EKSKLUZIVE/ Partizani pret përgjigjen e sulmuesit, ja prapaskenat me Besart Ibraimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2022 | 14:47

EKSKLUZIVE/ Partizani pret përgjigjen e sulmuesit, ja prapaskenat me Besart Ibraimin

Besart Ibraimi është deri më tani emri më i madh i lidhur me Partizanin në këtë merkato, e cila ende nuk ka nisur zyrtarisht.

BESART IBRAIMI

Ish-sulmuesi i Shkëndijës së Tetovës është 35 vjeç, por mosha nuk ka ndikuar aspak në nuhatjen e golit dhe kjo është ajo që e ka shtyrë Partizanin t’i bëjë një ofertë, të cilën Ibraimi po e shqyrton prej ditësh, për t’i dhënë më pas një përgjigje përfundimtare të kuqve, të cilët kërkojnë ta vendosin në majë të sulmit, bashkë me Xhuliano Skukën.

“Panorama Sport” zbulon edhe ofertën, që drejtuesit e të kuqve kanë vendosur në tavolinën e Ibraimit, i cili në këtë sezon ishte pjesë e Ksanthit në Greqi, ku shënoi 7 gola dhe dhuroi 1 asist.

OFERTA – Pesë mijë euro në muaj është propozimi i Partizanit për sulmuesin, por jo vetëm.

Klubi është i gatshëm të sigurojë edhe akomodimin falas të Ibraimit dhe familjes së tij në një apartament komod në kryeqytet, teksa në kontratë, rrogës standarde mund t’i shtohen edhe bonuse të tjera të majme, të varura nga paraqitjet e lojtarit dhe të skuadrës në tërësi.

Ky është propozimi i Partizanit, që e ka tentuar Ibrahimin edhe në të shkuarën.

Kontaktet e para mes 35- vjeçarit dhe klubit kanë nisur që në muajin e kaluar, kur ai vendosi të largohet nga Ksanthi në ligën e parë greke.

Ibrahimi po kërkon ende kohë për përgjigjen, me Partizanin, që duket se ka vendosur t’i japë edhe disa ditë hapësirë, deri kur ekipi të grumbullohet sërish për të nisur përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës.

SHKUPI – Kampionët e Maqedonisë janë gjithashtu të interesuar për Ibrahimin.

Nga ajo që gazeta ka arritur të mësojë, edhe oferta e bardhebluve është e ngjashme me atë të Partizanit dhe paratë nuk pritet të jenë arsyeja e zgjedhjes përfundimtare të Ibrahimit.

Shkupi ka avantazhin se qendërsulmuesi e njeh shumë mirë kampionatin e Maqedonisë së Veriut dhe transferimi atje nuk do të përbënte probleme ambientimi, ndryshe nga Kategoria Superiore.

Gjithsesi, për lojtarin transferimi në Shqipëri mund të jetë një ide tunduese.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"