EKSKLUZIVE/ Një Ëngjëll në mesfushë, Hoti: Dua titullin me Tiranën!
Ëngjëll Hoti është një nga lojtarët e rinj të Tiranës. Sapo përfundoi aventurën e tij me Llapin, mesfushori vrapoi të bashkohet me bardheblutë në aventurën e tij të re futbollistike. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mesfushori i ri i bardhebluve foli për firmën dhe të ardhmen. Futbollisti 24- vjeçar zhvilloi një sezon mjaft pozitiv me skuadrën llapjanë, ku shënoi edhe 4 gola. Hoti është një futbollist i dalë nga akademitë gjermane të futbollit, por luan prej 3 vitesh në Superligën kosovare, ku më parë është aktivizuar për dy sezone edhe me Trepçën. Mesfushori në të shkuarën ka luajtur në Gjermani, ku ka qenë pjesë e moshave të Kaiserslautern dhe Shtutgartit. Gjithashtu Hoti ka luajtur edhe me Kosovën U-21. Lojtari është mesfushor i avancuar dhe me shumë mundësi është zëvendësuesi i Agustin Torasës te Tirana. Lojtari ka qenë nga më të mirët sezonin e shkuar në kampionatin kosovar.
Ëngjëll, për ju dita e dytë e stërvitjes me Tiranën. Si ju është dukur ambienti bardheblu këto dy stërvitje?
Jam i kënaqur. Të gjithë më kanë pritur shumë mirë. Djemtë, trajneri dhe stafi i skuadrës. Po shoh që ekipi punon fort. Është skuadër e motivuar dhe që punon fort. Pashë një ekip me cilësi dhe kualitet. Në fund jam i lumtur që jam këtu te Tirana në këtë aventurë të re futbollistike.
Pyetja normale që bëhet është përse zgjodhe Tiranën, sepse e dimë që ke pasur edhe oferta të tjera?
Tirana është klubi më i madh në Shqipëri. Është skuadra që e njohin jashtë vendit dhe të gjithë e vëzhgojnë këtë klub. Nuk kishte si të thosha jo ndaj ofertës së tyre për t’u veshur bardheblu. Jam i kënaqur që do të luaj për dy sezone me Tiranën në Kategorinë Superiore.
Vini në një skuadër që titullin e ka objektiv zyrtar. Cili është objektivi juaj personal dhe si klub?
Normale është që vij për të fituar titullin kampion me Tiranën. Besoj se do t’ia dalim. Objektivi personal është që të ndihmoj skuadrën sa më shumë të kem mundësi. Dua që në sezon të mos kem dëmtime dhe të bëj atë që më thotë trajneri në fushën e lojës.
Për ata që nuk e njohin Ëngjëllin, cilat janë pozicionet ku mund të luajë Hoti?
Në mesfushë, pas sulmit, ndërsa formacioni i preferuar është 4-3-3. Mund të luaj pak a shumë në çdo pozicion në mesfushë. Gjithsesi, duke lënë mënjanë dëshirat personale, unë luaj atje ku më vendos trajneri në fushën e lojës.
Ju për herë të parë luani në Shqipëri. Si ju duket Kategoria Superiore e Shqipërisë?
Mesa kam parë, duket një kampionat me shumë kualitet. Luajnë ekipe të mëdha në këtë kampionat. Këtë sezon luhen edhe shumë derbi dhe normal që do të jetë e bukur të luash në Shqipëri. Për mua është kënaqësi më vete kalimi në Superiore.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"