EKSKLUZIVE/ Pritet vetëm zyrtarizimi nga klubi, Elbasani zgjedh ish-trajnerin e Kukësit si pasuesin e Nevil Dedes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2024 | 23:23

EKSKLUZIVE/ Pritet vetëm zyrtarizimi nga klubi, Elbasani zgjedh ish-trajnerin e Kukësit si pasuesin e Nevil Dedes

Elbasani “zgjedh” Diego Longon si trjnerin e tij të ardhshëm. Në stolin verdheblu ai do të zëvendësojë Nevil Deden, kryeqytetasin e larguar pak ditë më parë në mënyrë të papritur.

DIEGO LONGO

Mes një morie emrash në tavolinë dhe sugjerimesh, në fund lista u ngushtua te tre italianë si kandidatët më potencialë për të udhëhequr verdheblutë sezonin e ardhshëm, konkretisht te Serse Kosmi, Xhovani Kolela dhe Diego Longo. Tani duket se zgjedhja përfundimtare është pikërisht ish–tekniku i Kukësit. Ndoshta Diego Longo ka lënë shije të mirë në futbollin shqiptar në aventurat që ka pasur më parë, ndaj dhe që në fillim ka qenë një ndër emrat më të lakuar për të marrë drejtimin e elbasanasve. Nëse në fund italiani vjen dhe firmos në Elbasan, do të bëhej edhe trajneri i parë i huaj në këtë klub që nga koha e krijimit të tij tri vite më parë.

OFERTA – Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë klubit elbasanas pohojnë se ia kanë bërë tanimë ofertën teknikut italian. Ata mësohet se i kanë shpalosur objektivat madhorë dhe ambicien për ta kthyer në një klub që do të luftojë për titull në futbollin shqiptar. Paraprakisht mësohet se edhe vetë Longo e ka mirëpritur një aventurë në vendin tonë, duke qenë se është bërë “i afërt” me futbollin shqiptar, pas aventurave me Kukësin, Flamurtarin dhe Teutën. Ndonëse Longo nuk ka arritur të fitojë diçka në futbollin shqiptar, edhe për shkak të rrethanave, ku te vlonjatët dhe durrsakët ka qëndruar pak, shihet si një trajner që ka të njëjtin mentalitet me klubin e Elbasanit. Për momentin bëhet fjalë për një takim konkret dhe serioz mes tyre, ku janë diskutuar thuajse të gjitha detajet dhe është çështje dite apo orësh zyrtarizimi, pasi edhe koha nuk pret më. Verdheblutë kanë nisur stërvitjen këtë javë dhe nuk duan të humbasin më kohë me çështjen e trajnerit, por t’u fokusuar tërësisht te merkatoja e lojtarëve.

MERKATO – Deri më tani verdheblutë kanë afruar zyrtarisht tre lojtarë në merkaton e verës, si Bruno Lulaj me Emiljano Mustën në mbrojtje dhe Kristian Dros në mesfushë. Bëhet fjalë për tre lojtarë me eksperiencë, teksa edhe moldavi vjen si kontigjent i kombëtares së vendit të tij. Gjithsesi, për një skuadër që vjen me ambicie të mëdha këtë sezon dhe për më tepër që ka larguar disa lojtarë nga edicioni i kaluar, edhe afrimet nuk do të ndalen me kaq. Ndryshe nga viti i kaluar, kur afrimet u bënë shumë shpejt, këtë sezon drejtuesit po tregojnë kujdes. Ata e kanë rritur shumë “piacën” edhe të lojtarëve që kërkojnë, të cilët janë ndër më të preferuarit në treg. Me situatën që ndodhi pas largimit të Nevil Dedes, drejtuesit janë të detyruar të presin edhe zyrtarizimin e trajnerit, pasi merkatoja do të bëhet në bashkëpunim me të.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"