EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Hygor: Më mbaruan edhe kursimet, po shkojmë 4 muaj pa u paguar. Askush s’më telefonoi nga Vllaznia në momentet më…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2020 | 10:48

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Hygor: Më mbaruan edhe kursimet, po shkojmë 4 muaj pa u paguar. Askush s’më telefonoi nga Vllaznia në momentet më…

Futbollisti i Vllaznisë Hygor Gonçalves, pas situatës së veshtirë të krijuar me bojkot të stervitjes ka reaguar duke treguar shumë gjëra. Mesfushori Brazilian rrëfen vështirësitë për “Panorama Sport” dhe thotë se në 31 maj të këtij viti i mbaron kontrata, pra kanë mbetur edhe 6 ditë.

HYGOR

Hygor shprehet se është në situatë të veshtirë sepse i kanë mbaruar paratë ndërsa po bëhen 4 muaj pa marrë pagën tek Vllaznia. Ai deklaron se në rast se kjo situat nuk zgjidhet atehere ai mund të kthehet në Brazil tek familja e tij edhe pse deshira e të gjithë lojtarëve është per t’u stërvitur dhe për të luajtur ndeshjet e mbetura.

Mesfushori rrëfen se gjate pandemisë askush nga klubi nuk është kujdesur per të, madje nuk e kanë telefonuar as për t’i treguar se kur lejohej dalja dhe kur jo apo për situata të tjera në Shqipëri lidhur me COVID-19. Me poshtë intervista e plote e brazilianit Hygor:

Si është situata, çfarë po ndodh tek Vllaznia?

Nuk e di cila është situata reale. Unë kam një problem të madh sepse kontrata më mbaron me 31 maj dhe në total bëhen 4 muaj pa u paguar. Unë e kuptoj gjithë situatën nga pandemia, e gjithë bota është në këtë situatë por mendoj se disa probleme duhet të zgjidhen tek Vllaznia për të na ndihmuar ne të gjithë lojtarëve. Unë do të pres por kontata ime mbaron në 31 maj dhe shpresoj që të më paguajnë muajt e prapambetur që më pas të zgjasim kontratën nëse klubi dëshiron për dy muaj, një vit apo sa të duan. Unë dëshiroj që të qëndroj në Shkodër edhe për një vit ose dy vite. Unë e dua Vllazninë, e dua Shkodrën. Gruaja ime, djali im ndjehen mirë dhe janë të lumtur këtu por imagjinojeni situatën time me 4 muaj pa u paguar. Si mund t’i them bashkëshortes që shiko se duhet të qëndrojmë edhe dy muaj ose një vit pa u paguar, është e pamundur dhe shpresoj që ta zgjidhin këtë situatë jo vetëm për mua por për të gjithë lojtarët, jemi në të njëjtën situatë.

Nëse nuk ju paguajnë deri më 31 maj çfarë do të bëni pasi kontrata juaj të mbarojë?

Unë humba mamanë por u riktheva nga Brazili për të luajtuar me Vllazninë sepse kisha mbështetjen e tifozëve, administratorit, trajnerit, klubit dhe të gjithëve dhe u riktheva për të luajtur për të marrë atë ndjesi të mirë dhe lumturi që kisha përsëri. Pas kësaj situate me 4 muaj pa u paguar është e vështirë për mua. Koka ime nuk është më këtu, koka ime është me familjen në Brazil. Ata më telefojnë çdo ditë dhe më thonë eja qëndro me ne sepse na nevojitesh. Kam xhaxhain, vëllanë, kam gjyshen e cila është e vetme dhe na duhet që të qëndrojmë bashkë por unë i lash ata dhe erdha të luaj. Në këtë situatë është e vështirë dhe unë nuk mund të flas thjeshtë për mua dhe bashkëshorten por më duhet të mendoj për të gjithë familjen.

hygor vllaznia

Do të shkoni në Brazil?

Mund të kthehem atje nëse këtu asgjë nuk ndodh dhe nuk kemi një zgjidhje.

Si ishin këta muaj të pandemisë për ju dhe familjen?

Ishte e vështirë natyrisht. Në 3-4 vitet e fundit kam luajtur në vende të tjera dhe nuk kam patur kohë të qëndroj me familjen time sepse kam udhëtuar shumë, ndeshjet po ashtu dhe në këto muaj ka qenë shumë mirë sepse çdo mëngjes jam zgjuar me djalin tim që herët, i kam bërë mëngjesin bashkëshortes dhe djalit dhe gjëra të tilla që më përpara nuk kam mundur. Nga ana tjetër ishte një moment i vështirë sepse na nevojitet stërvitja dhe kur zgjoheshim dëshira ishte për të dalë por duhej të qëndronim brenda sepse momente të vështira. Unë mendoj se pandemia tani është në fund ose drejt fundit dhe do t’i rikthemi normalitetit.

Si ishin këta muaj pa para ose pa pagën tuaj mujore?

Ishte shumë e vështirë vëlla por si mund t’ju them, unë kisha disa para sepse kur merr pagën t’i duhet të jesh i përgatitur për gjithçka dhe këtë e kam mësuar në jetën time edhe pse tani paratë më kanë mbaruar. Deri tani kam patur kursimet dhe me ato kam jetuar . Të qëndroj më shumë është e pamundur nëse nuk paguhem edhe ne e kuptojmë sepse është moment i vështirë në gjithë botën. Edhe në familjen time, vëllai humbi punën e tij dhe ai kishte nevojë për mua në këtë moment dhe unë i thashë shko tek shtëpia ime që kam në Brazil sepse vëllai është në Brazil dhe ai është në banesën time sepse nuk ka para për të paguar qeranë  por tani më duhet që të marr paratë, pra pagat që të mbështes familjen time këtu dhe në Brazil.

Lojtarët e Vllaznisë në këtë moment janë të bashkuar apo jo?

Të gjithë lojtarët jemi sëbashku qoftë lojtarët shqiptar të Vllaznisë por edhe të huajt, ne kemi një vendim të përbashkët. Ne të gjithë dëshirojmë që të dalim sërish në stërvitje, të luajm, dua të rinovoj kontratën dhe të qëndroj edhe një vit por na duhet mbështetje financiare. Qëndrova dy muaj i mbyllur dhe nuk mora një telefonatë nga askush  që të më lajmëronin që sot mund të dalësh deri në këtë orë apo të më lajmërojnë për çfarë ndodhte por kam miq këtu dhe i kam pyetur çdo ditë por mua nuk më lajmëroi askush, flas nga këta të klubit, pra punëdhënësit e mi. Edhe pse ishte situatë e vështirë nuk më kanë kontaktuar por kam bërë vetë kujdes për veten dhe jam informuar. Kam komunikuar me shokë, me lojtarë dhe i kam zgjidhur disi.

Policia ju ka ndalur ndonjëherë kur keni dalë?

Jo jo, nuk më kanë ndalur asnjëherë. Kam qëndruar brenda dhe kam shkuar thjeshtë në supermarket për të blerë ushqime dhe policët më kanë njohur mua si futbollist të Vllaznisë dhe më përshendesnin duke buzëqeshur, si je, a je mirë dhe kështu e kam kaluar duke mos dalë shumë.

Keni qenë i frikësuar nga pandemia e COVID-19?

Po po, as që nuk diskutohet. Kam të njohur në Brazil, jo direkt miqtë e mi por miq të familjarëve të mi ose të njohur të tjerë që kanë humbur jetën dhe kanë qenë momente të vështira. Në Brazil normalisht që ka qenë shumë më rrezik se këtu.

Pagën që ka dhënë Federata Shqiptare e Futbollit e keni marrë?

Vetëm një muaj kemi marrë dhe jemi duke pritur për muajin e dytë. Kemi marrë 350 mijë lekë të vjetër dhe natyrisht që janë krejtësisht të pamjaftueshme. Nuk më duhen paratë thjeshtë për të ngrënë dhe kam impenjime të tjera në Brazil, kam gjëra të tjera në jetën time dhe kam ardhur të marr atë pagë që kemi rënë dakord dhe nuk më duhen paratë vetëm për të ngrënë. Më duhen paratë që të paguaj gjëra të tjera në Brazil por edhe këtu. Ato para për këtu thjeshtë sa për të ngrënë mund të jenë në rregull por jeta nuk është thjeshtë për të ngrënë dhe qëndruar në shtëpi edhe pse unë e kuptoj këtë situatë.

Hygor-Guimaraes-Goncalves-firme

Nëse nuk ju paguajnë ju nuk ktheheni në stërtitje apo jo?

Unë kam ardhur të punoj dhe e kam bërë një gjë të tillë. Tani janë bërë disa muaj dhe kontrata ime mbaron në 31 maj do të pres këto ditë dhe në rast se s’ka një zgjidhje nuk e di se çfarë do të ndodh.

Keni oferta nga skuadra të tjera?

Nuk kam një ofertë konkrete por ka disa kërkesa ose disa biseda me ekipe në Brazil por asgjë konkrete për momentin.

Keni folur me administratorin Lici për këtë situatë?

Jo nuk kam folur akoma, e kam parë vetëm një ditë kur bojkotuam stërvitjen dhe më pas dhe mendoj se ai ka probleme të tjera. Gjithsesi ne si lojtarë jemi bashkë dhe këtë vendim e kemi marrë sëbashku dhe do të presim të gjithë, bashkinë, administratorin dhe gjithë të tjerët.

Administratori Lici deklaroi që mund të luajnë 19-vjeçarët, e keni dëgjuar?

Është vendimi i tij sido që të jetë. Nëse do këtë mund ta bëj por mendoj se duhen gjetur zgjidhja për ne sepse ne kemi dëshirë që të luajmë, të stërvitemi dhe minimumi që ne kërkojmë ose synojmë është që Vllazninë ta lëmë në Kategorinë Superiore dhe jo të bie në të parën.

Mundet Vllaznia që me U-19 të qëndrojë në Kategorinë Superiore?

Edhe nëse ne rikthemi për të luajtur kemi shanse që edhe të biem nga Kategoria Superiore, pra nuk jemi të sigurtë dhe imagjinoni pastaj U-19. Kategoria Superiore në Shqipëri është kampionati i mirë dhe shumë i fortë. Ne mund të fitojmë me Tiranën dhe Partizanin dhe mund të humbim me Flamurtarin dhe Luftëtarin. Dua të them se të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe skuadrat të ngjashme.

Nëse ju merrni paratë dhe riktheheni në stërvitje, për kaq ditë sa ju kanë mbetur çfarë mund të bëjë Vllaznia sepse në 3 qershor fillon kampionati?

Është e vështirë. Ne kemi bërë ushtrime në shtëpi në mënyrë individuale gjatë kësaj kohe por edhe në natyrë kur është lejuar dalja. Ne nuk jemi as 60% të formës, normalisht dhe gjëja më e rëndësishme janë dëmtimet dhe në këto ditë sa kanë mbetur nëse i kthehemi stërvitjeve duhet të përgatitemi gradualisht që të mos kemi dëmtime sepse në pak ditë janë ndeshjet. Nëse ne humbasin 3-4 lojtarë nga dëmtimet atëherë është katastrofë për Vllazninë. Nga ndeshja në ndeshje duhet që të gjejmë performancën e duhur. Ndeshjet e para sipas mendimit tim mund të luajmë më shumë në mbrojtje deri sa të arrijmë performancën e duhur.

vllaznia hygor

Është normale që kampionati të rinis me 3 qershor?

Për mendimin im kampionati duhej të ndërpritej sepse nuk kanë kohë ekipet për stërvitje. Imagjinoni Gjermaninë në javën e parë të kampionatit rezultuan 8 lojtarë të dëmtuardhe imagjinoni këtu ku jemi ne, po flasim për Bundesligën Gjermane sepse ata kanë shumë njerëz që kujdesen për një lojtar dhe ne jemi në Shqipëri ku nuk kemi të njëjtat kushte.

Do ta dërgoni Vllazninë në FIFA në rast se nuk ju paguajnë 4 muajt që ju pretendoni?

Unë do të pres bashkinë, administratorin Lici apo ndonjë drejtues tjetër se çfarë do të thonë. nëse më thonë që duhet të pres disa muaj për pagat e mia normalisht që do pres se e kuptoj situatën por për më gjatë pastaj duhet të flasim se si mund të zgjidhet.

Ka zëra që po përgatiten disa gjoba nga klubi për shkak se nuk keni dalë në stërvitje?

Deri tani nuk na e kanë thënë një gjë të tillë. Nuk e di nëse do ta bëjnë apo jo por di të them që ne lojtarët jemi bashkë dhe jemi në bojkot. Policët mund të bëjnë bojkot, ju si gazetar mund të bëni bojkot, është normale   Ne nuk jemi gabim, ata janë gabim. Ata duhet të na paguaj dhe ne jemi në rregull jo gabim në sjelljen tonë. Ne e kuptojmë situatën e vështirë por duhet të mendojmë për jetën tonë.

Megjithatë nëse gjithë lojtarët do bëjnë bojkot edhe unë do jem me ta normale por ne dëshirojmë të stërvitemi dhe të luajmë. Kemi mbi dy muaj pa stërvitje dhe ju mendoni se jemi të lumtur, absolutisht që jo. Ne jemi gati që për ndeshjen e parë por më përpara duhet të rregullohen disa gjëra në klub që të ndodh kjo. Besoj se diçka do të ndodh dhe do zgjidhet kjo situatë dhe shpresoj që të zgjidhet sa më shpejt.

HYGOR

Që pas bojkotit ju kanë kërkuar që të dilni në stëvitje?

Po na kanë sjellë një mesazh për të dalë në stërvitje në 22 maj por lojtarët refuzuan dhe thanë ne jemi në bojkot dhe nuk do të stërvitemi. Shpresojmë që të bëjnë diçka. Ne lojtarët e huaj kemi edhe një problem se nuk e kuptojmë çfarë ndodh këtu dhe përse vijnë këto probleme dhe unë për vete thjeshtë pres telefonatë që të më thonë bëj këtë ose bëj atë nga lojtarët e tjerë dhe bëj siç bëjnë gjithë të tjerët. Ajo që unë di është se nuk jemi paguar por jo arsyet.

SENAD NIKSHIQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"