EKSKLUZIVE/ Rikthehet pas 12 vitesh tek Dinamo, zbulohen detajet e firmës së Bruno Ditës me blutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2024 | 9:00

EKSKLUZIVE/ Rikthehet pas 12 vitesh tek Dinamo, zbulohen detajet e firmës së Bruno Ditës me blutë

Akordi ishte arritur ditë më parë, tani vjen edhe zyrtarizimi. Bruno Dita ësht rikthyer te Dinamo pas 12 vitesh. U largua nga skuadra ku u rrit dhe formua si lojtar në vitin 2012, tani ribashkohet me “Nëndetësen” si një lojtar shumë më i pjekur.ditaMesfushori 31-vjeçar vjen pas eksperiencës 4-vjeçare me Shkëndijën e Tetovës në futbollin maqedonas, ndërkohë që ka luajtur më parë me Besën, Teutën dhe Skënderbeun. Me këtë të fundit Dita ka arritur edhe kulmin e karrierës, pasi ka luajtur si titullar në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Pikërisht për eksperiencën e gjatë, kualitetin, por edhe për grintën që ky lojtar manifeston në fushë, ishte një nga objektivat kryesorë të Dinamos.

Presidenti Adrian Bardhi arriti ta bindë lojtarin që të rikthehet te Dinamo dhe kjo është një goditje e rëndësishme e 18 herë kampionëve të vendit në merkaton e verës. Sigurisht, është vetëm fillimi dhe në vazhdim do të ketë surpriza të tjera të mëdha në kampin dinamovit me afrime cilësore, që pritet ta bëjnë këtë skuadër një nga pretendentet kryesore për 4-shen e parë sezonin e ardhshëm.

KONTRATA 

“Panorama Sport” mëson se Bruno Dita ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me blutë, me të drejtën e zgjatjes edhe për një sezon tjetër. Duke qenë një lojtar i rritur te Dinamo, ka gjasa që mesfushori të marrë edhe shiritin e kapitenit, që sezonin e fundit e ka mbajtur Rustem Hoxha.

MESFUSHA

Me afrimin e Bruno Ditës, Dinamo forcon ndjeshëm qendrën e mesfushës, ku në skuadër janë të gatshëm edhe Bakari Gudiabi dhe Klevi Qefalija. Por nuk është afrimi i vetëm për mesfushën, sepse në vazhdim të merkatos do të ketë edhe lojtarë të tjerë që do t’i bashkohen këtij reparti për të rritur konkurrencën dhe për të mos pasur probleme gjatë një sezoni të gjatë, ku çdo rol duhet të jetë i dubluar. Dita ndërkohë është një përforcim me vlera për Dinamon, pasi mund të bëjë edhe mbrojtësin e qendrës në rast sedo të jetë e nevojshme. Me eksperiencën e tij, ai pritet të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm, nga ata që do të udhëheqin blutë drejt rikthimit në majat e futbollit shqiptar.

F. RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"