EKSKLUZIVE/ Nënvlerësimi, debutimi, lotët dhe ëndrrat kuqezi. “Gjigandi i mirë” Daku në rrëfimin special: Ja çfarë më thanë serbët për golin me Poloninë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2023 | 23:56

EKSKLUZIVE/ Nënvlerësimi, debutimi, lotët dhe ëndrrat kuqezi. “Gjigandi i mirë” Daku në rrëfimin special: Ja çfarë më thanë serbët për golin me Poloninë (E PLOTË)

“Gjiganti i madh i mirë” është një libër i Roald Dahl, i publikuar më 1982 dhe më pas është bërë edhe film i animuar. Historia flet për një vajzë të vogël, që quhet Sofi dhe një natë që Sofinë nuk e zinte gjumi, ajo shikon një gjigant, i cili e merr në shtëpinë e tij në vendin e gjigantëve. Sofi zbulon se gjiganti i madh i mirë mbledh ëndrra të bukura dhe ua dërgon fëmijëve. Fundja kush tha që ëndrrat nuk realizohen. Shikoni Mirlind Dakun, një “gjigant” në sulmin e Kombëtares, i cili as që e kishte imagjinuar se do të vinin ditë si këto…

DAKU

Ka luajtur 83 minuta gjithsej: ka një gol dhe një asist me Shqipërinë. “Po, jam në një ëndërr dhe nuk dua të zgjohem. Ju lutem mos më zgjoni!”, thotë ai për “Panorama Sport”. Në fushë duket “prepotent” për shkak të forcës, staturës dhe shpërthimeve të tij të frikshme me topin në këmbë. Për të mos folur pastaj për mënyrën se si feston kur shënon me Kombëtaren… Por kur bisedon me të, përveçse zërit të qetë, kupton se është një djalë i shtruar, që rrugën drejt suksesit e ka çarë i vetëm.

Si shumica e djemve tanë të Kombëtares ai bën pjesë tek ata të thjeshtit. “Që kur mora rrogën e parë te Llapi dhe tani në vazhdim unë pagën e çoj në shtëpi. Vij nga një familje e thjeshtë, jo nga luksi. Përpiqem të ndihmoj familjen time me sa mundem”, thotë Daku në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”.

daku

A e kishit menduar ndonjëherë këtë arritje?
Me thënë drejtën, unë kam besuar gjithmonë te vetja, por jo në këto përmasa. Pra, nuk mendoja se do të gjendesha në një gëzim kaq të madh dhe në një moment të tillë kaq shpejt.

Kur ju erdhi ftesa nga Kombëtarja shqiptare?
Ftesa më ka ardhur para ndeshjes me Çekinë dhe Poloninë. Isha në listën e pritjes dhe nuk e dija se si do të shkonin gjërat më pas. Nuk isha edhe fort i bindur nëse do të mund të grumbullohesha apo jo. Por fati e deshi që të grumbullohesha dhe debutova më pas me Çekinë.

Kujt ia thatë të parit nga familja?
Ia thashë babait. Por e çova menjëherë ftesën te grupi në “Whatsapp” ku i kam të gjithë familjarët.

Si e pritën?
Shumë mirë. Me thënë drejtën isha para ndeshjes me Rubin Kazanin dhe ishim në hotelin e klubit. Isha duke pushuar pas stërvitjes. U shtriva të flija pak pasdite, por në atë moment e pashë se ishin duke më bërë “tag” në rrjetet sociale. Aty e konfirmova se isha grumbulluar dhe isha pjesë e listës.

Si u ndjetë?
U gëzova pamasë. Në atë moment nuk po dija se si po ndihesha. Ishte e jashtëzakonshme.

Çfarë ju thanë shokët te klubi?
Më përgëzuan padyshim. Por janë të befasuar me rezultatet që po arrijmë me Kombëtaren. Po çmenden… (qesh).

Kur u futët në fushë kundër Çekisë si u ndjetë?
Atje në Pragë mendova se m’u realizua një ëndërr. Isha i lumtur, por emocionin më të madh e kam ndjerë kundër Polonisë në Tiranë. Oh çfarë emocioni. I gjithë stadiumi që thirri emrin… Uh, edhe tani emocionohem. Zoti ma shpërbleu me një gol dhe kjo për mua ishte e pabesueshme.

U komentua shumë tatuazhi “Katana 138”… Sa kohë keni që e keni bërë atë tatuazh?
Ka gati tri vite që e kam bërë. Ju e dini tanimë se cila është arsyeja.

Si është jeta në Rusi?
Të them të drejtën gjërat shkojnë mirë. Shumë njerëz mendojnë që për shkak të luftës këtu kushedi çfarë ndodh, por në të vërtetë këtu gjithçka ecën normalisht. Në asnjë moment nuk është folur apo nuk diskutohet lufta. Po mundohem të marr sa më shumë nga ky kampionat, të bëj sa më mirë dhe më pas të shoh për ndonjë skuadër tjetër në perëndim.

Në skuadër nuk keni vetëm rusë, por edhe malazezë e serbë. Si është raporti me këta të fundit? Ju pyes, sepse mediat serbe shkruan shumë për ju kur panë tatuazhin që kishit në trup…
Mua më kanë uruar të gjithë për gjërat e mira që kam bërë. Përfshi edhe serbët.

Edhe ata (serbët) ju kanë komplimentuar?
Po, edhe nga ata kam marrë fjalë të mira. Sidomos pas golit ndaj Polonisë.

Çfarë raporti keni me serbët në ekip?
Raport profesionistësh. As unë dhe as ata nuk kemi ardhur në këtë klub për të bërë politikë apo për të diskutuar gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin. Ua kam thënë që kur kam ardhur.

Çfarë u keni thënë?
Se unë në asnjë moment nuk do t’ju provokoj dhe as ju nuk dua që të më provokoni. Këtu kemi ardhur të gjithë për një qëllim: kemi ardhur për të bërë karrierën tonë. Ata i dinë qëndrimet e mia dhe unë i di qëndrimet e tyre, por këtu jemi për tjetër gjë. Për hir të së vërtetës deri tani gjërat kanë shkuar në mënyrë korrekte. Nëse ndonjëherë do të ndodhte që dikush të më provokojë, atëherë e di ku është dera… (qesh).

Çfarë note do t’i vinit eksperiencës suaj te Kukësi? A ju shërbeu për ndonjë gjë?
Për asnjë gjë nuk shërbeu. Ah, më shërbeu për t’u mësuar me ndjenjën e të qenit i nënvlerësuar… Aty mora një mësim unë, por edhe të tjerët besoj.

mirlind daku

Pse?
Sepse u vërtetua edhe një herë se puna e futbollit nuk është vetëm të vlerësohesh kur gjërat shkojnë mirë, por edhe kur shkojnë keq.

A keni një shembull në jetë ose dikë që shërben për ju si pikë referimi? Përveç familjes e kemi fjalën…
Shikoni, unë jam rritur duke parë futboll dhe shembulli për mua është Ibrahimoviç.

Pse pikërisht ai?
Sepse ai nuk është vetëm një futbollist i madh, por e ka nisur mes shumë vështirësive dhe ka një karakter që nuk dorëzohet kurrë. Jam rritur duke parë ndeshjet e tij dhe më pëlqen mentaliteti që ka, sepse nuk i sheh kurrë njerëzit me inferioritet, por e mban gjithnjë kokën lart.

Kur e keni pasur bisedën e fundit me Silvinjon?
Po, kam pasur disa, por biseda normale mes një lojtari dhe një trajneri. Nuk mendoj se janë biseda për t’u nxjerrë në media. Besoj që ato duhet të qëndrojnë aty. Jemi profesionistë.

Çfarë ju bën përshtypje te trajneri i Kombëtares?
Është shumë njerëzor. Kur bisedon me të ai të pyet për çdo gjë, të pyet edhe për familjen. Më pëlqen kjo gjë tek ai.

Gjatë grumbullimit me Kombëtaren, cili është ai që ju flet më tepër?
Ne kemi një raport shumë të mirë me njëri-tjetrin. Normalisht, ai që më jep më shumë këshilla ose ai me të cilin unë bisedoj është Cikalleshi. Ka shumë përvojë dhe me mua ka qenë gjithnjë shumë i komunikueshëm. Më orienton ndonjëherë se si mund t’i përmirësoj disa gjëra. Kjo ndodh edhe për shkak të pozicionit që kemi me Cikalleshin. Diskutojmë shpesh bashkë. Por ka edhe të tjerë.

Cilët janë të tjerët?
Kam pasur vazhdimisht biseda me Ramadanin, me Seferin, me Ismajlin, sepse njiheshim edhe më herët. Pa përjashtuar edhe Mujën, sepse njiheshim që prej kampionatit, por nuk e kam ditur se do të ishte edhe ai debutues me mua.

A jeni i befasuar nga ambienti që keni gjetur në Kombëtare?
Po, për mirë kuptohet. Nuk e dija se si ishin gjërat nga brenda, por duke filluar nga trajneri, gjithë stafi dhe lojtarët, mendoj se ka një bashkëpunim dhe një raport korrekt e të drejtpërdrejtë.

Kush ju ka ndihmuar ju të rinjve që të përshtateni më shpejt?
Të gjithë pa përjashtim, duke filluar nga Gjimshiti, që është kapiten, Hysaj që është më i vjetri në ekip dhe Berisha që ka shumë përvojë. Të gjithë na kanë ndihmuar.

Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierë?
Momentet më të këqija janë ato në fillimet e mia, kur nuk e kam pasur përkrahjen e duhur.

Pse, çfarë doni të thoni saktësisht?
Mbërrita në një fazë që edhe mund ta kisha lënë futbollin. Isha shumë i ri, gjërat nuk ecnin siç ëndërroja dhe nuk kisha as përkrahje. Për pak mund ta kisha lënë futbollin dhe të bëja ndonjë punë tjetër, por fati e desh që të vazhdoja dhe gjërat të merrnin rrjedhën që tanimë e dimë të gjithë.

Po të mos ishit futbollist, çfarë tjetër mund të bënte në jetë Daku?
Nuk e di të them të drejtën. Gjithë jetën time e kam menduar si futbollist, por nëse gjërat nuk do të ecnin, atëherë do të kisha bërë diçka tjetër për të jetuar.

Çfarë për shembull?
Mund të isha marrë me një lokal që familja e ka prej kohësh… Ose diçka tjetër, nuk di ta them tani saktësisht.

Sa fëmijë jeni?
Jemi tre vëllezër dhe një motër. Unë jam më i vogli.

A keni ndonjë sportist në familje ose në fis?
Në familjen dhe në fisin tim të gjithë e duan futbollin, por vetëm unë kam arritur në nivele të tilla.

Pse u bëtë futbollist?
Një nga arsyet ka qenë vëllai im. Gjithmonë ka luajtur me shokët dhe unë qysh fëmijë e ndiqja dhe që i vogël e kam marrë dashurinë ndaj futbollit.

Për cilën skuadër bëni tifo?
Për Mançester Junajtidin.

Pse?
Për shkak të vëllait tim. Ai e donte Junajtidin dhe i ndiqnim ndeshjet bashkë. Edhe unë u dashurova me këtë ekip.

Paksa “e çuditshme”, sepse ju ngjani më shumë me Halandin…
Epo unë jam “oldtimer”. Mançester Siti nuk ishte ky që është sot në ato kohë…(qesh).

Kush është njeriu që ju ka ndihmuar më shumë në karrierën tuaj?
Përtej familjes, sepse nuk diskutohet kontributi i tyre, unë mund t’ju them se njeriu që më ka ndihmuar më shumë ka qenë Shkumbin Qormemeti. Ai së bashku me Haris Fakiçin janë dy menaxherët që kam pasur që nga fillimi. Më kanë ndihmuar që në hapat e mi të parë dhe për nga përkrahja që më kanë dhënë i konsideroj tashmë pjesë të familjes. Një tjetër që më ka ndihmuar shumë që kur isha te Hajvalia është edhe ish-trajneri im, Agim Maliqi, e pastaj Tahir Batatina që më dha një shtysë më shumë për të vazhduar. Ndërkohë kur unë kam qenë në një moment të vështirë, kanë qenë dy njerëz që më kanë përkrahur: presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi, dhe trajneri Imset Munishi. Aty munda të ringrihem prapë në karrierë.

daku asani

Ju përmendët Ibrahimoviçin, po nga lojtarët e Kombëtares a keni një prej tyre që e vlerësoni?
I vlerësoj padyshim ata që kanë dhënë një kontribut për Kombëtaren. Unë natyrisht jam rritur duke parë ndeshjet e Kombëtares dhe mbaj mend Igli Taren. Përgjithësisht një pjesë e madhe e sulmuesve tanë kanë pasur karakteristikat që unë kam sot, pra të gjatë dhe të fortë. Në këtë kuptim e them.

Cili është objektivi juaj i madh në këtë moment?
Së pari, duhet të arrijmë të kualifikohemi në Europian. Po m’u dha mundësia të luaj edhe në Europian, akoma më mirë. Ëndërr e kam që një ditë të luaj në Champions League, pse jo edhe me Mançester Junajtidin, ose të paktën në Premier Ligë. Por pse të mos tentojmë të kualifikohemi edhe në një Botëror?!

E besoni vërtet?
Po, e besoj, sepse janë pjekur kushtet. Kemi brez të mirë futbollistësh, që luajnë në nivele të larta dhe mund ta tentojmë të provojmë edhe ndjenjën e të qenit në një Botëror

Çfarë ju pëlqen tjetër veç futbollit?
Ne si futbollistë profesionistë nuk na lejohet që të bëjmë shumë gjëra dhe kemi një regjim strikt. Ndonjëherë kur kam kohë luaj “counterstrike”, ose ndonjë lojë tjetër. Nuk është se bëj shumë gjëra.

Nuk keni ndonjë pasion si Nojeri për të bërë ski..?
Jo, jo shumë e rrezikshme. Unë maksimumi po u dëmtova, thjesht nga gishtat e dorës, por edhe atyre u bëj masazh (qesh).

Keni një shprehje tuajën që e përdorni më së shumti?
Jo, nuk kam.

Kush ju ngacmon më shumë në ekipin kombëtar, kush është më shakaxhiu?
Hysaj. Atij i pëlqen më shumë të ngacmojë, por e vlerësoj edhe këtë pjesë, sepse qasja që ai ka ndaj shokëve të skuadrës i bën mirë Kombëtares dhe ambientit.

Pse e mendoni kështu?
Është pozitive sipas meje, sepse na bën të ndihemi më të lirshëm.

Kush është më seriozi në ekip?
Berisha. Etriti është goxha autoritar. Është një nga më autoritarët.

Kur e keni kaluar për herë të parë kufirin dhe keni ardhur në pjesën tjetër të Shqipërisë?
Shumë herët… ndoshta kur kam qenë 10 vjeç.

Kur erdhët te Kukësi e kishit menduar ndonjëherë se do të shndërroheshit ky që jeni sot?
Nuk e kam besuar për Zotin. Nuk e kam besuar. Prandaj them që jam në një ëndërr që nuk dua të zgjohem hiç.

Keni ndonjë ushqim të preferuar?
Pooo… Ushqimi i preferuar janë pitet kosovare. Vdes për gjërat tradicionale. Këtu nuk i kam me vete dhe sa herë shkoj në shtëpi nëna ime për dy ditë me radhë mendon dhe përpiqet që të më bëjë të gjitha gjërat që më pëlqejnë.

Sa kilogram shtoni në peshë kur ktheheni në shtëpi?
I shtoj ca, por i heq shpejt…(qesh). Por nuk i lë pa i shijuar.

Çfarë ju pëlqen më shumë aty në Rusi?
Në vendin ku jetoj, më pëlqen fakti që janë shumë të organizuar dhe çdo gjë është në vendin e vet. Më pëlqen edhe që ka liri fetare, sepse qyteti i përket edhe festë myslimane edhe asaj katolike. Qyteti është fenomenal.

Pati një keqardhje nga Kosova kur ju zgjodhët Shqipërinë…
Unë nuk kam asnjë keqardhje ndaj askujt. Jam krenar që jam pjesë e Shqipërisë dhe nuk e ndërroj këtë flamur sa të kem jetën. Nuk ka gjë më të bukur.

Nuk e kishim fjalën për keqardhje nga ju, por nga Kosova dhe konkretisht federata dhe stafi i saj…
Nëse ata janë ndjerë të keqardhur, kjo ka ndodhur, sepse e kanë kuptuar se çfarë kanë humbur dhe çfarë u iku prej duarve. Por mua shyqyr që më erdhi kjo mundësi. Fanella me shqiponjën në gjoks nuk ka të paguar. Edhe kur i shoh videot e mia emocionohem gjithmonë.

Sa herë i keni parë videot tuaja?
Nuk e di, ndoshta me mijëra herë.

Kur keni qarë për herë të fundit?
Kundër Çekisë. U emocionova shumë.

Nëse do t’i vendosnit një notë vetes suaj, çfarë note do t’i vinit?
Notën 1.

Kaq pak?
Nuk kam arritur asgjë deri tani. Kam ende shumë punë për të bërë. Nuk kam arritur ende aty ku duhet.

Çfarë ju bezdis më tepër?
Më mërzit shumë kur gjërat nuk bëhen me zemër dhe kur të nënvlerësojnë. Më ka ndodhur në disa raste dhe është ndjenjë shumë e keqe. Nuk i honeps njerëzit që nënvlerësojnë të tjerët.

Çfarë ju gëzon më shumë në jetë?
Kur shoh që ka edhe shqiptarë që mendojnë për familjet e tyre dhe kujdesen me sa munden. I ndihmojnë me të ardhura dhe i mbështesin familjet e tyre. Edhe unë vij nga një familje ku nuk kam pasur luks. Kemi pasur kushte normale. E njoh atë ndjenjën kur shkon diku, qoftë edhe në shkollë, por nuk ke asnjë lek në xhep… Po, po e njoh atë ndjenjë…

Kur e keni çuar rrogën tuaj të parë në shtëpi?
Që kur luaja me Llapin, unë rrogën time vazhdoj ta çoj ende në shtëpi.

Edhe sot?
Po, edhe sot. Nuk ka gëzim dhe ndjesi më të mirë se sa kur ndihmon familjen me aq sa mundesh.

Sa e keni numrin e këmbës?
E kam 47…

Si i gjeni këpucët?
Me vështirësi… I bëj me porosi. Edhe në Kombëtare më ngacmojnë shpesh për këtë…(qesh). Më shohin ndonjëherë me këpucë që nuk i kanë parë asnjëherë edhe më ngacmojnë.

Edhe Ibra aq e ka këmbën…
Po, e di edhe ai e ka këmbën të madhe.

Ai keni qejf makinat?
Po, i kam shumë qejf.

Çfarë makine përdorni tani?
Tani kam një “Audi” dhe një “BMW”. Preferoj më shumë “BMW”.

Cili është mesazhi që keni për tifozët shqiptarë dhe për futbollistët e rinj shqiptarë?
Po, e kam një mesazh për të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet që ndodhen: duhet të jemi gjithmonë bashkë dhe t’i ruajmë vlerat tona. Përcillni dashuri dhe bashkim. Unë vij nga Kosova dhe ajo ka qenë, është dhe do të jetë Shqipëri. Jepini kurajë shqiptarëve tuaj në çdo situatë e në çdo moment. Mos mbani inate, mos ushqeni inate mes njëri-tjetrit. Talentet shqiptare kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo Diasporë, duhet të bëjnë maksimumin që të zgjedhin një mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk e keni idenë se çfarë ndjenje është kur hyn në fushë dhe dëgjon mijëra shqiptarë që thërrasin emrin tënd në kor pa asnjë lloj interesi. Nuk ka çmim.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"