EKSKLUZIVE/ Si para 44 viteve, legjenda Musta parashikon derbin: Partizani tani ka autoritet, e thyen Tiranën si në… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2023 | 23:50

EKSKLUZIVE/ Si para 44 viteve, legjenda Musta parashikon derbin: Partizani tani ka autoritet, e thyen Tiranën si në… (E PLOTË)

Na ndajnë vetëm dy ditë nga ndeshja më e madhe e këtij sezoni, ajo mes Partizanit dhe Tiranës, të mërkurën në “Air Albania” në orën 18:30. Sa më shumë afron kjo ndeshje, aq më shumë shtohen emocionet dhe drithërimat e atyre që e ndiejnë këtë përballje si dikur. Një nga ata që e përjeton më së shumti dhe që ka lënë gjurmë të thella në historinë e të kuqve, është legjenda Perlat Musta.

perlat musta

Ish-portieri, tashmë drejtues në akademinë e klubit të kuq, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, flet rreth ndeshjes së të mërkurës, por i bën edhe një paralelizëm kësaj sfide me ata të së shkuarës, duke sjellë në kujtesë edhe ndoshta derbin e fundit të ngjashëm me këtë të ardhshmin, ku dy skuadrat luftonin së bashku për titullin kampion.

Bëhet fjalë për 44 vite më parë, një moment, të cilin Musta e tregon mjaft bukur. Në situatën aktuale, ai shprehet se Partizani tashmë ka fituar më shumë autoritet dhe i sheh “demat” më të avantazhuar në derbi për shkak se ata nuk kanë asgjë për të humbur, ndryshe nga Tirana.

perlat musta

Kur e mbani mend një derbi, ku Partizani dhe Tirana luftonin së bashku për titullin kampion?

Në mos gaboj ka qenë në vitin 1979, kur edhe kemi dalë kampionë. Ka qenë një situatë mjaft e ngjashme, pasi edhe aktualisht duhen katër ndeshje për t’u mbyllur kampionati. Fiks si tani, Tirana ishte dy pikë para nesh, ishte sistemi me 2 pikë për fitoren dhe 1 pikë për barazimin atëherë. Ne vinim pas një humbjeje në Vlorë me Flamurtarin. Më pas kemi luajtur derbin dhe kemi fituar me shifrat 1-0. Në fund kemi dalë kampionë. Golin e ka shënuar Agim Murati.

Gjatë karrierës keni luajtur shumë derbe dhe një pjesë ndoshta edhe nuk i mbani mend, por a ka ndonjë që ju ka ngelur në kujtesë për mirë?

Kemi luajtur pafund. Unë kam rreth 19 kampionate me Partizanin dhe gjatë kësaj kohe kemi luajtur edhe në Kupën e Republikës. Ndesheshim minimumi dy herë në vit, teksa mund të ndodhte të përplaseshim edhe në Kupa të tjera të vogla që organizoheshin. Gjithnjë na binte të ndesheshim me Tiranën. Pavarësisht gjithçkaje, po flasim për dy emra shumë të mëdhenj të futbollit shqiptar. Kemi pasur krenari dhe dëshirë të luanim këto ndeshje. Është privilegj, por edhe sakrificë, nga të dyja palët. Them sakrificë, sepse që të fitosh një ndeshje të tillë duhet një punë e madhe. Derbi nuk është vetëm ai 90- minutëshi që luhet ndeshja, nis gjithçka një javë më parë dhe çdo moment mendon për atë ndeshje. Partizani dhe Tirana kanë qenë gjithnjë pretendente.

A keni ndonjë peng që ju ka ngelur nga ndeshjet me Tiranën?

Peng më ka ngelur çdo ndeshje që ne e kemi humbur. Por ajo që mbaj mend dhe dua ta theksoj është se për aq kohë sa kam luajtur unë, ne kemi qenë gjithnjë në epërsi ndaj Tiranës në lidhje me fitoret dhe humbjet. Edhe tani është thuajse i njëjti trend dhe ka arritur të ruhet pak a shumë. Kështu që mund të them se kam më shumë momente të mira, sesa të këqija.

Ku ndryshon përjetimi i derbit mes jush në atë kohë dhe futbollistëve të kohëve të sotme?

Unë mund të flas me saktësi për emocionin e periudhës sime, sepse nuk e ndiej dot as dhimbjen, as kënaqësinë e tjetrit. Në kohën time situata ka qenë më ndryshe. Edhe sot mund të ndihet diku atmosfera e dikurshme, por mendoj se të paktë janë ata që e përjetojnë si dikur. Ka qenë tjetër situatë, sepse në atë kohë njerëzit ishin të gjithë të fokusuar te futbolli. Kjo lojë ishte ushqim i përditshëm. Sa njerëz vijnë tani në stadium për të parë ndeshjet, ne na vinin në ditët e javës gjatë stërvitjes. Se kur bëhej ndeshje kontrolli vinin mbi 7 mijë veta. Të enjten ne bënim ndeshje mes ekipit të formacionit dhe ekipit rezervë. Kjo atmosferë të impenjonte dhe bënte që të ishe sa më i rregullt në çdo aspekt. Sepse nuk ishte e rëndësishme vetëm ndeshja, por edhe regjimi.

Tani që keni shumë kohë që nuk jeni në fushë, por e shihni nga tribuna. I ndieni akoma emocionet e dikurshme apo koha e ka zbehur përjetimin?

Dëgjo, emocioni është akoma, madje është edhe më i madh kur nuk je vetë në fushë. Por duhet të pranojmë se është ftohur vetë “klima” para kësaj ndeshjeje. Kjo javë në fakt ka qenë edhe me reshje shiu dhe do të vazhdojë, kështu që (qesh)… Është ftohur në përgjithësi e gjithë klima e futbollit. Ka një shkëndijë vetëm në rastet kur ka ndeshje Tirana dhe Partizani. Siç janë tani, them se dita e mërkurë do të jetë një masivizim i madh i tifozëve, sepse janë të dyja kampet, që presin për titullin. Nga ana tjetër, unë them se Partizani nuk ka çfarë të humbasë. Tirana është 2 pikë përpara dhe është ajo në këtë rast që ka diçka për të humbur. Pavarësisht kësaj, unë them se fitorja e Partizanit do t’i jepte një shtysë shumë të madhe. Por ngelen edhe tri ndeshje dhe i duhet të mos gabojë në asnjë rast në vazhdim. Mendoj se Partizani do ta ketë më të lehtë në anën psikologjike, sepse më në presion është ai që ka diçka për të humbur, sesa kundërshtari. Në rastin e Tiranës, që ka për të humbur, ekipi mund të jetë më i kontraktuar, më pak i kthjellët.

Si prisni të shkojë kjo ndeshje?

Mendoj se skuadra që do të shënojë e para, do të ketë shanse shumë të mëdha për të fituar. Sepse kështu ka shkuar edhe në ndeshjet e kaluara. Për këto ndeshje nuk ka rëndësi se kush është më mirë, apo kush është më keq, flitet vetëm për ato 90 minuta dhe nuk dihet se si mund të shkojë. Edhe në kohën tonë nuk ka fituar ai që për momentin ishte më mirë në klasifikim. Ka fituar Tirana kur ka qenë më keq në renditje, kemi fituar edhe ne në një situatë të ngjashme.

Sa përcaktues është ky derbi për titullin?

Ky mund të jetë një hap i madh për Partizanin nëse e fiton, ashtu si edhe për Tiranën, që konsideron edhe barazimin. Janë edhe nëntë pikë, edhe tri ndeshje dhe ky kampionat ka treguar se është shumë i fortë dhe i luhatur. Nuk është vendosur asgjë dhe të gjithë kërkojnë të fitojnë çdo pikë të mbetur në këto katër javë.

Si dikush që e sheh skuadrën nga jashtë, çfarë ju duket një element, që Partizani e ka pikë të fortë në këtë vit?

Partizani nuk mund të them se ka një armë të caktuar të fortë, sepse ka shfaqur oshilacione. Ka bërë ndeshje shumë të mira, por ka pasur edhe luhatje. Po të mos kishte pasur luhatje, Partizani do ta kishte mbyllur çështjen e titullit. Por duhet të theksoj se Partizani në këto javë të fundit ka arritur në një nga momentet pozitive, që i ka kaluar edhe gjatë sezonit. Është diçka pozitive, që kurba është në ngritje. Ka shumë ndeshje që po luan mirë, po luan me autoritet dhe ka treguar forcën e vet. Tregon vetëbesim dhe prandaj them se e shoh pak më të favorizuar Partizanin.

Si mendoni se ndikon te Partizani fakti që Tirana shkon pa tre titullarë fiks?

Kjo ka ndikimin e vet, sepse mbetet për t’u parë se sa do të jenë në gjendje t’i zëvendësojnë lojtarët që do të futen. Por në fund fare, lojtari i Partizanit kur hyn në fushë, nuk shikon se kë ka përballë, sheh vetëm ngjyrën e fanellës së kundërshtarit. Është fanella, ajo që e bën Partizanin dhe Tiranën, emri mbrapa fanellës nuk ka rëndësi. Pastaj varet se si luan edhe ai që e zëvendëson, sepse ai mund të mos ketë pasur fatin të luajë për shkak se nuk ka pasur hapësira, por kur i jepet mundësia, mund të bëjë shumë mirë dhe të zërë edhe vendin e titullarit. Kështu vijnë gjërat.

Si e parashikoni këtë ndeshje?

E shoh më të favorizuar Partizanin. Në lidhje me rezultatin, këto ndeshje përcaktohen nga momente dhe situata të caktuara. Është shumë e vështirë të parashikosh. Nuk mund të fantazojmë. Varet se si do të rreshtohen, si do të jenë situatat. Mund të marrë ndeshja një rrjedhë, ku të shënohen shumë gola ose e kundërta. Një gjë mund ta them. Mendoj se Tirana do të kërkojë të mbrohet, sepse ata do të ishin të kënaqur edhe me barazimin dhe do të jetë e vështirë të shënohen shumë gola. Po të ishte një ndeshje, ku të dyja skuadrave u duhet fitorja, ata do të linin hapësira mbrapa dhe do të shënoheshin shumë gola. Nga ana tjetër, Partizani patjetër që do të kërkojë ta fitojë ndeshjen, por nuk mendoj se do të bjerë në aventurë. Do të jetë i kujdesshëm, sepse do të ishin sërish në lojë, nuk ka mbaruar asgjë.

Në fund flasim pak për detyrën tuaj aktuale te Partizani. A keni në akademi ndonjë portier, që ka cilësinë për të arritur nivele të larta?

Çdokush i ka vetë shanset në dorë. Kemi në akademi portierë cilësorë. Janë me breza, duke nisur që nga 13- vjeçarët. Çdo brez ka elementet e veta, por çdo njeri e ka vetë në dorë. Sa i përqendruar do të jetë, sa fort do të punojë, sa do t’i dëgjojë vërejtjet dhe sa vullnet do të ketë për t’u stërvitur në mënyrë sistematike. Këto janë ato që e bëjnë një sportist të ecë përpara. Duhet përqendrim maksimal. Nuk duhet të jesh vetëm fizikisht në stërvitje, por dhe mendërisht. Është si puna e nxënësit në klasë. Që të zhvillohet një talent, duhet t’i përqendrojë të gjitha këto cilësi. Duhet të jetë i dashuruar pas profesionit që bën.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"