EKSKLUZIVE/ “Reja ‘dogji’ 2-3 lojtarë”, Gega komenton Kombëtaren: Sfida e Shqipërisë nis në shtator, ja çfarë na penalizoi me italianin (E PLOTË)
Shqipëria mori dy fi tore këtë muaj, duke hedhur një hap të rëndësishëm për kualifikimin në Europian. Dy prej lojtarëve që dalluan ishin edhe Nedim Bajrami me Kristjan Asllanin, të cilët ishin disi në hije në epokën Reja.
Këtë mendim ka edhe Skënder Gega, trajneri i cili është shprehur prej kohësh për mosaktivizimin e dy mesfushorëve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ishfutbollisti i Kombëtares jep opinionet e tij për ndryshimet që kanë ndodhur në përfaqësuese.
Çfarë fitoreje mund ta quajmë atë të arriturën në Ishujt Faroe?
Çdo fitore është e rëndësishme dhe kur janë fitore, ashtu quhen. Pastaj teknikisht kur kalon një periudhë, ata që janë aty brenda, stafi, i shohin gjërat dhe shohin edhe çfarë mund të shkonte më mirë. Këto tri pikë janë të rëndësishme dhe fitorja e Moldavisë ishte e papritur, por futbolli i tillë është. Në Faroe ishte një ditë në favorin tonë.
Në syrin tuaj si trajner, si ju duk paraqitja e ekipit kombëtar në këto ndeshje?
Ndryshe nga Reja, që edhe unë kam folur kohë më parë për mënyrën e lojës dhe për disa lojtarë që nuk u aktivizuan, për Asllanin apo Brojën, që thoshte se nuk ishte pjekur, edhe pse ishte e kundërta. Mbaj mend kam thënë se duhet guxim për Asllanin.
Nuk mund të fusësh vetëm për pak minuta një lojtar të Interit. Silvinjo po u jep mundësinë. Megjithatë fusha tregoi që ne kemi potencial, kemi futbollistë të talentuar dhe kreativë. Por, pa harruar se edhe ne kemi probleme, loja e tregoi në disa momente të veçanta edhe mund të ndëshkoheshim.
A duhet ta kishim mbyllur më shpejt ndeshjen në Ishujt Faroe?
Është e vërtetë. Ndeshja duhet të mbaronte më shpejt dhe përderisa nuk mbaroi, do të thotë se ka pasur një ngërç. Është dobësi kur nuk shënon, megjithatë ia dolëm edhe pse në pak momente e vumë ndeshjen në presion.
Është një ekip që sulmonte nga krahët dhe me topa të gjatë. Duhet të ishim pak më të vëmendshëm, sepse mund të ndodhte diçka që do të na trishtonte të gjithëve. Mbi të gjitha, më i mirë fiton dhe pjesën më të madhe të lojës ne dominuam dhe e fituam ndeshjen.
Silvinjo ka ndryshuar edhe skemën në Kombëtare, a ka gjetur rehat ky grup me këtë sistem loje apo duhet ende të presim?
Futbolli është i njëjtë në të gjithë botën. Varet si interpretohet. Hysaj bashkë me Mitajn luajtën pak më lart. Ky ekip ka më shumë ekuilibër. Dy janë përpara mbrojtjes. Gjithsesi, ishin ndeshje që duhet të fitoheshin.
Të paktën në kohën time këto emra si, Ishujt Faroe, Maltë, Lihtenshtajn nuk diskutoheshin si kundërshtarë. Në grupe kanë qenë vetëm katër ekipe dhe kemi pasur kundërshtarë si Polonia, Anglia, Suedia. 12 pikë tani janë detyrim për ne, por për t’i marrë nuk duhet t’i marrësh në bazë të historisë, por 90 minutave. Shqipëria e arriti dhe ka hedhur një hap tepër të rëndësishëm.
A janë këto dy ndeshje një barometër real për forcën që ne kemi në grup?
Nuk duhet të nxitohemi dhe të jemi emocionalë. Një shembull është Moldavia që ne e dominuam në Tiranë, bëri mrekullinë me Poloninë. Çdo tifoz kuqezi nuk e mendonte se moldavët do ta përmbysnin atë takim, kështu që futbolli është i tillë. Ajo që ka rëndësi është që morëm gjashtë pikë dhe jemi të qetë. Mendoj se tani do të fillojnë sfidat dhe duhet të tregojmë se çfarë niveli jemi për ato që pretendojmë.
Po të shihni në këto takime Kombëtaren, në fushë gjeje lojtarë si Mitaj, Asllani, Bajrami, Muçi, Mehmeti. Shumë të rinj që u aktivizuan nga Silvinjo…
Futbolli me të rinj luhet. Luhet edhe me të vjetër, por me këmbë të reja. Këmbët e freskëta, energjia dhe ajo që sjellin në fushë, e bëjnë edhe trajnerin të ndihet i ri. Kështu që ardhja e këtyre, jo për të kritikuar Rejën, por Asllani që është pjesë e Interit dhe aty nuk mund të shkosh me mik, të paktën në ekipin kombëtar je mjaftueshëm për të t’u dhënë besim.
Apo Muçi, pavarësisht se ka ikur nga ekranet tona, ka qenë lojtari më i mirë i Superiores, është 22 vjeç dhe në aq momente sa luajti e tregoi veten. Asani i kaloi pritshmëritë. Të gjithë këta që përmende janë në fillim. Duhet të punojnë fort dhe t’i shohin gjërat si një garë. Me Bajramin, Asllanin, Bare, jemi në luks…
Bajrami ka shpërthyer këto dy ndeshje, pse ka qenë në hije më parë?
Po, sepse t’i mund të jesh konservator në rreshtim, sepse ke 1000 ndeshje në CV, por kjo nuk do të thotë se gjërat duhet të rrinë ashtu siç ti i shikon. Patjetër që është përgjegjësia e trajnerit, por t’i mund ta bësh kur nuk ke opsione. Kur ke zgjidhje si Asllani e Bajrami, mund të bëhesh më kërkues e kreativ. Janë lojtarë që luajnë mirë me topin, i njohin zonat dhe godasin portën. Të paktën dytre lojtarë në kohën e Rejës nuk kanë qenë aktiv. Futbolli luhet për të goditur portën. Edhe pse del jashtë topi, prapë do të thotë se ekipi është bërë më ofensiv.
Shtatori është flakë për Kombëtaren, Çekia dhe Polonia na presin, si i shihni në syrin tuaj?
Tani fillon gara, sepse do të luajmë me rivalë direkt. Por, mos harroni edhe Moldavinë. Mund të fitojmë në Çeki, aty ku pritshmëria është më e vogël, por mund të humbasësh në shtëpi, ose në një ndeshje kur nuk e pret se mund të ndodhë. Analizat duhet të bëhen me kujdes. Koha është e mjaftueshme, por besoj se është bërë hap i mirë nga Kombëtarja.
Këto ditë është mësuar edhe shorti i ekipeve shqiptare në Kupat e Europës, keni ndonjë koment?
Të jem i sinqertë isha i fokusuar te Kombëtarja. Mesa kam lexuar dhe dëgjuar ekipet kanë bërë shumë ndryshime, Egnatia më pak. Ndryshimet sjellin edhe mosnjohje të situatës dhe nuk jam shumë i qartë edhe për ekipet rivalë të klubeve tona, sepse edhe ato ndryshojnë. Vetëm uroj që të shkojnë mirë, pastaj për kampionatin ekipet kanë më shumë kohë për të bërë merkato. Thjesht kam dëgjuar që po bëhen shumë lëvizje.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"