EKSKLUZIVE/ Partizani do sulm “bombë”! Grezda pranë të kuqve, nisin kontaktet dhe me një tjetër sulmues të Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2023 | 22:12

EKSKLUZIVE/ Partizani do sulm “bombë”! Grezda pranë të kuqve, nisin kontaktet dhe me një tjetër sulmues të Kombëtares

Odise Roshi është emri i radhës, që shfaqet në listat e Partizanit për këtë merkato vere, ku të kuqtë kanë pretendime të mëdha dhe kërkojnë kualifikimin në grupet e Ligës së Konferencës, në rrugëtimin, që nis nga turi i parë i Champions League. Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se Partizani ka nisur tratativat për të sjellë 32-vjeçarin fierak në kryeqytet, me synimin për të bërë një treshe të frikshme sulmi me Grezdën, Mbanë dhe sulmuesin e Kombëtares.

ROSHI

Roshi aktualisht është pjesë e skuadra së Sakariasporit në Ligën e Parë turke, por mund të kthehet në atdhe, pas një udhëtimi të gjatë prej 12 vitesh nëpër klube të ndryshme në Europë si Këln, Rijeka, Terek Grozni apo Boluspor në Turqi.

Aktualisht nuk ka asgjë të shkruar në letër, por ka një aprovim paraprak mes palëve për të vijuar më tej bisedimet. Me emërimin në mënyrë zyrtare, drejtori Arbër Abilaliaj pritet të nisë edhe negociatat me sulmuesin, i cili ka rrumbullakosur 70 paraqitje me Kombëtaren, ka shënuar 5 gola, si dhe ka dhuruar plot 16 asiste.

Mbërritja te Roshi, nuk është aq e shtruar sa në rastin e Grezdës. Sipas “Transfermarkt”, sulmuesi ka edhe një sezon kontratë me Sakariasporin, ku në 24 paraqitje, koleksionoi 1628 minuta dhe shënoi 1 gol dhe kontribuoi me 5 asiste.

Minutat e pakta mund ta bëjnë Roshin të ndahet me klubin turk nëpërmjet një marrëveshjeje mes palëve dhe t’ia bëjë më të lehtë Partizanit mbërritjen te fieraku. Përveç kontratës, një pengesë për “demat” është edhe Tirana, e cila ka shprehur gjithashtu interes për të. Por të paktën aktualisht, Partizani shihet më i avantazhuar.

EROS GREZDA – Sulmuesi është gjithashtu një nga opsionet e merkatos së kuqe. “Panorama Sport” mëson se në ditët e fundit ka pasur një telefonatë mes tij dhe trajnerit të ri të Partizanit, Zoran Zekiç.

Grezda

Të dy njihen së bashku në sezonin 2017-2018, kur ishin pjesë e Osijek. Së fundmi, 28- vjeçari është bërë baba i një djali dhe dëshiron të jetojë në Tiranë, pranë familjes së tij. Kjo e bën sulmuesin të jetë i hapur për një nga skuadrat kryeqytetase.

Njohja dhe miqësia me Zekiçin e afron më shumë me Partizanin, që pritet të hyjë në negociata për të finalizuar marrëveshjen gjatë ditëve të fundit.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"