EKSKLUZIVE/ Partizani kërkon grupet e Europës, synon rikthimin e Skukës dhe sulmuesin e Kombëtares
“Nisja e një cikli” ish te kryefjala e drej tuesve të Partizanit që në momentet e para pas fitimit të titullit. Ky rrugëtim i artë shtegun kryesor ka suksesin në Europë dhe në klubin e kuq e dinë shumë mirë këtë.
Drejtuesit e Partizanit nuk duan të ndjekin shembullin e Tiranës së vitit të shkuar dhe janë mobilizuar shumë seriozisht për të ndërtuar një skuadër me pesha të rënda, që minimalisht të kalojë një tur në Champions League, e më pas të tentojnë të kapin grupet e Ligës së Europës ose Ligës së Konferencës, të paarritshme që nga koha e Skënderbeut të artë.
Në klub janë të vetëdijshëm se me skuadrën aktuale ky mision nuk është i arritshëm. Partizani është skuadra më e re në Superiore dhe nuk ofron garanci në të dyja fazat e lojës. Gjithsesi, drejtuesit e kanë nisur punën me sulmin, ku do të tentohet një prej dy peshave të rënda, të paktën për fushatën e ndeshjeve të Europës.
ARMANDO SADIKU – Sulmuesi elbasanas është një njohje e vjetër e presidentit Demi dhe sa herë lojtari mbërrin në Tiranë, nuk mungon një takim i ngrohtë me kreun e klubit të kuq. Ky i fundit po këmbëngul personalisht për të sjellë një partner me peshë për Kristian Mbanë në sulm dhe elbasanasi është një opsion shumë i mundshëm, të paktën për Europën. Propozimi është hedhur në tavolinë dhe palët janë në periudhë reflektimi. Eksperienca e Sadikut në disa nga ligat më të forta të botës do t’i shtonte Partizanit shumë kredite për të bërë mirë në Europë. Këtë sezon 32-vjeçari ishte pjesë e Kartagjenës në La Liga 2 në Spanjë, teksa në fund të muajit del lojtar i lirë. Elbasanasi e nisi shumë mirë sezonin, duke shënuar 8 gola, por më pas u ul në stol në mënyrë surprizuese në pjesën e mbetur të këtij edicioni. Një dyshe mes tij dhe Mbasë pa dyshim që do të ngjallte frikë te kundërshtarët.
XHULIANO SKUKA – I transferuar në janar nga Partizani te Metzi në Francë për shifrën rekord të 1.4 milionë eurove, edhe Skuka është një kandidat potencial për t’u rikthyer te të kuqtë të paktën për fushatën e ndeshjeve europiane. Ndryshe nga Sadiku, dibrani ka kontratë me Metzin, por francezët me siguri do të ishin të gatshëm ta huazonin bomberin në klubin e kuq, para se ta adresonin në një destinacion final për sezonin e ardhshëm. Nga janari, Skuka ka luajtur vetëm një orë me ekipin e Metzit. Ai nuk ka arritur të ambientohet si duhet me skuadrën e re. Partizani mund të shfaqet edhe si opsion final për sulmuesin në sezonin e ardhshëm, por kjo do të kërkojë kohë për t’u vendosur përfundimisht.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"