EKSKLUZIVE/ Olsi Rama: Titullin e mori më i miri, ja pse u “tërhoqa”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2023 | 0:02

EKSKLUZIVE/ Olsi Rama: Titullin e mori më i miri, ja pse u “tërhoqa”

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, ka folur për “Panorama Sport” pas suksesit të titullit të fituar, që është i dyti i tij si pjesë e të kuqve.

Olsi Rama

Rama flet për suksesin dhe nisjen e një cikli, shpjegon edhe tërheqjen në prapaskenë gjatë këtij sezoni, teksa “thumbon” edhe Tiranën kur shprehet se një ekip prestigjioz duhet të mësojë të sillet në fitore dhe në humbje me të njëjtin dinjitet.

Mos ju shijon më shumë ky titull për faktin që ishte i luftuar deri në minutën e fundit?

Titulli gjithnjë shijon. I ardhur kështu në minutën e fundit, duke të mbajtur në fazën e lartë të emocioneve edhe të shijon. Ishte një kthesë në javët e fundit të kampionatit, të cilën unë e kam besuar se duhet të kishte ndodhur edhe më herët.

Shyqyr ndodhi dhe jam shumë i lumtur për këtë. Në momente të caktuara, ndoshta me ndikim psikologjik, por edhe tekniko-taktik, Partizani vuajti në disa periudha, në ndeshje që Partizani me potencialin dhe lojtarët që ka, nuk duhet t’i kishte çeduar në atë mënyrë. E bënë kampionatin më interesant dhe ne marrim këtë titull dhe jemi të kënaqur.

Gjatë këtij viti një nga dilemat ka qenë “tërheqja” juaj nga detyra që më parë i kryenit. Përse u tërhoqët nga “skena”?

E bukura e një organizate, që funksionon, është që gjithsecili bën punën e vet. Me ndërtimin e kompleksit të ri, jo vetëm me stadiumin, por edhe me hotelin dhe fushat e tjera që do të ndërtohen, puna bëhet më e madhe dhe ka një ndarje detyrash.

Kur ndahen detyrat, secili bën punën e vet. Sigurisht që këtë vit te titulli ka ndikuar akoma më shumë edhe afrimi më i madh i presidentit Demi me skuadrën. Të gjithë kanë bërë detyrën e tyre dhe të gjithë meritojnë komplimente.

Keni një përgjigje për ndonjërin që shprehet se nuk e morën, por ia dhanë?

Unë nuk e di se ku nisen dhe çfarë shikojnë që thonë se nuk e morëm, por na e dhanë. Unë jam 120% i bindur se Partizani e ka merituar këtë titull tani edhe më parë dhe pa diskutim që edhe vetë lufta sportive e këtij kampionati ka treguar që në fund fitoi ekipi më i mirë. Më vjen keq kur dëgjoj këto gjëra, për etikën që duhet përdorur, për etikën e komunikimit.

Tirana ishte aty, ka qenë para nesh dhe kemi pasur edhe ne problemet tona me gjykimin dhe elemente të tjerë jashtë fushës. Gjithmonë jemi përpjekur të kemi sjellje me dinjitet, për arsye se një klub prestigjioz duhet të mësojë të sillet në fitore dhe në humbje me të njëjtin dinjitet.

Do të nisni një cikël?

Unë e kam thënë gjithnjë që Partizani ka një skuadër që duhet të fitojë për vite me radhë. Nuk është e thënë që të fitojmë titullin çdo vit, por të jemi aty, në nivele të larta. Jemi përpjekur ta bëjmë disa herë këtë.

Nuk kemi pasur suksesin e dëshiruar, ka shumë faktorë që ndikojnë në futbollin shqiptar. Stabiliteti ekonomik, kur dikush bën mirë, ka oferta të mira dhe ikën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"