EKSKLUZIVE/ Partizani fiton gjyqin në FIFA ndaj klubit turk, ish-lojtari i sjell miliona “demave” (DOKUMENTI)
Partizani merr një lajm të madh një ditë pas fitores me Bylisin.
“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se klubi i kuq ka fituar gjyqin në FIFA me turqit e Giresunsporit për 90 mijë euro. Në verën e vitit 2021 njoftoi transferimin e Esat Malës te Giresunspor në Turqi.
Në atë kohë palët ranë dakord që turqit të paguajnë vetëm taksën e formimit, konkretisht 90 mijë euro, nga 30 mijë euro në sezon për periudhën 2018-2021, kur Partizani kishte në pronësi kartonin e lojtarit të Vllaznisë në këtë sezon.
Gjithsesi, kjo shumë, për të cilën u ra dakord, nuk është paguar nga Giresunspor dhe Partizani ka vendosur ta dërgojë çështjen në FIFA.
Kjo e fundit u ka dhënë të drejtë të kuqve.
Kështu, Giresunspor duhet të paguajë brenda 45 ditëve shumën prej 94,500 eurosh, bashkë me interesat.
Në rast se nuk e shlyejnë borxhin, turqve mund t’u bllokohet merkatoja.
Përveç kësaj, Giresunspor duhet t’i paguajë edhe 10 mijë dollarë FIFA-s, si kosto për shpenzimet e gjyqit.
Fitimi i kësaj çështjeje tregon seriozitetin dhe aftësinë që zyra juridike ka për të zgjidhur të tilla probleme, që në fund mbushin xhepat e klubit.
VENDIMI I ZBARDHUR
Vendim i Dhomës së Statutit të Lojtarëve, më 8 nëntor 2022, lidhur me një mosmarrëveshje në lidhje me transferimin e lojtarit Esat Mala. Julie Jorgensen (Danimarkë), anëtare.
Paditës: KF Partizani, Shqipëri.
I paditur: Giresunspor, Turqi. Përfaqësuar nga z.Atahan Sevimli.
1. Pranohet padia e paditësit, KF Partizani.
2. Pala përgjegjëse, Giresunspor, duhet t’i paguajë paditësit (Partizanit), shumën e mëposhtme:
– 30 mijë euro si shpërblim i papaguar, plus 5% interes në vit nga 1 gushti 2021, deri në datën e pagesës efektive.
– 30 mijë euro si shpërblim i papaguar, plus 5% interes në vit nga data 2 shtator 2021, deri në datën e pagesës efektive.
– 30 mijë euro si shpërblim i papaguar, plus 5% interes në vit nga data 2 nëntor 2021, deri në datën e pagesës efektive.
3. Pagesa e plotë (duke përfshirë të gjithë interesin e aplikueshëm) do të bëhet në llogarinë bankare të treguar në formularin e bashkangjitur të regjistrimit të llogarisë bankare.
4. Në bazë të nenit 24 të Rregullores për Statusin dhe Transferimin e Lojtarëve, nëse pagesa e plotë (duke përfshirë të gjithë interesin e zbatueshëm) nuk bëhet brenda 45 ditëve nga njoftimi i këtij vendimi, do të zbatohen pasojat e mëposhtme:
– Pala përgjegjëse do të ndalohet të regjistrojë çdo lojtar të ri, qoftë kombëtar apo ndërkombëtar, deri në pagimin e shumës së duhur. Kohëzgjatja maksimale e ndalimit do të jetë deri në tri periudha regjistrimi të plota dhe të njëpasnjëshme.
– Çështja aktuale do t’i paraqitet me kërkesë, Komitetit Disiplinor të FIFA-s në rast se pagesa e plotë nuk është bërë ende deri në fund të tri periudhave të regjistrimit. Pasojat do të zbatohen vetëm me kërkesë të paraqitësit të kërkesës.
– Shpenzimet përfundimtare të procedurës në shumën 10 mijë dollarë amerikanë do të paguhen nga pala përgjegjëse (Giresunspor) në FIFA.
– Nëse ndonjëra nga palët dëshiron të marrë bazat e vendimit, duhet të bëjë një kërkesë me shkrim në FIFA brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit për gjetjet e vendimit.
Dështimi për ta bërë këtë brenda afatit të caktuar, do të rezultojë që vendimi të bëhet i formës së prerë dhe detyrues dhe të konsiderohet se palët kanë hequr dorë nga e drejta e tyre për të paraqitur ankesë.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"