EKSKLUZIVE/ Skandali i Luftëtarit, Bregu: I lehtësuar që s’luajta, ja çfarë më tha trajneri para ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2018 | 22:55

EKSKLUZIVE/ Skandali i Luftëtarit, Bregu: I lehtësuar që s’luajta, ja çfarë më tha trajneri para ndeshjes

Të lësh Bregun në stol kur je debutues në Europë dhe sapo ke humbur shërbimet e Abazajt, duhet të jesh guximtar i madh, ose aventurier në kufijtë e “kamikazit”. Nuk e di si e quan Kostiç veten pas teatrit të Luftëtarit me Ventspilsin, por me siguri ai nuk ka këllqe të marrë vendime kaq të forta me kokën e vet. Pa bekimin e drejtuesve, ai dhe çdo trajner tjetër në Shqipëri e kanë të pamundur të mbijetojnë.

Koha e vërtetoi: pësoi gola me telekomandë në dy ndeshje dhe sot vazhdon të jetë trajner i Luftëtarit… Po Bregu çfarë mendon për shpërfytyrimin e Luftëtarit? Po për trajnerin që e la jashtë? Po për tifozët e revoltuar gjirokastritë? Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mesfushori e cilëson skandaloze sjelljen e trajnerin Kostiç dhe thotë qartazi se “ndihet i lehtësuar” që nuk luajti në Elbasan.

Bregu

Dejvi, pse u ndatë kështu me Luftëtarin?

Nuk u ndava unë. Trajneri bëri zgjedhjet që mendoi më mirë dhe rezultati ishte ky. Unë e kreva misionin tim te ky klub.

Pse u përplasët me trajnerin?

Nuk u përplasa, por pas ndeshjes së parë ai u kërkonte llogari vetëm dy lojtarëve (Bregu dhe Xhekson), a thua se ishim vetëm ne në fushë. Kishim pësuar pesë gola dhe nuk tha për asnjë moment, qoftë edhe për qytetari, se kishte edhe ai një pjesë të përgjegjësisë. Trajneri në asnjë rast nuk u shpëton përgjegjësive kur gjërat nuk shkojnë mirë.

Po pse nuk luajtët në ndeshjen e kthimit?

Sepse ashtu siç edhe u publikua në gazetë (Panorama Sport), trajneri nuk më kishte në plane për ndeshjen e kthimit.

Pse, cili ishte argumentimi i tij?

Sepse më tha që do të provonte disa lojtarë të rinj që ai i kishte në plane për të ardhmen. Plus pastaj që kishte edhe një lloj arrogance të tepruar.

Si u ndjetë?

Nuk mendova gjatë. E pashë që ishte kapitull i mbyllur, nuk kisha pse debatoja. Ia thashë në fakt: t’i në Shqipëri je askushi. Unë jam ky që jam. Nuk kam ardhur këtu që të tregoj ty kush jam, por sepse më ka thirrur klubi që ta ndihmoj. I thashë që nuk kam pasur kurrë probleme me të huajt, përkundrazi, binda Ramelën dhe Levin te Flamurtari, por edhe Milinkoviçin te Luftëtari. Por, ky (Kostiç) ishte arrogant.

Kur e patë se si shkoi ndeshja në Elbasan, çfarë menduat?

U ndjeva i lehtësuar që nuk luajta. Shumë madje. Që në momentin që e mora vesh se nuk isha në 11-she, u ndjeva shumë i lehtësuar.

Ç’përshtypje ju la ajo ndeshje?

Asnjë koment tjetër. Jam një lojtar i Skënderbeut, nuk dua të flas për këto dy ndeshje.

Dakord, por tifozët e Luftëtarit janë të revoltuar, sepse ajo nuk ishte një ndeshje normale…

I respektoj tifozët e Luftëtarit dhe u jam mirënjohës për mbështetjen që më kanë dhënë.

Sa mesazhe keni marrë pas ndeshjes nga tifozët e Luftëtarit?

Pafund. Pothuajse të gjithë më kanë shkruar. Më kanë falënderuar për kontributin tim aty dhe unë e përsëris që u jam mirënjohës të gjithë atyre që më mbështetën.

Pse u rikthyet te Luftëtari, ndërkohë që jeni lojtar i Skënderbeut?

Sepse m’u lutën drejtuesit. E ndjeva si detyrim moral për shokët që kam aty dhe për qytetin. Por nuk e meritoja një trajtim si ky. Absolutisht jo.

Po kur trajneri vendosi t’u lërë jashtë, çfarë ju thanë drejtuesit?

Asgjë. Nuk më kontaktoi askush.

Pse nuk ju kontaktuan, a ju duket normale kjo?

Nuk është normale, sepse unë dhe ata djemtë e tjerë shkruam historinë aty. Nuk e di realisht pse nuk më kontaktoi klubi.

Pse klubi i Luftëtarit gjatë verës merr trajnerë anonimë dhe më pas kthehet sërish te shqiptarët?

Këtë nuk e kam kuptuar kurrë. E kam menduar edhe unë, por nuk e kam kuptuar. As nuk më ka interesuar shumë se çfarë zgjedhjesh kanë bërë. Por, unë kam menduar gjithnjë që meritën më të madhe aty e kanë pasur grupi i futbollistëve që ishte deri vjet. Ishim realisht si familje. Beqiri ka qenë pikë kyçe në skuadër, sepse na mblidhte dhe na fliste edhe kur gjërat nuk shkonin keq.

Po me Xheksonin çfarë ndodhi?

Nuk e di çfarë ndodhi. Ai nuk pranoi të luante në ndeshjen e dytë dhe me sa kam marrë vesh i kanë vendosur një gjobë. E çuditshme m’u duk.

Kur do t’i bashkoheni Skënderbeut?

Të hënën do të jem në Korçë. Mezi po pres. Shumicën aty i njoh dhe kjfo më ndihmon. Skënderbeu natyrisht nuk ka kaluar një periudhë të qetë, por mendoj se ka grupin më të bashkuar dhe më eksperiencën më të madhe. Shoh aty një mundësi reale për të siguruar një ekip serioz në Europë dhe do të përpiqem maksimalisht që së pari të arrijmë objektivat që ka Skënderbeu dhe më pas të shohim për gjëra të tjera.

Çfarë mesazhi keni sot për tifozët e Luftëtarit që janë të revoltuar për mënyrën se si u paraqit ekipi i tyre në Europë?

Mirënjohje pafund për të gjithë. Natyrisht, pati një pjesë shumë të vogël të tifozërisë që edhe të mërziste ndonjëherë, por tani këto i takojnë së kaluarës.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"