjitha anët. Ishte si e pabesueshme… Pas rënies nga kategoria, ishte një periudhë 2- vjeçare ku skuadra me zor e mori veten. Diçka jashtëzakonisht e vështirë, por falë ambicieve të forta që ka presidenti, ku dihet se është njeri që e do shumë klubin, sakrifikon shumë dhe bëri maksimumin e mundshëm në këto kohë të vështira që po kalon edhe futbolli shqiptar.

Jo vetëm çështjet financiare, por edhe sëmundjet apo gjithçka. Tirana sakrifikoi dhe e meritoi plotësisht. Kam një urim shumë të madh për të gjithë çunat, për tifozët që kanë qenë krah shumë i madh për ne edhe pse në muajt e fundit nuk ishin në shkallët e stadiumit. Tirana e madhe erdhi, tani duhet të jetë akoma më e madhe sepse kemi përballë Europën.

Si bëhet Tirana më e madhe, pikërisht për Europën?

Mendoj se Tirana do të ketë vështirësi, njësoj si për të gjitha ekipet e tjera edhe për shkak të kohës së paktë në dispozicion. Blerjet janë edhe fat ndonjëherë dhe jo gjithmonë qëllojnë të goditura. Sipas meje, Tirana grupin e ka. Nëse do të dijë që të operojë në vendet ku do të ketë probleme, atëherë do të ketë suksese të mëtejshme.

Ku ka nevojë për ndërhyrje Tirana sipas jush?

Një ndër to është krahu i djathtë i mbrojtjes, ku duhet gjetur patjetër zgjidhje. Ashtu si edhe për qendrat e mbrojtjes. E them këtë duke pasur parasysh se edhe Vangjeli, i cili është në rregull, por edhe prej moshës edhe prej faktit se kampionati është i gjatë, do të duhet edhe një zëvendësues.

muka halili

Ju i keni provuar titujt radhazi, a keni një recetë për Tiranën si t’i fitojë sërish ato?

Të ruajë grupin, nuk ka histori tjetër. Duhet ta ruajë boshtin dhe nëse e bën, nuk do të jetë më rastësi, por do të ketë vazhdimësi.

Cili është sipas jush boshti që nuk duhet kurrsesi të preket?

Gent Muça, Vangjeli, Batha, Kale, Torasa. Janë lojtarë që duhet të rrinë se s’bën dhe duke u alternuar me të rinjtë si Çelhaka, Ismajlgeci etj, do të jetë prapë superekip. Tirana ka të rinj që janë talente dhe që pas fazës përgatitore keni për t’i parë këta të rinjtë.

A keni një dedikim për këtë titull?

Tirana duhet t’ua dedikojë vetëm tifozëve. E prisnin shumë. “Tirona Fanatics” janë mrekullia e klubit. Doli edhe Partizani kampion, por si ata nuk ka… Janë të pakrahasueshëm. Unë ua dedikoj atyre.

Titull me 3 trajnerë, si ishte menaxhimi i tyre këtë  sezon?

I njëjti ekip ishte… Ard Mema bëri një punë të mirë, por si të thuash nuk ishte risku i tij. Shumë lojtarë ishin jashtë forme, ekipi donte ato orët e veta që të bëhej, por Tirana nuk i duron humbjet radhazi dhe kjo është ajo pjesa e rrezikut që të bëhesh trajner i këtij ekipi. Sepse duhet të dish që t’i menaxhosh të gjitha në një moment të caktuar.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Mendimi im është që një trajner, kur nuk administron shpejt situatën, një klub si Tirana nuk të pret. Nuk të pret stafi, tifozët, apo edhe vetë mediat. Kjo është ajo që i ndodhi Ardit. Gjithsesi, ai punoi jashtëzakonisht mirë. Ishte fat për Egbonë, por pa i hequr asnjë meritë që diti ta mbajë grupin, diti që të bëjë gjëra shumë të mira.

Cila ishte pika e fortë e këtij ekipi?

Për mendimin tim, grupi.

Çfarë duhet të bëjë më tepër Egbo për t’u konfirmuar, pasi edhe ju thoni që i bëri gjërat mirë?

Kjo është një çështje jetëgjatësie. Është shumë shpejt për të folur, pavarësisht se e them që Egbo ka punuar shumë mirë. Është një histori shumë e gjerë kjo çështja e Egbosë, pasi ai është njeri i klubit dhe vazhdon që të jetë një njeri i këtij klubi. Gjithashtu, është një çështje direkt e presidentit dhe në momentin që i mbushet mendja për ta mbajtur, do ta mbajë. Nëse mendon për ta larguar, nuk mendoj se ka njeri kompetenca më të mëdha se Refik Halili për këtë punë.

halili muka

Është koha për të festuar, por a druheni se Tirana mund të bëjë gabimet e Partizanit si kampionia e fundit që tashmë po rrezikon Europën, duke qenë se pati ecuri jopozitive pasi largoi trajnerin?

Unë mendoj se Partizani nuk bëri vetëm këtë gabim me trajnerin, por edhe gabimin e heqjes së shumë lojtarëve. Dhe në këtë rast, nuk kam si ta kuptoj nëse e kishte fajin trajneri apo lojtarët. Akoma më keq, pasi i hoqën të dy… Është shumë e vështirë për ta kuptuar se kush e kishte fajin.

Si është të fitosh një titull ku rivali fiton më shumë se kampionia?

E drejtë, edhe unë nuk e kuptoj dot. Por gjithsesi, rëndësi kishte kampionati. Për Tiranën, Kukësi është bërë si derbi, që nuk ka rëndësi nëse je në formë apo jo, por mund të fitosh dhe të humbësh në çdo moment pavarësisht tabelës. Kukësi ka një ekip shumë të mirë, dhe nuk dua t’i ul asnjë meritë, por sipas meje, Tirana ka skuadër më të fortë se ata

Ju vjen keq që një sezon i tillë pozitiv, me gjithë oshilacionet e fillimit, të njolloset nga ajo që ndodhi në Ballsh për Kupën?

Ajo ishte një, nuk e di… shou. Nuk e mora vesh se çfarë ishte ajo.

Shou i kujt?

Nuk e di i kujt ishte ky shou dhe pse u bë kaq e madhe.

Por e panë të gjithë çfarë ndodhi dhe ka nisur edhe një hetim…

Nuk e di. Ishte një ndeshje normale, si gjithë të tjerat. Janë gjëra që ndodhin në futboll dhe fakt është që fitoi 2-0 në ndeshjen e kthimit dhe sot është në finale. E kam shumë të vështirë të flas për këtë, pasi edhe kur kam luajtur futboll, nuk jam marrë ndonjëherë me këto histori. U kam qëndruar gjithmonë larg.

E shihni të realizueshme dopietën këtë sezon?

Forcat i kanë. Madje tani është momenti më i mirë, sepse u largua si të thuash edhe presioni i kampionatit. I kanë gjërat më të thjeshta. Për mendimin tim, në këto momente, Tirana do të bënte mirë që të aktivizonte sa më shumë të rinj. Them se Kupën mund ta fitojë edhe e gërshetuar, me të rinj dhe një dorë prej lojtarëve me eksperiencë. Kështu do të jetë agresive, pasi të rinjtë duan të tregojnë veten.

Muka-4

Shumë të rinj po evidentohen, por ikën një titullar si Doka me parametër zero. Është kjo diçka për t’u korrigjuar?

Keni të drejtë në këtë aspekt. Albi Doka është një djalë i ri me ambicie, ka mundësi të shkojë jashtë. Ishte fat i tij që i mbaroi kontrata dhe nuk donte të rinovonte. Nuk ka më përgjegjësi klubi, pasi nuk mund ta mbash një futbollist me zor. Albi është një djalë i rritur te ky klub dhe i urojmë gjithë të mirat atje ku do shkojë. Mirë do të ishte që të ishte me kontratë, por ka edhe kështu.

Do të ketë vazhdimësi me të rinj të tjerë të talentuar?

Kemi shumë punë për të bërë akoma, por ja edhe intervistën po e bëjmë teksa unë jam duke ndjekur ekipe me të rinj që stërviten dhe besoj se jemi në rrugën e duhur.

Çfarë mendoni kur në sezonin që po mbaron, Muçi nuk ishte titullar?

Më vjen keq, por është lojtar jashtëzakonisht i mirë. Është një djalë shumë i edukuar dhe një këshillë që i jap, është se duhet të punojë akoma më shumë pasi i ka të gjitha mundësitë dhe po luan në klubin më të mirë në Shqipëri. Tirana, me cilindo trajner vitin tjetër, do ta ketë atë djalë në formacion me të paktën 70 apo 80% të ndeshjeve.

Si duhet ta menaxhojë Tirana, bëhet fjalë për ofertë 500 mijë euro?

Unë do të sakrifikoja edhe një vit, po të më pyesnin mua. Do të më vinte mirë që Muçi të luante edhe një vit te Tirana. E them këtë, pasi do të kisha dëshirë që pas këtij viti të shitej dhe të mos vinte më mbrapsht, siç ndodh rëndom me shumë futbollistë. E kjo tregon që ikin pa u rritur mirë akoma. Doka mendoj se në Kroaci do ta përballojë siç duhet. Një lojtar me cilësitë që ka Doka, nuk ka se si të kthehet më mbrapa.

DEVI MUKA

Edhe Doka nuk ishte në 100% në fillim, ka bërë edhe gabime, por Tirana duroi, e fitoi dhe tani ai është lojtar i pjekur. E njëjta gjë për Çelhakën, Gecin e të gjithë. Janë lojtarë që Tirana duhet patjetër t’i mbajë edhe një vit. Pasi kalojnë moshën 20 apo 21-vjeçare, është koha për t’i larguar.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"