EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e miqësores së luksit me Napolin, drejtori i Egnatias: Ja si u arrit marrëveshja, nuk na pengon për Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2024 | 9:02

EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e miqësores së luksit me Napolin, drejtori i Egnatias: Ja si u arrit marrëveshja, nuk na pengon për Europën

Pas Interit një vit më parë, Egnatia do të luajë një tjetër miqësore luksi në Itali pas disa ditësh. Kampionët e Shqipërisë do të ndeshen me Napolin që tashmë drejtohet nga trajneri i njohur Antonio Konte.

zenelaj

Kjo ndeshje është programuar të luhet të dielën e 28 korrikut në Kastel Di Sangro, ku skuadra italiane është grumbulluar për fazën përgatitore. Lajmi është mësuar fillimisht nga mediat sportive italiane, që vinin në dukje faktin se Napoli kishte anuluar miqësoren e planifikuar me turqit e Adanasporit dhe se do të luante me kampionët e Shqipërisë. Më pas lajmi për këtë miqësore jo të zakonshme është konfirmuar për gazetën edhe nga klubi rrogozhinas.

Në aspektin e imazhit pa dyshim që është diçka shumë pozitive për skuadrën rrogozhinase, sepse rrallë mund të qëllojë të ndeshesh me emra të tillë të mëdhenj, qoftë edhe në miqësore. Në aspektin profesionist pastaj mund të prishë pak punë data kur luhet kjo ndeshje, pikërisht në mes të dy impenjimeve europiane me Vikingurin. Ndoshta trajneri Edlir Tetova do të aktivizojë më së shumti lojtarë të stolit për të mos rrezikuar për sfidat zyrtare me islandezët.

ZENELAJ – Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, drejtori teknik i rrogozhinasve, Klejdi Zenelaj, zbulon detajet si u arrit marrëveshja me klubin e madh italian. Ai tregon se ishte një iniciativë e presidentit Agim Demrozi.

“Kjo është një marrëveshje që na bën krenarë, pasi do të kemi fatin të luajmë me një nga ekipet më të mira në futbollin italian. Gjithçka u arrit pas konsultimit të presidentit Agim Demrozi me disa miq të tij në shtetin fqinj. Napoli pranoi të luante me kampionët e Shqipërisë më 28 korrik.

Kemi bërë llogaritë tona dhe data 28 korrik nuk na pengon për ecurinë e skuadrës në duelet me Vikingurin në Ligën e Konferencës. Miqësorja me Napolin do të na ndihmojë në aspektin psikologjik dhe futbollistët më pas do të jenë të karikuar kundër rivalëve islandezë.

Egnatia ka objektiva të qarta, duke filluar nga Europa, ku synojmë të shkojmë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Në futbollin shqiptar do të mundohemi të fitojmë gjithçka, siç bëmë sezonin e fundit. Për lëvizjet në skuadër do të diskutohet me gjithë stafin, por di të them se Ibrahimoglu dhe Fernando i kanë zëvendësuesit, që janë Ahmetaj dhe Lushkja. Këta dy lojtarë kanë besimin tonë dhe kanë treguar që janë të rëndësishëm për Egnatian”.

ISA HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"