EKSKLUZIVE/ Salamin e duan në Izrael, Kukësi nuk joshet nga oferta. Skuadra pushime pa fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2024 | 12:02

EKSKLUZIVE/ Salamin e duan në Izrael, Kukësi nuk joshet nga oferta. Skuadra pushime pa fund

Gbolohan Salami është çështja më “e nxehtë” te Kukësi. Sulmuesi nga Nigeria mund të zgjidhë “hallet” financiare të bluve, por duket se drejtuesit po mbahen fort dhe për momentin janë duke refuzuar ofertat që aktualisht duken në shifra jo optimale.

SALAMI

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se në adresë së skuadrës kuksiane këto ditë ka ardhur një ofertë prej 50 mijë eurosh nga skuadra e Superligës izraelite, Bnei Yehuda. Ata janë të gatshëm që përpos kësaj shume, t’i lejojnë bluve të mbajnë edhe 10 % të kartonit të Salamit në rast të ndonjë rishitje të tij të mundshme tek një skuadër tjetër në të ardhmen.

KUKËSI REFUZON – Për momentin, Kukësi i ka kthyer përgjigje negative skuadrës izraelite, pasi Salamin nuk e vlerëson kaq lirë, edhe pse do të mbajnë 10 % të kartonit, nëse do të shitet. Sulmuesi konsiderohet si një nga xhevahiret e kësaj skuadre dhe në klub kanë pretenduar me kohë që të përfitojnë shuma më të mëdha nga shitja e tij, duke refuzuar më herët edhe oferta më të kënaqshme në aspektin ekonomik. Për më tepër që 50 mijë eurot do të duhet t’i ndajë në mënyrë të barabartë me klubin mëmë të Salamit në Nigeri, ndaj kjo shifër nuk i “ngroh” aspak drejtuesit verilindor.

Vetë dëshira e nigerianit është të vazhdojë një aventurë të re, por sipas të gjitha gjasave është i detyruar që të rikthehet sërish në Shqipëri, pasi është nën kontratë edhe për një vit me verilindorët. Nga ana tjetër, Kukësi rrezikon që sezonin e ardhshëm ta humbasë me parametra zero, prandaj duhet të bëjë mirë llogaritë: të fitojë më pak para tani apo ta mbajë në skuadër për të arritur synimet për ngjitjen dhe ta humbasë vitin e ardhshëm. Aktualisht vlera e tij në treg 300 mijë euro dhe kjo është pak a shumë shifra që mund të kënaqte blutë ta linin të lirë.

SKUADRA – Me kampionatin që për afro 6 javë, Kukësi ende nuk ka nisur nga puna për edicionin e ri. Fillimisht u mendua që javën e kaluar skuadra do të zbriste në fushë nën drejtimin e Oltion Kërnajës, por kjo gjë nuk ndodhi. Mbetet për t’u parë nëse do të ndodhë gjatë kësaj jave apo do të shtyhet sërish. Deri më tani nga skuadra janë larguar pjesa dërrmuese e lojtarëve, por klubi pretendon të mbajë të lidhur ata që janë nën kontratë dhe me pak ndërhyrje të jetë pretendent për ngjitjen në elitë. Deri më tani, janë shumë larg skuadrave të tjera pretendente, që kanë zbritur në fushë dhe po bëjnë merkato.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"