EKSKLUZIVE/ Nga Hong Kongu në Shqipëri, rrëfehet sulmuesi brazilian i Flamurtarit: Vlora s’refuzohet
Augusto Neto është një prej 9 lojtarëve bra zilianë, që luajnë me Flamurtarin këtë sezon. 26- vjeçari erdhi në merkaton e janarit, pasi më parë kishte provuar të luante në Portugali dhe Hong Kong. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi thotë se i di objektivat e klubit dhe beson se ngjitja në Kategorinë Superiore është e arritshme.
Augusto mendon se futbolli shqiptar është i bukur dhe shumë i luftuar, por nuk e shikon aspak të vështirë si kampionat, ndërsa tregon se është përshtatur shpejt dhe mezi pret të shënojë golin e parë.
Augusto, së pari ku keni lindur dhe sa vjeç jeni?
Unë kam lindur në qytetin Salvador të Brazilit më 2 gusht të vitit 1996. Jam 26 vjeç dhe luaj si sulmues.
Në Shqipëri është aventura juaj e parë me Flamurtarin, si erdhët këtu?
Kjo është aventura ime e parë këtu në Shqipëri. Karriera ime ka nisur në Brazil, ku jam aktivizuar në disa skuadra të vendit tim. Që prej sezonit 2017-2018 kam dalë jashtë Brazilit. Kam luajtur në dy ekipe në Portugali, por gjithashtu kam qenë në Irak dhe Hong Kong. Përpara se të transferohesha në Vlorë, isha pjesë e klubit Rangers në Hong Kong.
Kush ju ka sjellë në Vlorë?
Në Vlorë më ka sjellë ishmenaxheri im. Ai u fut në kontakte me klubin dhe më ofruan që të vija këtu. Pasi kam mësuar për vendin ku do të vija dhe për kushtet, nuk kam refuzuar. Jam i lumtur që kam ardhur në një klub të madh si Flamurtari.
Ju e dini objektivin e klubit, mendoni se do ta arrini?
Po, patjetër, e dimë që objektivi i klubit është madhor dhe synohet vetëm ngjitja në Superligë. Kështu që nuk e diskutojmë këtë gjë. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe patjetër që do të arrijmë ta realizojmë objektivin.
Ju duket Kategoria e Parë e vështirë si kampionat?
Jo, nuk mendoj se është i vështirë. Unë kam kuptuar që është një garë shumë e luftuar. Kategoria e Parë ka lojtarë shumë të mirë dhe skuadra që luajnë një futboll shumë të bukur.
Ndeshja e radhës me Tërbunin në transfertë. Sa e njihni dhe çfarë prisni?
Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Ne do të bëjmë pjesën tonë. Luajmë në transfertë dhe natyrisht që do të bëjmë gjithçka për fitore.
Çfarë premtoni për Flamurtarin?
Premtoj se do të japë maksimumin tim. Do të ndihmoj skuadrën për të arritur objektivin madhor. Natyrisht, edhe për të shënuar shumë gola.
Jeni përshtatur me skuadrën pas pesë ndeshjeve të para?
Patjetër që jam përshtatur mund të them. Nuk ishte e vështirë, pasi këtu ka shumë futbollistë brazilianë dhe kjo ta bën edhe më të lehtë. Por edhe lojtarët vendës na qëndrojnë shumë afër.
Si ndiheni në Vlorë?
Në Vlorë ndihem shumë mirë. Është një qytet shumë i bukur. Njerëzit më respektojnë, si në klub apo edhe qytet.
Ju ngjason Vlora me qytetin tuaj në Brazil?
Ka disa ngjashmëri në fakt dhe kjo gjë më pëlqen edhe më shumë. Ndaj mund të them se jam përshtatur mjaft mirë.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"