EKSKLUZIVE/ Nga thirrjet antishqiptare te sendet e forta, drejtori i Egnatias: Si na ofenduan dhe kërcënuan në Bosnjë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2024 | 21:55

EKSKLUZIVE/ Nga thirrjet antishqiptare te sendet e forta, drejtori i Egnatias: Si na ofenduan dhe kërcënuan në Bosnjë (E PLOTË)

Egnatia debutoi në Ligën e Kampioneve të mërkurën në një ndeshje të pazakontë kundër boshnjakëve të Borac Banja Lukës, duke humbur 1-0 me një gol të shënuar në minutën e 96-të.

Momenti kur drejtori i Egnatias, Klejdi Zenelaj, i kërkon arbitrit polak, të ndalë lojën pas thirrjeve antishqiptare nga tifozët boshnjakë

Momenti kur drejtori i Egnatias, Klejdi Zenelaj, i kërkon arbitrit polak, të ndalë lojën pas thirrjeve antishqiptare nga tifozët boshnjakë

Atmosfera në stadiumin “Gradski” ishte me gjuhën e urrejtjes nga tifozëria boshnjake, që bëri thirrje të vazhdueshme në kor: “Kosova është Serbi”. Mes tensionit, dhunës psikologjike dhe thirrjeve të vazhdueshme nacionaliste të rreth 7 mijë tifozëve vendës, rrogozhinasit kërkuan nga arbitri polak, Daniel Stefanski, që të ndalte ndeshje. Një nga protagonistët e mbrëmjes së 10 korrikut për Egnatian u bë drejtori sportiv i klubit, Klejdi Zenelaj. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ai tregoi gjithçka çfarë ndodhi në 11 minutat e ndërprerjes, ku ai diskutoi me arbitrin dhe delegatin e UEFA-s.

“Ndeshja me Borac Banja Luka nuk ishte një sfidë normale dhe për këtë mjafton të përmendësh faktin se ne na kushtëzuan të mos kishim tifozë në këtë transfertë. Referuar ngjarjeve dhe kushteve në të cilën ndodheshim, ishim të detyruar të respektonim udhëzimin e zyrtarëve. Përpara ndeshjes, delegati i UEFA-s bëri mbledhje mbi organizimin. Mora fjalën si zyrtar i klubit dhe i paralajmërova mbi kujdesin që duhet të kenë mbi mesazhet e tifozëve apo flamujt nacionalistë”, ka thënë Zenelaj.

BANDEROLA DHE OFENDIMET

Drejtori i Egnatias tregon se që në start tifozët boshnjakë nisën thirrjet antishqiptare dhe shpalosën banderola që nuk lejohen. “Filloi ndeshja dhe teksa tifozët shpalosën banderolën ‘Kosova është Serbi’, kërkova menjëherë që përfaqësuesit e Borac të merrnin masa. Ata nuk bënë asgjë për të normalizuar sadopak situatën. U ndjemë të poshtëruar nga naiviteti i treguar nga boshnjakët. Ne kemi në organikë lojtarë nga të gjithë trojet shqiptare dhe natyrshëm përfshiheshim në atë që dëgjonin pambarimisht nga thirrjet e tifozëve vendës.

E ndërsa fyerjet vijonin, tifozët nisën të hidhnin sende të forta në drejtim të stolit tonë. Situata po dilte nga kontrolli dhe në atë moment menduam të tërhiqnim ekipin, duke kërkuar që ndeshja të ndalej, pasi po luhej në kushte mizerabël. Arbitri i katërt, në mënyrë të pabesueshme bënte sikur gjithçka ishte në normalitet dhe në një moment teksa i kërkova informacion, më kërcënoi, duke më thënë që nëse nuk vijonim lojën, do të humbnim sfidën në tavolinë. Pavarësisht kësaj, unë vijova kërkesën që të ishte në dijeni delegati dhe oficeri i sigurisë. Në momentin që po kërkonim sigurinë tonë, pasi tifozët po na godisnin, policia vendëse na bëri presion psikologjik.

Delegati bëri të ditur se nëse do të vijohej nga tifozëve boshnjak me ato thirrje, ndeshja do ndërpritej. Nga ana tjetër klubi i Borac nuk bashkëpunonte për asgjë dhe kjo sjellje e tyre motivonte ultrasit të na fyenin me çdo lloj forme. Thirrjet nacionaliste vijuan edhe pas mbarimit të ndeshjes, ndërkohë që i papërgjegjshëm ishte edhe arbitri kryesor, të cilit i doli situata nga kontrolli, ku për çdo faull na ndëshkonte me karton.

Një mbrëmje ferri për futbollin, aq më tepër që këto ngjarje ndodhin në kompeticionin më prestigjioz për klube në Europë. Ne do ta ndjekim këtë çështje, pasi nuk lejojmë askënd të na fyej dinjitetin kombëtar. Sigurisht që nga UEFA do të ketë masa ndëshkimore për rivalët tonë. Për flamurin kuqezi që ne përfaqësojmë, të parët tanë ka sakrifikuar jetën”, përfundoi rrëfimin drejtori sportiv i Egnatias.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"