EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e shkarkimit të Kapllanit, ja kandidati potencial për të marrë drejtimin e Erzenit
Ndodhi ajo që po përflitej në mbrëmjen e së enjtes. Nga dje, Xhevahir Kapllani nuk është më trajner i Erzenit. 48-vjeçari durrsak është shkarkuar nga klubi dhe kjo u konfirmua në mëngjesin e së premtes përmes një njoftimi në faqen zyrtare të shijakasve në rrjetet sociale. “KF Erzeni njofton se Xhevahir Kapllani nuk do të jetë më trajneri i ekipit. Klubi e falënderon për punën e bërë dhe i uron suksese në karrierë”, citohej në sqarimin e klubit shijakas. Por çfarë ndodhi që drejtuesit morën vendim për largimin e trajnerit?
Ky i fundit është kontaktuar dje nga “Panorama Sport” dhe ka refuzuar që të japë detaje për mënyrën e largimit nga Shijaku. Duke qenë se situata nuk është e mirë në skuadër dhe tashmë kur mbeten tri javë nga fundi i kampionatit, Erzeni rrezikon mbijetesën, Kapllani nuk ka dashur të rëndojë edhe më tepër ambientin.
Gjithsesi, ajo që bën përshtypje është fakti se drejtuesit shijakas, nuk patën durim për të pritur mbylljen e kampionatit, pasi për ta humbja me Bylisin të mërkurën në “Niko Dovana” nuk mund të përtypej.
Burime në klub i treguan gazetës se pakënaqësitë e drejtuesve me trajnerin nuk janë vetëm për ndeshjen e fundit, ku Erzeni humbi me rivalin direkt për mbijetesë. Prej javësh përplasjet nuk kanë munguar, madje mësohet se trajnerit i është kërkuar llogari për skemën që aplikon (3-5-2), e cila është parë si një prej arsyeve pse shijakasit kanë pasur një ecuri të dobët së fundmi.
Kapllani u ka qëndruar besnik ideve të tij, duke ndërtuar një sistem loje nisur nga kontingjenti që ka në dispozicion. Dëmtimet e shumta në dy muajt e fundit kanë prishur planet e trajnerit, që thuajse asnjëherë nuk e ka pasur grupin e plotë.
Presioni i shtuar në skuadër dhe humbja e fundit ndaj Bylisit, që në klub u konsiderua si dramë, e mbushën kupën dhe bordi drejtues në një mbledhje që zhvilloi të enjten, vendosi të shkarkojë Kapllanin.
Trajneri durrsak e la ekipin në vendin e tetë pas 33 javësh, një pozicion që të çon në një ndeshje shtesë për qëndrimin në elitë. Mirëpo, duke parë ecurinë e tij në krye të pankinës shijakase dhe si u organizua skuadra në fillimin e këtij sezoni, Kapllani tejkaloi çdo pritshmëri me Erzenin e tij.
SITUATA – Erzeni u stërvit dje nga Alfred Deliallisi, i cili ka qenë krahu i djathtë i trajnerit të larguar. Klubi ka vendosur që 30-vjeçari të jetë provizorisht në krye të skuadrës, duke filluar nga takimi i së dielës në Rrogozhinë ndaj Egnatias.
Gjasat më të mëdha janë që zv.trajneri të drejtojë Erzenin deri në fund të kampionatit, edhe pse së fundmi është lakuar si kandidat potencial për të marrë drejtimin e ekipit, elbasanasi Gentian Stojku.
Ky i fundit ka qenë trajner i shijakasve në vitet 2018-2019 dhe e njeh mirë ambientin, por nga klubi nuk ka një konfirmim.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"