EKSKLUZIVE/ “Partizani konfuz në merkato dhe pa guxim”, ish-drejtori Marini: Nuk po shfrytëzojnë sulmuesit, ndihet edhe mungesa e… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2024 | 0:10

EKSKLUZIVE/ “Partizani konfuz në merkato dhe pa guxim”, ish-drejtori Marini: Nuk po shfrytëzojnë sulmuesit, ndihet edhe mungesa e… (E PLOTË)

Partizani po lundron në ujëra të pasigurt në Europë, ku pas humbjes 2-0 kundër Iberias në Gjeorgji, ka vënë në diskutim të madh vijimësinë në Ligën e Konferencës.marini

Në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur ish-drejtori i të kuqve, Elton Marini. Ishsulmuesi shprehet se Partizanit i mungoi guximi në Gjeorgji dhe se nuk shfrytëzoi potencialin e vet sulmues. Pavarësisht kësaj, Marini shprehet se “demat” kanë gjithë potencialin e nevojshëm për të kaluar me sukses sfidën e dytë. Ai shtoi se skuadrës i duhet një qendërmbrojtës, teksa e vlerësoi si konfuze merkaton e bërë deri më tani nga nënkampionët e sezonit të shkuar.

Çfarë nuk shkoi te Partizani në Gjeorgji dhe në ndeshjet me maltezët Marsaslok?

Doja ta nisja përgjigjen me bindjen time, por besoj edhe të të tjerëve në ambientin e futbollit, që skuadra e Partizanit ka aq potencial dhe elemente, sa nuk duhet të diskutojë fare skuadra të nivelit Iberia apo të ngjashme. Ajo që nuk shkoi në syrin tim, është guximi për të sulmuar me ide dhe vizion, duke interpretuar fazën sulmuese me 5-6 lojtarë në zonë. Por fatkeqësisht, ashtu si edhe gjate sezonit, skuadra është parë e përgjumur dhe apatike, pa shprehur të gjithë potencialin që zotëron.

Çfarë duhet ndryshuar në sfidën e dytë?

Nuk jam në pozitën e dikujt që duhet të këshillojë se çfarë duhet të bëjë stafi teknik në ndeshjen e dytë, por jam i bindur që skuadra, edhe pse me mungesa, me vetëbesim dhe guxim mund ta kalojë pa shumë probleme dhe të kualifikohet.

Përse mendoni se Partizani e ka humbur forcën goditëse?

Forca goditëse e një skuadre nuk janë vetëm elementet dhe aftësitë personale të lojtarëve, por ka të bëjë me automatizimin e veprimeve sulmuese në 30 metrat e fundit, ku si rrjedhojë goditet porta. Me gjithë potencialin që ka skuadra, nuk i shoh këto automatizime që shtojnë forcën goditëse për të cilën me të drejtë konstatoni që nuk është si më përpara. Përmirësimin ndonjëherë duhet edhe ta dallosh te lojtarët që ke në organikë për nga cilësitë që ata kanë.

Keko dhe Mba janë shumë të ndryshëm nga Bintsuka si qendërsulmues dhe mund të godasin më shumë drejt portës për shkak të individualitetit të tyre. Por e përsëris, nuk mund të jap këshilla për stafin teknik, që i ka përditë në sytë e tyre këta elemente

Si ju është dukur merkatoja në hyrje dhe në dalje te Partizani? Çfarë duhej bërë ndryshe?

Për sa u përket transferimeve dhe nënshkrimeve të lojtarëve, mund të jap një opinion përgjithësues si vëzhgues i jashtëm. Shoh që klubi ka angazhuar hyrjet e Pilotos dhe Zekës, i pari për të zëvendësuar Mensahun dhe i dyti për krahun e djathtë të sulmit. Është prezantuar një mesfushor nga Kameruni si përforcim për mesfushën (Mintongo), ndërkohe që Ismaili, i ardhur në janar nuk është parë në lojë për 5 muaj.

Ka mangësi në qendër të mbrojtjes, sepse edhe largimi i Sotës ndjehet, por akoma s’ka një emër në hyrje. Si njohës i situatave në treg, mendoj se ka shumë konfuzion në përgjithësi për të përgatitur lëvizjet si në hyrje, ashtu edhe në dalje.

Duhet pasur parasysh që klubi duhet të marrë vendime edhe për të shitur lojtarë që janë afër skadencës ose dikë që e ka plotësuar ciklin e vet në këtë skuadër. Në këtë kontekst e shoh konfuz programimin e merkatos, por gjithsesi ka kohë deri në fund të dritares së transferimeve për të operuar, aq më shumë që formula e kampionatit (Final 4) lejon edhe ndonjë nisje të ngadaltë.

Cili nga lojtaret e skuadrës aktuale mendoni se kanë cilësinë për t’u shitur dhe për të bërë mirë jashtë vendit?

Unë kam parasysh disa aftësi individuale dhe njerëzore që të shprehem se cili mund të transferohet në një kampionat më të mirë nga ky kontingjent aktual. Hadroj dhe Maget, ndoshta edhe Rrapaj, janë momentalisht ata që janë më afër këtyre parametrave të transferimit. Por nuk vijnë nga një sezon super, megjithëse Maget ka bërë disi më mirë.

Kjo krijon një lloj vështirësie për t’i bërë apetibël për disa lloje tregjesh të rëndësishme. Unë transferim do të quaja pjesën nga ana e majtë e detit Adriatik, ku vërtet fiton klubi dhe lojtaret si në financa, edhe në potencial për karrierë të vërtetë.

Ju dhe Kolela fituat titullin dhe më pas u shkarkuat. Sivjet titulli nuk u fitua dhe stafi nuk ndryshoi. Çfarë përshtypjeje ju lë ky detaj?

Shkarkimet dhe emërimet janë ekskluzivitet e pronarëve të klubeve. Për sa kohë ata ndjehen mirë me stafet aktuale, nuk mund të jap një gjykim nëse duhet apo jo të merreshin masa ekstreme. Do të kisha dëshirë që të gjitha klubet tona të përmbahen në plane veprimi afatmesme dhe afatgjata dhe tu japin besim njerëzve pavarësisht luhatjeve të rezultateve, që jo gjithmonë vijnë prej aftësisë ose jo të stafeve.

Po Egnatia, sa larg mund të shkojë në Europë?

Egnatia është një realitet i bukur, që duhet ta përkrahim kur ka rezultate që ndihmojnë marketingun e mirë të futbollit shqiptar. Mendoj që sa më shumë eksperiencë të fitojnë, aq më shumë do ta shtrojnë rrugën për suksese të ardhshme.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"