EKSKLUZIVE/ Rrëfehet menaxheri i parë i FSHF-së, Tafalla: Kur Kombëtaret udhëtonin me anije peshkimi dhe lojtarët paguanin biletën
Me profesion inxhinier ndërtimi, është njeriu që në vitet më të vështira të një shteti, përfshirë edhe sportin, të një kaosi total si ato të 1997-ës, sot 75-vjeçar, energjik, aktiv, i pandryshuar, gjithmonë me biçikletën pranë si asokohe, ai rikthehet të rrëfejë për atë periudhë kritike në Shqipëri dhe në FSHF. Si menaxheri i parë modern në atë institucion, ndonëse pa eksperiencë në organizimin e lëvizjeve, udhëtimeve të lojtarëve, sigurimit të biletave, materialeve, ende i ka të gjalla endjet e tij pa fund:
“Kishte raste kur një lojtar mbetej në aeroport, të flinte 24 orë aty. 1997, Granada, Zyrihu, Tbilisi janë ato udhëtime që nuk i harroj, duke iu referuar rrethanave, mungesave, pengesave të mëdha në komunikim, transport, shto edhe përgjegjësinë. Pa zyrë, kur me një biçikletë lëvizja plot ankth. Si në klandestinitet punonim…”, thotë për “Panorama Sport”, Petrit Tafalla, një personazh tejet i njohur në mjedisin sportiv kryeqytetas, por edhe më gjerë. Pastaj miqtë e tij, nga trajnerët, Bajko, Birçe, Hafizi, Zhega, futbollistët, sekretarët, presidentët, punonjësit e FSHS-së, personalitetet e larta shtetërore, kur të gjithë faleshin te Tafalla edhe për një biletë.
Z. Tafalla, një lidhje e gjatë me sportin, cilat janë fillimet?
Si inxhinier ndërtimi kam punuar në ndërmarrjen e objekteve sportive. Në vitet 1988-1992 kalova në Komitetin e Sporteve, inxhinier për të gjitha objektet sportive, stadiumet, pallate sporti në të gjithë Shqipërinë. 1993-1995, dy vite punova si drejtor i Qendrës së ekipeve kombëtare, pastaj në FSHF si drejtues i investimeve, ku ishte përfshirë FSHF-ja.
Si filluat punë në FSHF?
Kur isha drejtor në Qendrën e ekipit kombëtar, me zyra nën shkallët e stadiumit, organizonim pritjet e ekipeve kombëtare, sistemimin e tyre, autobusët, mjekët, kishim mensën, gjithçka. Eduard Dervishi, sekretar i FSHF-së, kishte parë punën që bënim, si ne i prisnim të huajt dhe një ditë më thotë: “A mundet të bëjmë një propozim që të vish në FSHF të merresh vetëm me menaxhimin e ekipeve tona kombëtare, pritje, përcjellje, akomodimin e lojtarëve, biletat e tyre, të ekipeve të huaja, arbitrave etj. Kur nisa punë ishte viti 1995.
Si ka funksionuar komunikimi me botën në sektorët sportivë para viteve ‘90-të?
Para viteve ‘90-të ishte BFSSH, Komiteti Olimpik, që organizonte udhëtimet pasi lojtarët ishin të gjithë në Shqipëri. Linja kryesore ishte Budapesti, “Malevi”, Roma, etj. Një eksperiencë jo e mirë pak vite më parë, ishte kur skuadra kombëtare e moshës U-18 u nis për në Itali me anije peshkimi. Kjo la shije jo të mirë. Kujtoj se në Sektorin e Jashtëm ka punuar Kreshnik Agolli, pastaj punonjësit Sami Dibra, etj. Më 1993, FSHF u shkëput dhe u vendos në disa zyra të papërshtatshme, poshtë shkallëve të “Qemal Stafës”, në sektorin përballë, plot lagështirë.
Si komunikonit me vendet e huaja, FIFAn e UEFA-n?
Deri kur erdhi kompjuteri i parë, punohej vetëm me një teletekst, një faks i konsumuar. Deri edhe energjia elektrike ishte problem. Një telefon dhe një makinë shkrimi të Gjergji Thakës, ku bënim shkresat. Shpesh shkonin në zyra të tjera për të njoftuar futbollistët, pasi lidhja me jashtë ishte tejet e vështirë, herëherë e pamundur. Linja të zëna nga familjarët, që flisnin me të afërmit e tyre jashtë vendit. I tillë ishte edhe komunikimi me FIFA-n, UEFA-n, federatat e tjera. Edhe ata e dinin problemin, deri edhe për mungesën e letrës së faksit shpesh ndodhte që fakset e tyre nuk vinin, ose mbërrinin me vonesë. Po kështu edhe zarfet, njoftimet zyrtare. Në krizën totale të atij komunikimi na ndihmoi UEFA me një kompjuter, faks të ri dhe një mikrobus “Volkswagen”, dhuratë e “Puma”-s.
Tafalla, si funksiononte mënyra e pagesave për biletat e lojtarëve, etj.?
Agjencia kishte raste na jepte edhe pa i paguar paratë. Madje, për të na ndihmuar, nisur nga vështirësia financiare e FSHF-së, që as para për t’i paguar lojtarët nuk kishte, pagesat e biletave për ta i kryente Interfutbolli, një kompani hungareze, me para në dorë, kur ata vinin në Tiranë. Shefe e zyrës së financës ishte Lindita Kurtiqi, një tjetër grua model në atë punë. Për të pritur ekipet që vinin dhe Kombëtaren tonë ishte Parku i Autobusëve. Për zyrtarët, arbitrat e huaj, drejtues të ekipeve të huaja, merrnim vetura nga Parku i Delegacioneve, ose Parku i Tregtisë.
Kemi një rast, kur lojtarët e Kombëtares akuzohen si konsumatorë të një sasie rekord të birrave?
Ka ndodhur në Kaizerslautern, në dhjetor të 1994. Luanim ndaj Gjermanisë dhe këtë takim e kujtoj për golin e mrekullueshëm të Rrakllit. Por, papritur u njoftuam se dhomat e lojtarëve ishin mbushur me refugjatë. U bë problem, u alarmuam të gjithë, por ishte e pamundur t’i largoje. Kujtoj se trajneri Neptun Bajko u mundua bashkë me dy ndihmësit e tij, por reagimi i tyre, i Hito Hitajt, ishte: “Çfarë të bëjmë, ne mbushës topi jemi”, një shprehje, që nga aty e ka zanafillën. Por, të nesërmen shqetësimi u bë më i madh për stafin tonë, kur na thanë se ishin konsumuar 900 shishe birrë. E pabesueshme. Ama më pas morëm vesh se kishin qenë refugjatët që në llogari të FSHF-së pinin në restorantin e hotelit ku qëndronim ne. Paguam dhe u mbyll edhe kjo histori.
Po në atë takim, pati problem me uniformën?
U nisëm për në ndeshje dhe kur mbërritëm në stadium, kur iu shpërndanë uniformat lojtarëve, u konstatua se kisha harruar në hotel çantën me të mbathurat. Vetëm 45 minuta kohë kishin nga momenti kur doli ky problem tejet shqetësues. Kohë nuk kishte. Ndërhyri Eduard Dervishi, bisedoi me drejtuesit e klubit vendës, ndërkohë u njoftua Policia Rrugore që erdhi menjëherë për të garantuar vajtje-ardhjen e shpejtë në hotel, duke hapur rrugën me sirena alarmi. Ka qenë Besnik Çela ai që u nis dhe brenda një afati të shkurtër, ndërmjet një rruge dytësore, vetëm 15 minuta para se të niste loja, i sollën. Ndërkohë edhe klubi vendës, tejet korrekt, na i siguroi.
Për të ardhur në vitin 1997, Shqipëria në kaos, konfuzion i madh, vjen mbyllja?
Pikërisht kur FSHF-ja kishte nisur të strukturohej, kur kishin nisur të krijoheshin sektorët, shpërthen 1997-ta. Një konfuzion i madh, vjen mbyllja. UEFA dha një telefon me valë, me të cilën lidheshim me të, por edhe me lojtarët që i informonim për udhëtimin. Deri edhe nga shtëpitë komunikonim, pasi kishte ditë që nuk shkonim as në zyrë. Ishte vetëm një e tillë e vogël, ku kanë punuar Edlira Thoma, pas saj Adriatik Gjashta. Unë më tepër isha “transit” si në klandestinitet punonim. Vrapoja në agjenci, deri në orët e vona, nuk kishim orar, nën ankthin e gjetjes së biletave, frikën a e kishte marrë apo jo konfirmimin, linjën, avionin që do të udhëtonte futbollisti, etj. Na ka ndihmuar një agjenci, kujtoj me zyrat tek ish-Blloku dhe punonjësen e saj, Mimoza Xega. Në çdo çast mund të krijoheshin vështirësi, për oraret e lëvizjes së lojtarëve që ndryshonin deri në momentin e fundit. Kjo na krijonte vështirësi në prenotimin e biletave.
Në prag të dy takimeve për kualifikueset e Botërorit ndaj Ukrainës dhe RF Gjermane çfarë ndodhi?
Koincidoi që ishin dy ndeshje të rëndësishme të ekipit kombëtar me Ukrainën dhe RF Gjermane të programuara për t’u luajtur në mars – prill në Tiranë. Pikërisht kur u bllokuan udhëtimet, agjencitë. U krijua një situatë e vështirë. Eduard Dervishi nga Zvicra, ku ndodhej për motive pune, ndërsa trajneri Astrit Hafizi me Sulejman Memën në Maltë, në një seminar, nuk mund të vinin në Shqipëri. Aeroporti i Rinasit ishte mbyllur, po kështu edhe avionët i pezulluan fluturimet. Një takim me Spanjën, pak vite më parë, për pasiguri në vendin tonë, nuk u zhvillua. Spanja e fitoi atë takim në tavolinë.
Dhe cila ishte zgjidhja?
Nisur nga situata, FIFA caktoi që ato dy takime të luheshin në Granadë, qytet në jug të Spanjës. Nga Zvicra, Dervishi u nis për në Spanjë, po kështu edhe Hafizi me Memën. Duke parë pamundësinë e udhëtimit të lojtarëve shqiptarë, u gjykua të merreshin vetëm ata që luanin jashtë, pasi nuk kishin problem udhëtimin. Madridi do të ishte aeroporti transit për në Sevilje, pastaj Granada.
Por ka edhe një grup futbollistësh, zyrtarë që niseni nga Tirana?
Edhe pse NATO dha urdhër që të hapej aeroporti i Rinasit, jemi nisur për në Athinë, ku qëndruam një natë. Ishte Edmond Spaho, presidenti i FSHF-së, 8-9 lojtarë të ekipit Shpresa, stafi me Besnik Çelën, mjekun Heqimi, masazhatorin Skorovoda, gazetarin Zalla, si dhe tre lojtarë të kampionatit tonë, Alban Bushi, ndërsa Ilir Shulku, Blendi Nallbani, erdhën më vonë me linjë tjetër nga Frankfurti. Në Athinë u morën vizat për në Spanjë. Prenotimi, sigurimi i biletave në atë mars të vitit ‘97, ka qenë një tmerr i vërtetë. Ajo e Granadës, një histori më vete.
Në atë vit është edhe një takim tjetër në asnjanësen e Zvicrës?
Situata në Shqipëri vazhdonte e rënduar, e pasigurt, nuk u jepej garanci ekipeve të huaja të luanin këtu. Për këto motive ndeshja me Irlandën e Veriut me urdhër të FIFA-s u zhvillua në Zyrih të Zvicër. 10 shtator 1997 ka qenë një takim historik edhe për faktin që fituam 1-0 me golin e Haxhit.
Punë intensive, që nuk ka fund, si e përballonit?
Është një periudhë ku profesioni i inxhinierit nuk më shërbente më. Isha transformuar në një pikë referimi për lojtarët, ata që luanin jashtë. “Tafalla… Tafalla, – kështu më thërrisnin, – Çfarë bëre me biletën time?” Nuk shkoja në shtëpi, frekuentoja një lokal “Musain”, ose te “Plepi”, pranë FSHF-së, aty konsumoja mëngjesin, drekën, darkën. Tentoja ta mbaja mirë me të gjithë, dikujt i siguroja një biletë që të më kryenin punë. Dhe të mendosh, kisha një pagesë, rrogë modeste. Në kohën e Starovës, ishte ai që na e rriti rrogën, falë një bonusi që vinte nga UEFA për punonjësit e FSHF-së.
Të gjithë presin, pyesin a do të vijë lojtari apo jo?
Vinin për grumbullime edhe në orët e fundit, me avionë të ndryshëm linja jodirekte, pasi në ato vite edhe në Rinas numri i avionëve ishte i reduktuar. Pastaj eksodi, një tjetër fenomen, apo lojtarë që nuk i lejonin klubet, duhet të anulonim biletën. Ndodhte që avioni të nisej me vonesë, futbollistët nuk kombinonin, duke humbur atë të radhës. Trajnerët më pyesnin, sikur më kërkonin llogari: “Tafalle, do të vijë lojtari, është njoftuar?” Ose: “Pse nuk gjete një linjë tjetër”?
Edhe nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik kishit probleme, çfarë mbani mend?
Janë shumë raste kur futbollistët tanë kanë mbetur, janë endur nga një aeroport në tjetrin, si p.sh. Hysen Zmijani, Altin Rraklli, që do të nisej për në Spanjë. Ai ka qëndruar i bllokuar me orë në aeroport. Vështirësi të mëdha kishte me lojtarët që luanin në ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik, pasi edhe atje linjat e avionëve ishin problematike, me transit, ose të shkonte direkt në qytetin ku do të luhej ndeshja. Ishte shumë e vështirë gjetja e biletave për t’i kombinuar këto lëvizje. Qëllonte që ata ishin të detyruar të qëndronin me orë të gjata pritje, deri edhe një ditë, duke dremitur nëpër aeroporte. Për ta kishte rëndësi edhe kthimi në klubet e tyre, kërkonin bileta që u garantonin udhëtimin në kohë. Shpesh biletat i paguanin vetë, deri kur ne ua likuidonim.
Vendoset avioni, çarteri, ndryshon udhëtimi apo jo?
Udhëtimi i parë me çarter, them ka qenë viti 1993, në Lituani. Ndonëse nisej nga Tirana, lojtarët duhet të grumbulloheshin të gjithë këtu, përfshirë ata vendës, por edhe të tjerët që vinin nga jashtë. Kishte raste kur futbollistët, kryesisht ata shqiptarë, nuk ktheheshin pas ndeshjeve. Me avionin çarter, ndonëse jo gjithmonë, jo sistematik udhëtimi me të, sidoqoftë kam mendimin se fenomeni i largimit u reduktua.
Sistemimi në hotele, një tjetër problem?
Po, e vërtetë. Kjo edhe për skuadrat që vinin nga jashtë. Hotelet ishin problem i madh, me kushte të mjeruara, të amortizuar, nuk mund t’i dërgonim aty. Shpesh edhe reagonin, njoftonim FIFA-n, UEFA-n. Shërbenin hotelet “Arbëria”, “Dajti”, “Tirana”, “Ballkani”. Ndërsa Linza, për ekipin tonë Kombëtar.
Më folët për vizat e lojtarëve, arbitrave, çfarë procesi ndiqnit?
Shumë problem ishte viza për futbollistët shqiptarë, marrja e saj në ambasada ishte një tjetër proces i lodhshëm. Sektori i jashtëm, Edlira, Besnik Çela, përgjegjës të ekipeve kombëtare që merreshin direkt me to. Për t’i marrë donte kohë dhe shpesh vonoheshin, sepse ndodhte që ato të merreshin edhe në shtete të tjera transit. Por, pa to nuk mundet të merrja biletat. Dhe kjo, deri kur për ta nisi aplikimi i pasaportave të shërbimit. Po kështu edhe për arbitrat shqiptarë që dilnin jashtë, më duhet të rezervoja biletat, por ishte problem se nuk kishte linja avioni. Qëllonte që një shërbim i tyre të shkonte një javë, vajtjeardhje. Kam raste kur edhe ata nuk janë kthyer nga jashtë, pasi kanë përfunduar ndeshjen, kanë qëndruar atje.
Keni punuar me disa sekretarë të përgjithshëm, ndër të cilët z. Eduard Dervishi, nga Spanja, ju konsideron modeli qytetar, vlerëson punën, pasionin, ndershmërinë. Po kështu edhe Starova, ju konsideron një hero për çfarë keni bërë në ato vite të vështira?
Dua të shtoj edhe Skënder Hykën, edhe me atë kam punuar si sekretari i FSHF-së. I falënderoj për vlerësimet që japin, edhe pse ka kaluar shumë kohë. Ishim miq, shokë, por detyrat, përgjegjësitë, ishin të ndara. Si asokohe, edhe sot, me ta komunikoj vazhdimisht. Për mua ato 5-6 vite, sa të vështira, delikate, tensioni, aq edhe të bukura mbeten.
Por edhe me tre presidentë?
Po, si Edmond Spaho, Miço Papadhopulli, njerëz të jashtëzakonshëm, të komunikueshëm, të sinqertë, të dashur, kur kujtoj në çfarë kushtesh kanë punuar e drejtuar. Po kështu edhe anëtarët e KE-së. Por, njeriu që ndryshoi rrënjësisht, reformoi Federatën e Futbollit, ishte Armand Duka. Që në ditët e para pasi u zgjodh president, vitit 2002, gjëja e parë që bëri ishte transferimi i zyrave plot myk nga ish-shkallët e “Qemal Stafës”, në një mjedis tjetër, duke vijuar pa u ndalur edhe sot, në modernizimin e vazhdueshëm të institucionit më të lartë të futbollit në vend.
Z. Tafalla, keni pajisur me bileta lojtarë për jashtë vendit, keni menduar ndonjëherë të largoheshit edhe ju?
Jo, asnjëherë. Pasi kisha familjen, të afërm, miq, shokë.
Për lexuesit, a mund të na përmendni disa emra, personalitete, që keni pritur e përcjellë?
Janë pa fund. Drejtues shteti, politikanë, emra, skuadra, sportistë të njohur, shqiptarë, të huaj. I paharruar Paolo Rosi, kur erdhi në Tiranë me Kombëtaren Over 45. Viti 2000 ka qenë. E kujtoj edhe për faktin se i humbi, a i vodhën çantën e materialeve dhe e çuam te dyqani “Adidas”, tek ish-Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi”. Pronari i dhuroi një çantë me materiale. Ka qenë një periudhë që para ndeshjeve, të gjithë vinin më takonin, kërkonin biletë nga unë.
Më treguat për një çast frike, për një çantë të humbur… Si qëndron e vërteta?
Po, ka qenë në Gjeorgji, më 1998-ën. Unë udhëtoja gjithmonë me një çantë dore ku mbaja valuta për t’i përdorur në raste urgjente. Në Tbilis, pas mbaroi darka zyrtare dhe u ndamë secili në dhomën e tij, u kujtova për çantën. Orë ankthi, pyeta mos e kishte parë apo gjetur njeri. Por kush mund ta dorëzonte në atë qytet me vështirësi ekonomike. Një natë pa gjumë duke u endur në dhomë. Në mëngjes, ndërsa vazhdoja të turfulloja pa i treguar askujt, si do t’ua thosha drejtuesve, dhe kur e mendova të humbur, erdhi Agim Veshi, shoferi që ishte në delegacion me ne dhe më tha: “E jotja është kjo çanta, merre se e kishe harruar në dhomën time”. Pa e ditur se çfarë kishte brenda. Vetëm kur ia hapa, e pa dollarët, shtangu.
Flasim pak për një detaj, biçikletat, sa i lidhur, sa ju kanë shërbyer?
Kanë kryer punën e një celulari në kohën kur nuk kishte mjete të shpejta, të sigurta dhe moderne komunikimi. Një histori tjetër kjo. Nuk përdorja motor, si një mjet i rrezikshëm në rrugët e Tiranës, trafik. Më kërkohej të lëvizja shpejt, pa humbur kohë.
Por edhe kujtime jo të mira keni me to?
M’i vidhnin sistematikisht. Mbi gjashtë të tilla më kanë humbur. Vjedhësit më njihnin, i dinin lëvizjet e mia, më ruanin, i lija jashtë, se në FSHF, në agjenci, nuk kishim vend për to. Herë i mbyllja, herë jo, pasi nxitoja. Ata përfitonin, dhe kur dilja, nuk e gjeja. Kthehesha në këmbë në FSHF, pa i thënë gjë askujt. Biçikletat ishin personale dhe kushtonin. Vetëm kur më shihnin me një të re, atëherë e kuptonin se ma kishin vjedhur. Fillimisht mërzitesha dhe në ato pak shpresa dhe tentativa për ta gjetur koha nuk më priste, detyrohesha të blija një të re. Pasi më vodhën të parat, sikur u mësova. Kur dilja dhe e gjeja, shpëtoi këtë herë thosha. Në përgjithësi përdorja biçikleta 28-she, të markave “Robusta”, kineze. Më shërbenin edhe për të vendosur materiale. Por, nuk jam vetëm. Edhe punonjës të tjerë FSHF-së ishin viktima të vjedhësve të biçikletave.
Edhe sot, shohim që nuk i ndaheni biçikletës…
Kam dy, edhe një elektrike. Biçikleta më pëlqen, më jep mundësi të lëviz, takoj shokë e miq. Pastaj kam nostalgji për kohën që më ka shërbyer. Besoj se trajnerë, drejtues, futbollistë, anëtarë komiteti ekzekutiv, zyrtarë, arbitra, gazetarë, radiotelekronistë, që kanë siguruar bileta, kanë udhëtuar jashtë shtetit edhe me kontributin e asaj biçiklete.
UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"